Xhevahir Spahiu: Vendlindja dhe Tomorri, tempuj që i u bie në gjunjë

Xhevahir Spahiu: Vendlindja dhe Tomorri, tempuj që i u bie në gjunjë

 

-Intervistë me poetin Xhevahir Spahiu-

 

Zylyftar Hoxha

 

Ka vite që, siç ka emrin, ai shkëlqen si një gur i çmuar në botën letrare shqiptare. Që në fillimet e tij, në vitet ’60, ai u shfaq si një zë potencial, befasues dhe tepër i veçantë, që me origjinalitetin e tij krijues ka tërhequr vëmendjen e kolegëve poetë e shkrimtarë të vendit dhe të huaj.

 

 

Në vitin 2004, me rastin e 60-vjetorit të lindjes së tij ne bëmë një bashkëbisedim të gjatë me të, por duke mos patur mundësi për ta paraqitur të plotë, po botojmë vetëm një pjesë të këtij bashkëbisedimi që bën fjalë për vendlindjen.

 

 

 

 ***

 

Origjina jote dihet, pasi, pse të mos themi, me një farë krenarie e keni shpallur atë me rast e pa rast dhe jo vetëm kaq, por ajo reflekton dhe është e dukshme në krijimtarinë tuaj. Diçka më tepër…

 

 

             Ta them drejt, unë sa herë shkoj në vendlindje mallëngjehem dhe, pse ta fsheh, përlotem, se atje jo vetëm që kam kujtimet e mija, por atë që bën fëmijëria, nuk mund ta çbëjë jeta, sado e furtunshme të jetë, madje ndodh që fara i jep fytyrë jetës, i përcakton fatet, megjithëse fara është nën dhe, është e padukshme.

 

 

Në ujthin, ujth i thonë limfës, lëngut të jetës që gjendet në gjethet, lulet dhe frutat e pemëve, nuk ka se si të mos gjesh tharmin, majanë e jetës. Është pikërisht kjo farë, kjo fëmijëri që rri fshehur brenda njeriut në të gjitha moshat e tij. Aty nis mendja, mëkimi.

 

 

Në këtë fëmijëri, në këtë ngjizje, në këtë pasuri dhe ndieshmëri me njerëzit  dhe bashkëfshatarët e mi të Malindit (Malind do të thotë mal, që është një fjalë e bukur shqipe, e përdorur edhe Omeri te “Iliada”) unë do të thosha se u bëra unë. Duket kështu…, si ta them…Por një lis më mori për dore dhe më tha: “Ti duhet të këndosh, të flasësh në emrin tim, të flasësh këto fjalë naimiane që kanë ato viset tona aq të pastra”.

 

 

Unë i jam mirënjohës kësaj siëndrre, por mund të kisha kënduar edhe më shumë.

 

 

Fëminia ime ka një gjë të veçantë, ajo nuk lidhet vetëm me Malindin me Skraparin dhe Frashërin nga ku unë kisha gjyshen dhe nënën dhe ku ne shisnim koridha, rrushë me kofina në Berat e Korçë se me ato rronin dhe blinin grurë e misër se arat ishin kurris peshku, i digjte hëna, siç i thonë.

 

 

 

Ju që i vogël keni qënë edhe në Vlorë…

 

 

Po. Them që kjo botë e Skraparit, shumë e pastër, e pasur, e çiltër, e hapur, nuk ka qenë e vetme(pa hyrë te bota e mëvonshme e librave), kjo ka qenë e plotësuar me një tjetër pejzazh, siç thatë ju, me Vlorën.

 

 

Pas vdekjes së nënës, duke mbetur jetim dhe babai shkoi në Vlorë, klasën e parë e kam bërë në Malind, klasën e dytë dhe të tretë i kam bërë në Vlorë dhe klasën e katërt e kam bërë përsëri në Malind. Në këtë kohë më ndihmuan miqtë e mi dhe shkova në konvikt në Skrapar për të bërë 7-vjeçaren. Konviktin e kishim te Përroi i Mollasit. Edhe këtu kam shumë kujtime, por ndoshta do të flasim ndonjë herë tjetër për to.

 

 

Po që e pata fjalën te Vlora, ajo u bë për mua si Skrapari, s’ishte ndërprerje, por një vazhdim, sepse edhe historikisht këto krahina lidhen me njëra tjetrën. Në Mesjetë ishte principata e Muzakajve që i bashkonte, ishte një frymë, një etni, se etnitë e vogla krijojnë etnitë e mëdha.

 

 

Kështu që Vlora ka pjesën e vetë në formimin tim. Në qoftë se unë deri atëhere kisha një mal dhe një lumë, tani erdhi deti, atje ishin lisat me rrush, këtu ishin ullinjtë. Jo më kot unë u kam kënduar ullinjve, se ullinjtë mua më çudisin, çudi vërtetë, se njeriu po humbi ndjenjën e çuditjes, humbet ndjenjën e kërkimit. I shikoja trungjet e ullinjve me ato gropat si plagë, si sytë e një të verbëri. Era i kish skalitur, lisit atje i jepte flatra, i jepte këngë, ullirit i zgdhëndëte kurmin si një përmendore jete.

 

 

Vlora me këtë dritë qytetarie, por unë do të thosha edhe me një çiltërsi e trimëri të veçantë, ishte vazhdim i asaj që lashë në Skrapar, kështu që unë s’e ndjeva shumë këtë lëvizje, përkundrazi qe një plotësim dhe kjo se midis Vlorës dhe Skraparit, ashtu siç thashë më parë, qëndrojnë lidhje të thella, shumë të brendëshme, të çuditshme dhe të pashpjegueshme për mua.

 

 

Sa kanë ndikuar kujtimet e fëmijërisë në formimin tuaj, por edhe në krijimtarinë tuaj, që me sa dime, tema e vendlindjes zë një vend të konsiderueshëm?

 

 

Sa më shumë të largohesh nga burimi, aq më shumë ëndërrohet burimi. Në këtë frymë them unë, këto gjëra edhe të dukshme edhe të padukshme, shfaqen në jetën e njeriut, qoftë edhe ai vargu me luleshtrydhe e manaferra, që i shkoja radhë në një  bar si gjerdhan nuseje dhe ja çoja gjyshes, qoftë duke kërkuar atë lis, të cilit i ka hedhur pjergullën babai, qoftë ai muri në fund të arës, ku rrinte gjyshi e ndizte duhanin me eshkë, qoftë ai keci që unë i rrëzova pa dashje një gur te Shkëmbi Marrëzëse e që mua më erdhi shumë keq dhe s’dija ç’t’u thosha në shtëpi, të gjitha këto do të hyjnë diku.

 

Po të përqëndrohesh, duket se edhe atje ku duket se s’ka lidhje fare, do të dalë diçka që e ka fillesën në fëmini. Unë, duke qenë  edhe pak i pa mbledhur, si të them, i palidhur (i pa lidhur, jo), por i lidhur fort me karakterin tim, gjithmonë në lëvizje, në udhë, dëgjoja këngët (prandaj dhe i këndoj vetë sot), mbaj mend kush këndonte më mirë, kush kërcente më mirë.

 

 

Mbaj mend kur isha nja 12 vjeç vajtëm morëm një nuse në Borockë dhe unë tërhiqja mushkën për kapistre dhe një kushëriri im përpara priste degët e ndonjë lisi, shkoze a ferre, që të mos preknin nusen, mua m’u dhurua nishani, një shami e bukur mëndafshi.

 

 

D.m.th., shiko çfarë përmase merr fëmijëria me kalimin e kohës. Vështrimi atëhere mbushej jo vetëm me këtë jetë të fshatit, por edhe me dy pamje madhështore, Qarrishtën përballë dhe Tomorrin. Qarrishtës dhe diellit që binte mbi Qarrishtë, gjyshja, që më mahniste me shkathtësinë dhe zotësinë e saj, shtrinte dorën gjithmonë andej dhe i këndonte Haxhi Bektash Veliut.

 

 

Në një rast, në mënyrë të çuditshme, mistike dhe profetike ngriti dorën dhe tha: Dhe i tha Haxhi Bektash Veliu diellit “mos lëviz”!  Dhe dielli nuk lëvizi nga Qarrishta, sa njerëzit mbaruan punë me të vdekurin nga Qesaraka që mbanin në drurë. Unë me atë kërshërinë naive të një fëmije e ruajta vërtet diellin atë ditë dhe m’u duk se ai nuk lëvizi, zbatoi “urdhërin” e Haxhi Bektashit dhe të gjyshes time. Shiko çfarë imagjinate!

 

 

Ç’personazhe të fshatit, në qoftë se do t’i quanim kështu, do të veçoje?

 

 

Unë përmenda më lartë pjesëtarë të familjes sime, që tani s’mund të rri pa u lëmuar me duar gurin e varrit, se veç atje, ata kanë ngelur edhe në shpirtin tim, por të gjithë bashkëfshatarët e mij dhe të gjithë skraparasit i kam dashur dhe i dua se janë për të dashur. Janë njerëz që duan jetën, duan kulturën. Më kujtohet se vjershat e Naimit i këndonin edhe barinjtë, kish nga ata që e dinin përmendësh të gjithë “Qerbelanë”, “Lulet e Verës”, ndërsa “Bagëti e Bujqësinë” e kishin zbërthyer në këngë si “Ku mërzen cjapi me zile…”, “Edhe qyqja kur këndonte…”.

 

 

Njerëzit tanë andej kanë qenë arsimdashës. Në vitet ’30 ka qenë mësues në Malind Sinan Tafaj. Fshatarët  shkuan e muarën me mushkë që në Berat. Mësuesin, mikun ata  e quanin “xhufkë mbi feste”.

 

 

Mikpritjen tonë ata që e kanë hasur, thonë se është proverbiale, por unë them se është më tej se kaq, unë jam ustai fjalës dhe jam muduar të gjej fjalën e duhur në poezitë e mija, por fjalën e mikpritjes së Skraparit nuk e kam gjetur.

 

 

Në biseda me miqtë, ju përmendni shpesh Tomorrin, aq shpesh sa miqtë tuaj, duke e ditur këtë dobësi, thonë: “Xhevo, ç’thotë Tomorri”! Ose, vitin e kaluar ju i kini rënë rreth e rreth Tomorrit për gati një muaj rresht. Në të vërtetë, është një dobësi sentimentale, apo…

 

 

Shiko, gjërat vinë te njeriu në mënyrë të pakuptueshme. Nuk duhet të kërkojmë në çdo gjë logjikë, sepse jeta ndonjë herë iken kundër logjikës, prandaj lind dhe absurdi.

 

 

Mua jo vetëm më ka mbetur nga fëminia ajo pamja e mrekullueshme e shpatinës së Tomorrit gjer sa vete në  majë, e përftuar nga një vend në Malind që quhet Bregu i Valleve.Tek kjo pikë të del një tablo madhështore e Tomorrit me atë dëborën që mbulon shpatin, që plotësohet me Bregun e Erës, Kulmakun dhe Ramijen në krah.

 

Pastaj, më vonë, kur u ngjita vetë në majë, pash si dukej lugina e mrekullueshme e Osumit dhe Malindi që andej, por pashë gjithë Shqipërinë, pashë brigjet e Italisë. Vit pas viti duke parë këtë mal mbret, siç e quajnë të tjerët, s’ka njeri të mos çuditet.  Si i magjishëm ai nuk them se të jep ndjenjën e trëmbjes, jo, ai më shumë të jep fuqi. Ai të detyron ta shikosh  gjithmonë me kokën lartë dhe ti brenda vetes e ndien këtë kryelartësi.

 

 

Ky është një mal simbol i bashkimit të shqiptarëve, mal i bashkimit dhe i besimit. Unë nuk e kam pasur këtë vetëdije, ta shikoja kështu këtë mal. Por, siç thashë, ajo majaja,  ujthi i fëmijërisë, i rritur me këtë mal ndër sy, por edhe dëshira që ka çdo njëri për t’u ngjitur në lartësi, dëshira pë t’i hipur pemës, kodrës, është një dëshirë, një prirje për të zgjeruar horizontin.

 

 

Kështu, kur isha i vogël e shkoja te dajot ose për të mbledhur lajthi, ngjiteshim në Kokojkë mbi Frashër në Bregun e Muhalisë.

 

 

Prap aty, te fëmijëria…

 

 

Po ku tjetër? Aty shikoja Kolonjën andej, Korçën këtej, Dhembelin, Përmetin në anën tjetër, Skraparin përballë, vende të bukura që ta ngopnin syrin. Kur zbrisnim posht për lajthi apo dardha, Safeti me Tahirin, dajot e mi, tregonin: “Ja, kjo është ara e Avdylit, këto murishtet këtu janë shtëpitë e Naimit”.

 

 

Mbi të gjitha, në pjesën e Dangëllisë, unë kisha të shënjtë Fatimenë, gjyshen nga babai, nananë, nënën e nënës, Rekon. Kam një poezi “Nanaja”, një poezi që më pëlqen se aty kam diçka brenda vetes. Kur i zgjedh këto poezi, pasi ka edhe më të mira se ajo, dora vetvetiu më shkon te ajo, te Rekua e gjorë që më mbante në prehër dhe që qante për 50 vjet me radhë motrën që e kishte në Francë.

 

 

Këto janë viset e Dangëllisë, viset naimjane,  që unë kam patur fatin t’i njoh me rrënjë, të jetoj dhe që në një kohë, kur t’ia gjej, do të flas për to, pasi kanë një tjetër përmasë ato kujtime. Më vonë, kur lexon njëriu, bashkon ndjenjat fillestare të fëmijërisë, ato njohuritë empirike, me kulturën e vertetë, me kulturën e gjërë, arrin në përfundimin logjik se ky mal, që quhet mbretëror, që i këndohet, që pikturohet, që i kërkohet ndihmë, që thirret baba, babamal, kthehet në simbol, ashtu siç kthehet deti, lumi, lisi.

 

 

Njeriu, si të thuash, është i mbushur me simbole. Pra ky mal, që është i shënjtëruar, me ato festat aq të bukura, që kanë lindur që në kohët pagane nga dëshira  dhe jo të stisura, që kanë lindur më tepër nga natyra se sa nga gjëra të tjera.

 

 

            Prap te Tomorri…

 

 

Unë kur s’i këndoj Tomorrit, kujt do t’i këndoj, sepse duke i kënduar atij, i këndoj një madhështije, i këndoj një historie të lashtë pellazgjike dhe ilire, i këndoj të mirës, se Tomorr do të thotë Omiri, i- miri.

 

 

Dëgjoj tani për dimrin, dimër të ashpër ka pasur edhe atëhere që ziheshin keq rrugët, por fshatarët e mi, ashtu si të gjithë skaraparasit mendt i kishin në kokë e i dilnin përpara dimrit, bënin zairetë për vete, hidhnin bukën e dimrit në habar, bënin pastërma, petë, tërhana, pekmez, rehani; për kafshet grumbullonin bar, kashtë, tagji, dushk të thatë dhe dimrin e kalonin për mrekulli, çanin ndonjë rrugë sa për t’u dhënë ujë bagëtive ose për të vajtur te njëri-tjetri.

 

Kështu ndodh edhe tani në Skrapar, dhe kjo është kulturë, kulturë jetese, them unë. Për këto mund të rrimë me orë të flasim se i kam të gjalla ato mbresa të ditëve të dimrit ku prindërit tanë kishin kohë të merreshin me ne fëmijët, të na tregonin histori e përralla. Dimri ata s’i trembte, e përballonin trimërisht, dhe është kjo arsyeja që edhe unë gjej te dimri të bukurën (e shikon si dalim gjithmonë te ujthi, te fëmijëria).

 

 

Vërtet se nuk e kam thënë deri tani, po tani m’u kujtua, që zumë në gojë dimrin, gjyshja dhe tataja, që ishte xhaxhesha, por edhe babai më tregonin përralla, përdornin ca emra si Shakadia, te Ura e Siratit.

 

 

Dhe unë, po të mos më tregonin përralla, vija ulërimat, u kishte pjellë belaja me mua, qoftë gjyshes, Fatimesë, qoftë tatasë. Fëmijëve të mi, kur ishin të vegjël, u jepja të lexonin përralla, ndonjë herë edhe me zor ose me t’u mbushur mendjen, pa lexojini një herë, se do t’u pelqejë.

 

 

Dhe ai i vogli, Arturi mban mend ato përrallat herëshme çame, me atë gjuhën e mbledhur 150 vjet më përpara, gjuhë e bukur gjithësesi.

 

 

Çfarë gjetët dhe çfarë latë në Tomorr?

 

 

E bëre mirë këtë pyetje. Ato viset tona janë të parrahura, të pazbuluara, të pastudiuara dhe, nëse do të ketë pak vëmendje, zbulimet që mund të bëhen aty, mund të kenë vlera kombëtare dhe ndërkombëtare se jeta aty është dëshmuar në një hapësirë kohe shumë të lashtë.

 

Dhe sa vjen njeriu i kërkohet çfarë mund të bëhet atje, se vërtet njerëzit po ikin, por veç Tomorrit, janë kanionet e Osumit, thellinat që s’i ka bota, aq të bukura, aq të mistershme, që kërkon lumin posht e nuk e gjen dot. Këto dy pika, Tomorri dhe kanionet do të jenë një trung i fortë ku të lidhen skraparasit, sigurisht dhe bërja e rrugës për në Tri Urat.

 

 

Në Tomorr ne shkuam bashkë me Nuriu Çunin, ai për punën e tij në drejtim të arkeologjisë dhe ai do t’i vërë një kurorë kësaj pune shumë të heshtur 30-vjeçare, ndërsa unë dhe djali im i madh, Orgesi, përveç asaj për të parë ç’bëjnë këta bektashinjtë e mirë, për të parë ato shtigje, ç’janë këto çuka, si quhen, t’i preknim, një gjë po s’e preke, vetëm me një logjikë të ftohtë nuk krijon emocion, nuk krijon ndjenjë dhe arti po s’ta bëri zemra trak, nga kabineti është një gjë e ftohtë.

 

 

Unë shkova nga  një dëshirë e vjetër që kam pasur ndoshta që nga vitet ‘80. Këtë ia kam thënë të ndierit poetit Agim Spahiu. Ai, sa vinte nga Kukësi, më kërkonte mua dhe atij i kam thënë: “Dua të bëj një libër, jeta e një mali”.

 

 

Kanë kaluar 20 vjet që atëhere. Të ngacmon, të josh simbolika e atij mali, unë jam amator në fushën e gjuhësisë dhe të etimologjisë, por më vonë e kam kritikuar veten, më shumë duhet të isha marrë me këto studime se e shoh që është një pasioni im, zbulimi i rrënjve të moçme të fjalëve. Aty ke shume lëndë të parë, sidomos nga ai mendimi i hedhur shumë vjet më parë nga Jani Vretua, që në “Tomorr qëmoti, rrinte Herodoti, thotë vetë zoti…” .

 

 

Deri në vitet ’80 Tomorri ishte një mal poetik për mua, pastaj fillova të mendoj e të thellohem, kur nga një profesor beratas, Ikonomi, mësova se Dodona e parë pellazgjike, Dodona nënë ishte në Tomorr, kjo më ka tërhequr, se është tempulli i parë i Dodonës, para grekëve të lashtë.

 

 

Tomorri është i ngarkuar me histori, me fjalë shqipe nga më të moçmet, me bukuri, me shpirtra të ndritur, siç thosh Dritëroi para disa ditësh, që i vinë rreth e rrotull, është si një kalë i ngarkuar që ne duhet ta shkarkojmë, ta lehtësojmë,  të mësojmë prej tij, çfarë udhëtarësh kanë shkuar atje, për këto festat që bëhen çdo vit atje ku shkojnë mbi 50 mijë vetë. Mund të bësh një enciklopedi të tërë vetëm për Tomorrin. Ne duhet të mendojmë më shumë se herë herë ne themi në mënyrë metaforike baba Tomorri na ka shpëtuar, sepse ky mal, duke qenë jasht, është edhe brenda nesh.

 

 

Ne tani duhet të zbulojmë rrënjët e ekzistencës sonë, rrënjët e mbijetesës sonë. Atje, te Tomorrit është një nga arsyet pse jemi gjallë, ai shikon shumë dhe është dëshmitar i gjithësisë, siç thotë populli, ai siç mund të ketë pasuri, minerale, siç ka ato pllakat që dalin në Sirakë e shpërndahen si hajmali mirësie në të katër anët e botës. Se hajmalia është e mira, si thotë ajo kënga : “Shkoftë e mira na dëgjoftë…”.

 

 

Më vonë e kam menduar, po ç’është kjo e mira. Populli e përfytyronte të gjallë të mirën.

 

 

Kisha nja dy-tre vjet që s’kisha shkuar në Skrapar dhe një ditë, kur po kaloja te ura e Lanës, kthej kokën dhe thirra:”Ua, Tomorri”! Dajti m’u duk si Tomorri. Dhe vërtet Dajti është një Tomorr i vogël. Diku duhet ta kem hedhur këtë befasi, që malin e ka marrë malli dhe thotë: “Ç’u bë ky djalë, pse s’merr udhën të më gjejë”?

 

Nuk është studiuar Tomorri, nuk ka njeri ta mbledhë. Ti nuk pushton dot një lis, jo një Tomorr. Prandaj ai pret. Baba Tomorrit ne duhet t’ia bëjmë nderet ashtu siç ja bën një djalë  një babai që i ka dhënë jetën, që ika dhënë emër, i ka dhënë nder dhe përjetësi.

 

 

Kemi lënë shumë shtigje hapur që mund të bisedojmë edhe më vonë, për këtë radhë do ta ndërpresim këtu bisedën….

 

 

Mirë e ke, pse t’i lodhim njerëzit. Bëj shaka, por unë të kam mik, të kam shok, që kemi bërë gjithë ato punë të mira bashkë, ndaj të falënderoj.

 

 

Edhe ne, si staf i gazetës “Dielli i Tomorrit”, si shoqatë, si miq të vjetër, si skraparas të urojmë: ”Edhe 60 vjet të tjerë jetë dhe begati krijuese”!

 

 

 

Intervistuar në Kafe “Europa” (2004)