Dhimitë Shtëmbari: Neki Sula, në një libër të denjë memo – historik, shkruar nga publicisti Zylyftar Hoxha
Parathënie e librit “Neki Sula, dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja – Histori” me autor Zylyftar Hoxhën
Dhimitër Shtëmbari
Një i mençur ka pas thënë, se libri është i vetmi kopsht që punohet dhe mbillet për të tjerët. Me sa nuk është vështirë të kuptohet, pikërisht këtë ka pasur parasysh edhe shkrimtari dhe gazetari skraparlli, Zylyftar Hoxha, teksa i qe futur punës për monografinë kushtuar një figure të shquar, siç është kjo e Neki Sulës.
Thonë, dhe jo më kot, se fytyra e një libri është edhe fytyra e atij që e shkruan. Si një gazetar i mirënjohur dhe i hershëm, që në kronikat e veta televizive dhe në shkrimet e shumta që ka pas botuar në organe të ndryshme shtypi, Zylyftari ka përfshirë qindra, për të mos thënë mijëra, portrete njerëzish të thjeshtë të Skraparit e shumë më gjerë. Këtë herë lexuesit i ka shkuar me një monografi të plotë, në të cilën ka shprehur jo vetëm mendim të qartë, por ka derdhur edhe ndjenjë të hollë nga bota e tij e brendshme. Ka nderuar personazhin kryesor të librit – Neki Sulën, por ka respektuar edhe lexuesin.
Sepse, ose shkruaj diçka që ia vlen ta lexosh, ka thënë një i mençur, ose bëj diçka që ia vlen ta shkruash.
Dhe Zylyftari i ka pasur parasysh të dyja: lexuesit i ka dërguar një monografi, që ia vlen ta shfletosh me shumë ëndje.
Dihet, se jeta është si një libër; ajo e disave është sa për një faqe; ajo e mjaft të tjerëve është sa për një kapitull,7 ndërsa ajo e të vërtetëve është sa për një histori. Jeta e personazhit të kësaj monografie, siç del nga ky botim I denjë i Zylyftar Hoxhës ka merituar të jetë sa për një roman i tërë.
Ndërsa lexon këtë monografi, natyrshëm të krijohet brenda vetes figura e një kuadri me dimensione të gjera njerëzore. Të vjen në mëndje jo thjesht një qytetar dosido, nga ata të paktë kuadro që nomenklatura e kohës I pat dërguar të zinin një karrige diku lart në rreth. Të vjen në kujtesë një ish-partizan trim, shkolluar në Moskë dhe betuar për idealin që përfaqësonte dhe mbronte.
Si të jetë një sociolog i kujdesshëm, autori ka arritur të zbresë mjeshtërisht te njeriu – Neki, duke i zbuluar atij ato çka i përbënin figurën si qytetar e si kuadër.
Se dihet; portreti i vërtetë i çdonjërit është vet vepra e tij. Personazhi kryesor i kësaj monografie del jo i idealizuar, por tepër real; me tërë ato të dhëna moralo – qytetare që ai i manifestonte modestisht në marrëdhënie me njerëzit.
Në këtë drejtim autori është treguar sa i vëmendshëm, aq edhe skrupuloz. Ka gërmuar, më saktë: ka qëmtuar në jetën e tij. Sepse është nisur nga ideja, se shpesh ka më tepër gjëra të fshehura në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti.
Neki Sula, ky bir i nderuar dhe i paharruar i fshatit Zaloshnje të krahinës së Tomorricës në bashkinë e Skraparit na jepet tepër humanist. I lidhur ngushtë me njerëzit e thjeshtë të popullit, ai jetonte përherë shpirtërisht sa me gëzimet, aq edhe me shqetësimet e tyre.
Teksa lexojmë me shumë kënaqësi faqe të tëra të kësaj monografie, ndërmend na vjen thënia e një të urti, se njeriu kur ndjen dhimbje për veten e tij, është i gjallë, ndërsa kur ndjen dhimbje për të tjerët, është gjallë. Nekiu ka pas qenë vazhdimisht gjallë për popullin atdhetar të Skraparit.
Atyre viteve që Neki Sula drejtonte politikisht rrethin, apo kur drejtonte ndërmarrje ekonomike, jo gjithmonë punët shkonin vaj. Kishte vështirësi, deri edhe pengesa, të cilat, natyrisht, nuk vareshin prej tij. Sidoqoftë, ai ishte vazhdimisht në veprim. Ai e kuptonte, se i denjë për jetën është ai që nisej çdo ditë në betejë për të.
I vëmendshëm për jetën e punonjësve, i kujdesshëm për nevojën e çdonjërit dhe i gjendshëm për hallin e çdokujt, Neki Sula mundohej të ishte mik i vërtetë i njerëzve të ndershëm. Në errësirën e shqetësimeve që këtyre u lindnin, ai vazhdimisht ndizte llambën e shpresës.
Në kapitujt e ndryshëm të kësaj monografie interesante gjejmë kuadrin e përkushtuar të kohës, siç gjejmë edhe drejtuesin korrekt dhe kuadrin modest. Ashtu sikundër na e paraqet autori, Nekiu ka qenë i mirëpritur nga të gjithë ata me të cilët punonte për të realizuar detyrat. Në bazë ai shkonte jo thjesht për të shpalosur në mënyrë burokratike orientime politike, por zbriste aty për t’u vënë në krye të punëve.
E në tërë këtë veprimtari, si njeri i mençur që ishte ai nuk i thoshte të gjitha ato që mendonte, por, sakaq, ai i mendonte mirë të tëra ato që thoshte.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga ajo kohë kur drejtonte Neki Sula, të moshuarit e kujtojnë me shumë respekt e nderim. E kujtojnë si një njëri që ia kanë njohur shpirtin e bardhë. Dhe s’ka se si të ndodhë ndryshe: dora që të ndihmon të ngrihesh kur je i rrëzuar kujtohet njëmijë herë më shpesh se sa krahu që të përqafon kur je në këmbë.
E tërë monografia përshkohet nga një kulturë e lartë të të shkruari. Stili elegant dhe gjuha e rrjedhshme, fraza e përpunuar dhe llojet e larmishme të fjalive, si dhe fjalori i pasur e i pastër i kanë dhënë freski e ngjyrë krejt prozës së monografisë, sa, herë – herë, të duket sikur lexon prozë poetike.
Teksa shprehim nderimin tonë të thellë për ish-kuadrin e shquar të Skraparit, të paharruarin Neki Sula, respekt të veçantë i përciellim edhe autorit të kësaj monografie, shkrimtarit dhe gazetarit të njohur Zylyftar Hoxha.