“Miqtë e zogjve janë pyjet, çobanët janë miq me yjet”, libri më i ri i autorit dëshnicar, Gëzim Voda

 “Miqtë e zogjve janë pyjet, çobanët janë miq me yjet”, libri më i ri i autorit dëshnicar, Gëzim Voda

Këto ditë doli nga shtypi libri me titull “Miqtë e zogjve janë pyjet, çobanët janë miq me yjet”, i autorit dëshnicar, Gëzim Voda

Libri përmban qëmtime nga urtësia dëshnicare ose, më shkoqur, “fjalë të urta”, të motivuara nga kjo krahinë.

 

 

Janë 665 të tilla dyvargshe, ngjashmërisht me titulli e thënë më sipër dhe tërësisht me rimë të përputhur dhe me vargun 8 rrokësh, të sistemuara sipas alfabetit shqip.

 

 

Libri, për shkak të këtij titulli u dedikohet katër njerëzve të thjeshtë dhe të pabujshëm të fshatit Çorrogunj, “miqve” më tipikë “të yjeve”, çobanëve emërmirë të njohur edhe tej Çorrogunjit, Elmaz Vodës, Lalush Selfos, Pëllumb Vodës dhe Ferik Selfos.

 

 

Libri ka gjithësej 106 faqe, përshirë edhe shpjegimin e disa fjalëve disi të vjetra që mund të mos i dinë mirë të sotmit. Ka gjithashtu katër fotot e këtyre emrave dhe dy të tjera, përkatësisht për dy stanet që kanë patur Elmazi dhe Lalushi në Trebeshinë. Ndërkohë, ndodhet një material i shkurtër shpjegues për lexuesin si dhe parathënia prej poetit dhe studiuesit dëshnicar, Kujtim Mateli.

 

 

Reçezent është Bujar Bejkollari, ndërsa konsulentë janë, Zihni Duçkollari dhe Tomor Voda.

 

 

Kopertina e librit është e ideuar nga vetë autori, i cili nuk heq kollaj dorë nga përjetësimet rreth vendlindjes.

 

 

Më poshtë po para qesim disa nga këto qëmtime të vargëzuara në stilin e autorit:

 

 

Aq sa shihet maja e veshit,

aq gjenden këmbët e pleshtit.

 

 

Atje ku tirren shumë fjalë,

ta bëjnë dhe mushkën me barrë.

 

 

Bast për tjetrin ti mos vër,

fjalën mos pri me satër.

 

 

Bezdimadhja në mëhallë,

bën gjithë ditën si gjinkallë.

 

 

Çatitë preferon pëllumbi,

minjve u pëlqen bodrumi.

 

 

Ç’të duhet tufa me qën,

kur asnjë nuk bën për dhën.

 

 

Dorëdhënsi, nderon veten,

korronaci ndjell të keqen.

 

 

I ndërtuar si qaraman,

botën falja, s’ka derman.

 

 

Jo kushdo që ta sjell rruga,

ta heq “litarin” nga gryka.

 

 

Mbi Dejan e patën stanin,

Lalushi tok me Elmazin.

 

 

Mikun që e kthen nga rruga,

nuk i numërohet luga.

 

 

Misri s’matet nga lëpushka,

por nga kokra edhe buka.

 

 

Ndër çobanë nga Çorrogunji,

shquajnë Feriku dhe Pëllumbi.

 

 

Ndër të rrallat e natyrës,

Është Gryka e Këlcyrës.

 

 

Për rakinë Përmeti ndjehet,

veçse në Dëshnicë zjehet.

 

 

Po deshe bukë ponice,

hidhu tej asaj Dëshnice.

 

 

Trebeshinë, pllajë e lëndina,

s’ke lezet pa blegërima.