“Letërsia e Penguar dhe mitet e saj”, libër me studime e shkrimtarit Yzedin Hima

“Letërsia e Penguar dhe mitet e saj”, libër me studime e shkrimtarit Yzedin Hima

Letërsia e penguar zuri vendin bosh në mozaikun e Letërsisë shqipe 

Yzedin Hima

 

Pas rënies së diktaturës në Shqipëri u shfaq një letërsi tjetër, Letërsia e penguar, e ndryshme si estetikë, tematikë, nyjëtim teksti etj. me letërsinë e krijuar në shtratin e realizmit socialist.

 

Letërsia e penguar shkatoi habi estetike deri dhe mahni te lexuesit. U fol se kjo letërsi erdhi për të zhvendosur dhe për t’i zënë vendin letërsisë  korrekte si shkrimtari me metodën aestetike të socrealizmit.

 

 

Ky qe mendim i gabuar. Letërsia e penguar erdhi, por nuk zhvendosi askënd, nuk i zuri vendin askujt. Ajo erdhi dhe zuri vendin e lënë bosh në mozaikun e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

 

Morsa e socrealizmit nuk ia kishte lejuar, me përjashtime të veçanta, letërsisë së krijuar në shtratin e socrealizmit krijimin e mozaikut. Ajo qe dënuar me njëtrajtësi, njëngjyrësi e reliev të njëjtë,  që kurrsesi nuk krijonin mozaik.

 

 

Natyrisht, protokolli i ngrirë i hierarkisë së letrave shqipe, sidomos në tekstin poetik u trondit, por nuk u dha. Mjaft krijues, të botuar dhe vlerësuar nga kritika zyrtare socrealiste, heshtën për Letërsinë e penguar, kinse se nuk e vunë re, nuk e lexuan.

 

Ndonjeri prej tyre, ndoshta pa vetdije, nga mahnia estetike, “këput” ndonjë metaforë nga tekstet e Letërsisë së penguar dhe e përdor në tekstet e tij letrarë.

 

 

Protokolli i letrave shqipe, sidomos në tekstin poetik, ende qendron i ngrirë. Të gjithë mekanizmat e promovimit, vlerësimit, botimit janë në duart e vjetra, me pak përjashtime.