Bedri Lumani (Osoja), çudibërësi  i pemëve, në Kinë me Çu En Lain

Bedri Lumani (Osoja), çudibërësi  i pemëve, në Kinë me Çu En Lain

 

Dhurata me bukur shqiptare e Bedri Lumanit për Kryeministrin kinez,  “Kokërrmadhi i Beratit”, ulliri i krjuar nga vetë ai 

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Më 26 janar të vitit 1964 Bedriut iu dha rasti për një udhëtim spektakolar në Kinë. Kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu i kish bërë dhuratë homologut dhe mikut të tij të shquar kinez, Çu En Lait, 10 800 fidana ulliri, 1 500 prej tyre “Kokërrmadhi i Beratit”, që u pëlqye shumë nga kinezët.

 

 

Po ç’ishte ky “Kokërrmadhi i Beratit. Ishte një ulli që e kishte krijuar vetë Bedri Lumani, që sot zotëron plantacionete ullirit nga Berati në Kavajë. Në vitin 1948 Bedriu mori 280 kg farë nga Saranda, farë e një ulliri të egër. Mbi këtë si mbishartesë u përdor “Syziun e Beratit”, një ulli kokërr vogël, por që pas shartesës doli një varietet i ri, që sot veshin brezin e kodrave të Beratit, Lushnjës, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit dhe Fierit.

 

 

Në foto: Më 3 mars 1964, Kryeministri kinez Çu En Lai dhe përfaqëuesi shqiptar, Bedri Lumani mbollën pemën e parë të ullirit. Kjo pemë ka mbijetuar dhe sot ka mbushur Kinën. Njihet zyrtarisht në Kinë jo “Kokërrmadhi i Beratit”, por “Miqësia”.

 

 

Mbjellja e fidaneve u krye në 12 pika hyrëse në 8 provincat e rajonit në pellgun e lumit Yangtze, duke nisur zyrtarisht kultivimi i pemëve të ullirit në Kinë. Ky është gjithashtu testi më i madh i prezantimit të pylltarisë që nga themelimi i Kinës së Re.

 

 

Fidanat do t’i shoqëronte dhe do t’i mbillte atje Bedri Lumani, detyrë, që ai e mori seriozisht, pasi përfaqësonte shtetin dhe duhej të nderohej para miqve.

 

 

Qëndrimi në Kinë zgjati 48 ditë. Ata i ranë kryq e tërthor, nga veriu në jug këtij vendi të madh, duke parë klimën, tokën dhe në përgjithësi ekosistemin se ku e pranonte vendi ullirin mesdhetar shqiptar.

 

 

Krahas kësaj, si një delegacion i posaçëm, dërgatë me dhurata e kryeministrit shqiptar, kinezët i pritën mirë, duke u krijuar një agjendë gati turistike. Ata me këtë rast vizituan edhe qendra të mëdha si: Pekini, Shangai, Nankini, Junani, Kunmini etj. U njohën me monumente të lashtësisë kineze: pallatet e perandorëve, Murin e Madh, kopshtet botanike, parqet pyjore etj.

 

 

Me Çu En Lain

 

 

Më 2 mars 1964, në Kunmin, në hotelin ku bujtnin, në sallën e pritjes u takuan me Çu En Lain. Natyrisht Bedriu, që ishte një nga kryesorët e delegacionit, e ndjeu veten të emocionuar dhe të  nderuar që një punëtor i thjeshtë, siç e quante veten ai, të qëndronte kaq gjatë dhe kaq shumë me një burrë shteti si Çu En Lai.

 

 

Por edhe kryeministri kinez ishte mirinformuar për njeriun që kishte përballë, i kishin thënë se kishte të bënte me një hero popullor, inteligjent nga natyra, me një njeri që e kishte ngritur dhe e kishte sjellë deri atje puna.

 

 

Ndaj dhe për ta çliruar nga emocionet e dukshme, kryeministri kinez u tregua shumë diplomat dhe popullor, me një ton miqësor e gati familjar ai i pyeti për shëndetin, për kuzhinën kineze, u interesua për ullirin, nëse mund të zihej në klimën dhe tokën kineze.

 

 

Propozoi të shkonin bashkërisht dhe të mbillnin disa rrënjë ullinj. Dhe kështu u bë, në një bllok të ri mbollën simbolikisht bashkë dy rrënjë ullinj. Veprimtaria u filmua dhe u fotografua nga fotoreporterët e shumtë. Çu En Lai më pas dha një darkë.

 

 

Kjo qe edhe më e ngrohtë se gjithë veprimtaria ditore. Ai u mbushi miqve gotat me “sake” me një pije të fortë si rakia, bëri dolli e shëndete.

 

 

Më pas ai foli për mënyrën e jetesës dhe të ushqimit kinez dhe iu dha shkopinj e i mësoi se si përdoreshin për të ngrënë. Në Kinë, me interesimin e vetë Çu En Lait, me dekret të veçantë, Bedriu u dekorua me medaljen e Miqësisë Shqiptaro-Kineze.

 

 

 

Kush ishte Bedri Lumani (Osoja)

 

U lind në fshatin Osojë të Skraparit, më 1905.  Nga 10 deri 17 vjeç ai punonte sa për të mbajtur veten gjallë. Mësoi të shkruajë ë të lexojë nga Fejzo Caka, një i afërmi i tij, që u kthye nga kurbeti, nga Stambolli me një barrë me libra, në vend të pasurisë. Në moshën 17-vjeçare e merr me vete xhaxhai i tij, Asllani në myrdyrllëkun e Luarasit të Kolonjës. Aty vazhdoi, krahas punës, dy vjet shkollë. Më pas zyrat u mbyllën dhe u detyrua të punojë bari në Voskop të Korçës.

 

Më vonë, në moshën e burrërisë, i plotësoi dituritë me një kurs njëvjeçar në Lushnjë (1929) dhe në shkollën e mesme bujqësore “Ylli i Kuq” në Malin e Robit, Kavajë, në një kurs njëvjeçar (1956-1957). Kjo ishte “shkolla” e Bedriut. Por shkolla e madhe për të, në vitet që erdhën, ishte shkolla e jetës, një shkollë çudibërëse, një libër i hapur, që ai diti ta “lexojë”.

Bedri Lumani është themeluesi i ndërmarrjes shtetërore Otllakë, Berat, një ndërmarrje dru frutorësh që krijoi plantacionet e fiqve në Uznovë të Beratit dhe shpërnadau fidana pemësh në të gjithë Shqipërinë.

 

Ai ishte një “shkollë” më vete, ku vinin të gjithë profesorët e Universitetit të Kamzës për të marrë përvojë dhe për të konkretizuar leksionet e tyre. Ata vetë e quanin Bedriun, profesor mbi profesorët.