1908: Katër shkollat e para shqipe në Skrapar dhe kush i çeli ato…
Shkollat e para shqipe në Skrapar janë çelur në vitin 1908. Ato janë katër: Shkolla e Qeshibesit, me ndikimin e Teqesë së Frashërit; shkolla e Koprënckës, e Çorovodës dhe e Gostënckës.
Këto tri të fundit janë çelur nga Hasan dhe Dalip (Maçe) Koprëncka , vëllezërit më të mëdhenj të Xhelal Koprënckës, firmëtarit të Pavarësisë.
U çelën në këto vende, sepse Koprëncka ishte vendlindja e Vëllezërve Mançe dhe se aty atë vit u bë një miting i madh për gjuhën dhe shkollën shqipe;
në Gostënckë kishin dajot dhe rrinin atje pas djegjes së shtëpive në Koprënckë,
ndërsa në Çorovodë kishin toka dhe ndërtesa publike, një ndër të cilat e lëshuan për shkollë.
Ja si shkruan gazeta “Lirija e Selanikut” në nr. 32, fq 2. Selanik 7 mars 1909 për këto shkolla:
Një letër nga Skrapari na thotë se shkollat shqip që po mban mëmëdhetari ynë, zoti Hasan D. Koprencka, po venë shumë mbarë dhe lulëzojnë. Shkoll’ e Gostënckës ka 57 nxënës, nga të cilët 34 të ditës dhe 23 të natës; shkollë e Koprenckës ka 53 nxënës, dhe në atë të qytetit 43. Zoti Hasan Be jo vetëm mban shkollat me të hollat e tij, por ep edhe mësime shqip vetë”. (“Lirija”,)
Gostëncka
Ndërsa për shkollën e Qeshibesit gazeta “Lirija”, nr, 41, fq. 3-4. Selanik 25 prill 1909 shkruan:
“Miku ynë, zoti Mehmet Karafili, në Frashër, na lajmëron me një letrë të vonuar se më 25 të marsit u bë gostija për çeljen e shkollës së katër katundeve në Qeshibes. Në këtë gosti ishin më tepër se 300 vetë, gjithë të gëzuar prej asaj ngjarje të bukur. Baba Ajdini i Frashërit, që ka rrëfyer gjithnjë kaq të madhe mëshirë për të mbrothësuarit e gjuhës shqipe, kish dërguar mëkëmbës Varf Mehmet, Varfë Kamber dhe zotin Hasan Hoçen, të cilët bënë fjalë dhe lutje fort të bukura”.
Ndërtesa e shkollës së Çorovodës ka qenë mes maternitetit dhe Muzeut Historik deri në vitet 1960 e ca. Kishte tri dhoma të vogla.
Ka shërbyer si shkollë fillore deri në vitin 1949. Në këtë vit aty filloi edhe shkolla e parë 7-vjeçare e Skraparit.
Rreth viteve 1953 – 1954 shkolla 7 – vjeçare do të ndryshonte vendndodhje duke u pozicionuar afër lagjes së Xhamënëve (sot lagjja 2 Dhjetori). Nga ky viti filloi edhe dhënia e mësimit me mësues të dedikuar për klasat specifike. Në vitet 1949 – 1950 popullsia e Çorovodës ishte shumë e ulët në rreth 700 banorë.
Fotoja në kopertinë i përket viteve 1960 të shekullit të kaluar, ku, poshtë shigjetës duket shkolla e vjetër.