Relikte të rralla lufte që zgjojnë kujtime!…

Relikte të rralla lufte që zgjojnë kujtime!…

 

Ilmi S.Qazimi

 

 

Fotoja e më poshtme është bërë para disa kohësh në një familje të fshatit Muzhakë të Skraparit. Ajo tregon helmetën e një ushtari italian të mbetur nga Lufta Italo-Greke, që u zhvillua në malin e këtij fshati.

 

Këto, samar kuajsh lufte, gëzhoja gjylesh topi, gëzhoja pushke dhe mitralozi janë relikte të Luftës së Dytë Botërore që i gjen edhe sot pas mëse 80 vjetësh në çdo fshat dhe në çdo shtëpi në Skrapar.

 

 

Fshatarët “praktikë” kanë gjetur mënyra se si t’i përdorin ato për nevojat e veta: Psh, kam parë që një gëzhojë gjyleje topi 85 mm, e kishin bërë vazo për lule, helmetat përdoreshin si tasa ku u hidhej tagji kafshëve ose si gërraç ku u hidhnin lëtyrat dhe bukën qenve të familjes etj.

 

 

Tani këto pamje tragji-komike askujt nuk iu bëjnë përshtypje. Por pleqëve tanë, që kishin hequr në kurriz Luftën, kur shihnin kalin në avlli që pinte ujë në një helmetë ushtari të huaj apo menekshenë që lulëzonte mbi një arkë metalike fishekësh te muri rrethues, diçka u lëvizte përbrenda!…

 

E kisha parë kushedi sa herë babanë tim, Saliun, rahmet pastë, që rrinte në sofat e shikonte pulat tek çukitnin hime me piperka që të mos i zinte lija dhe të bënin sa më shumë vezë, mbi një gavetë ushtari grek të gjetur në Taroninë dhe nuk e di se çfarë mendonte në këto çaste!

 

 

Ai nuk e arriti filmin “Krevati i Perandorit”, por nëse do ta kishte parë, me siguri do t’i dukej vetja në këto çaste si Meke Partizani!…