Shkëmbi i pazakontë që po çmend turistët e huaj në Kanionin e Osumit, shikojeni me vëmendje këtë foto dhe do kuptoni pse?!…
Marrë nga gazeta “DITA”
Kush ka bërë rafting në Kanionin e Osumit me Zamo Spatharën dhe ekipin e tij, ka ndaluar patjetër tek Ujëvara e Dashurisë.
Është një nga ujëvarat më të famshme dhe më të bukura të kanionit, një pikë ku turistët e huaj dhe ata vendas ndalen patjetër gjatë lundrimit në Osum.
E parë nga lumi poshtë, ajo është magjepsëse, por pak vetë e dinë pse quhet Ujëvara e Dashurisë. Që ta kuptosh këtë, duhet të ngjitesh lart…
Zamo Spathara, njeriu që njeh me detaje çdo centimetër të kanionit, tregon për DITA se ujëvara ka këtë emër për shkak të një legjende që e rrëfejnë banorët e fshatit që ndodhet sipër kanionit, në atë pjesë ku ujëvara fillon derdhjen e lirë në lumë.
Legjenda thotë që aty lart, pikërisht në vendin ku nis humnera dhe merr forcë rrjedha e bardhë e ujit që përplaset poshtë në lumë, dy të rinj të dashuruar marrëzisht, u bashkuan në puthjen e tyre të parë…
Të cilën fati, për një arsye nga ato të mistershmet që vetëm fati i di, nuk e la të mbaronte. Vajza rrëshkiti dhe ra poshtë në humnerë drejt lumit të thellë. Djali u hodh vrik pas saj…
Mbetën përjetësisht të përqafuar me Osumin që i rrëmbeu në ujërat e tij.
Kjo legjendë e trishtë dhe e bukur do ishte vetëm një histori e zakonshme për turistët e huaj, nëse nuk do ishte pamja e pabesueshme që ka shkëmbi sipër ujëvarës, aty ku legjenda rrëfen puthjen e pamundur.
Shikojeni dhe ju këtë foto mahnitëse ofruar për DITA nga djemtë e Albania Rafting Group.
Shkëmbi është ndarë më dysh nga uji që rrjedh poshtë në lumë dhe krijon ujëvarën. Por shihni me kujdes në dy anët e ujit. A nuk dallohet qartë një fytyrë djali dhe përballë tij, një fytyrë vajze? E pabesueshme!
Shkëmbi lindi legjendën, apo legjenda gdhendi shkëmbin? Në të dyja rastet është mahnitëse…