Në Tepelenë, aty ku tregtohen ëndrrat!…
Mihal Gjergji
Janë orët e vona të mbrëmjes. Nga ballkoni i një ndërtese dykatshe rrëzë Pallçies, vështroj dritat e rralluara si qirinjtë e përshpirtjes në altarin e kishës.
I zhytur në muzgun e përgjakur Tepelena ngjason me një qytet fantazmë. Dikur i lulëzuar dhe plotë gjallëri, gjersa përfundoi i rrafshuar nga përdhuna e barbarëve në luftrat iliro-romake. Polibi na sjell në kujtesë bëmat dhe gjëmat e Mbretëreshës Teuta të Ilirisë e cila u tradhtua nga Dhimitër Fari.
Fuqizimi i Mbretërisë Ilire alarmoi qytetet-shtete të Greqisë dhe Republikën e Romës, e cila dëshironte sundimin e ujrave të Adriatikut. Roma filloi luftën kundër Mbretërise Ilire.
Ishte vjeshta e vitit 229 para erës së re. Gjithçka ndryshoi, u shndrrua në gërmadhë, edhe emëri i qytetit për të cilin po flasim. Fanota e dikurshme u varros tok me historinë që kishte krijuar. Kanë kaluar më shumë se dymijëvjeçarë dhe po kaq shumë breza njerëzorë.
Natyra ka mbetur thuajse e njejtë; po ato male hijerënda, me shkëmbinjtë që presin zjarrin e vetëtimave dhe vishen nga drita e hënës si me një cohë të kadifejtë. Është po ai lumë i rrëmbyer që rrjedh nën këmbët e qytetit dhe këndon të njëjtën këngë trishtuese, për njerëzit dhe gjakun e derdhur.
Askush nuk e di numurin e banorëve të Jugut që përfunduan si skllevër nën heshtat e legjioneve romake. Po ju hoqi udha, bëjuni kurreshtarë dhe ndaloni disa çaste. Mos prisni të ndodhë mrekullia. Askush s’të flet me mirëdashje dhe fjalë të peshuara. Të gjithë qendrojnë serbes dhe me këpucë të lidhura, gati për rrugë. Dhe të gjithë janë kalorës që s’i hapin udhë njëri-tjetrit.
Është një traditë shekullore që të imponon detyrimin për ta ndjekur verbërisht. As Tafil Buzi s’guxonte të shkelte sinoret e Çelo Picarit, megjithse ishin bashkëluftëtarë. Fillimisht dërgonte lajmësit e tij të besuar; “Të më lërojë Dervenë/ Se do shkoj të djeg Morenë”.
Rrebelimi është gdhendur në fytyrat e këtyre banorëve me daltën e erës, ndërsa britmat e kaçakëve u kanë mprehur dëgjimin. E keqja mund të ndodhë atëherë kur s’e pret dhe s’dihet se nga mund të vijë. Andaj vështrimi i tyre kërkon lartësitë që ata s’mund t’i shkelin. Por guxojnë. Varfërinë e fshehin me kujdes nën gunat e murme, mjafton që krenaria të mos u cënohet, sepse s’mund të jetojnë kryeulur.
Gjithsesi, nuk mallkohet as mjerimi dhe as udhëtari. Të gjithë njerëzit ëndërrojnë, por jo si këtu. Burrat kanë emëra shenjtorësh, malesh dhe simbolesh, ndërsa vajzat dhe gratë kanë emëra lulesh dhe pemësh, lumenjsh dhe shtojzovallesh. Burrat ëndërrojnë të bëhen vezirë, si Aliu, ndërsa gratë ngulmojnë të ringjallin Vasiliqinë. Ëndrra vërtet të çuditshme për tu besuar, por ja që kështu ndodh, madje ato tregtohen në kafenetë e qytetit, në rrugë dhe në zyra.
Ndoshta është i vetmi qytet i Ballkanit ku tregtohen ëndrra të zgjedhura. “Malsorët mblidhen në kafen e Milotit dhe gjykojnë punët e Inglizit”- kështu thoshte Gjergj Fishta. Edhe në Tepelenë kështu ndodh. S’mund të mendohet jeta pa politikën, dhe s’ka temjan që ta largojë djallin që është futur mes nesh. Edhe krushqitë bëhen allasoj, si kudo. Djali i një “socialisti” (24 karat komunist) s’mund të martohet me një vajzë me bindje të tjera. (Ali Pasha nxori nga harremi, Hajdhon, të bijën e Duka Nikës nga Karjani dhe e martoi me hyzmeqarin e tij labovit, Miksi Aleksiu.)
Në fund të fundit, banorët kanë me se të mburren. Kryezotin e tyre të gjithë e dëshirojnë, e kam fjalën për djalin e Hanko zonjës, “gjëmimin që gjëmon”, zotin e Epirit, Thesalisë dhe një pjesë të vendeve bashkangjitur. I afruan një varr, pastaj një të dytë, sepse deshën ti rrëmbenin lavdinë, por s’mundën, as turqit, as grekët.
Provoni të shkoni te kalaja, kërkoni me sy ndonjë leshrabardhë dhe ngushullojeni për vezirin e ndritur. Dua të besoj se do t’iu mirëkuptojnë. Sikur ta gjente kryetari i Bashkisë thesarin e Aliut të fshehur në një pus të thellë afër sarajeve, me siguri do ndërtonte ndonjë shkollë të re, kopësht a çerdhe, për fëmijët që kanë mbetur në këtë qytet tashmë të rralluar nga banorët.
A do mundemi vallë t’i mbrojmë fëmijët tanë, së pari nga shteti dhe propaganda helmuese (pseudointelektualë, studio televizive, portale, Tik-tok, Istagram, Big Brother e të tjera sëmundje të huazuara nga Evropa që e dëshirojmë aq shumë)? Sikur të mundnim që fëmijëve tanë t’ua jepnim dinjitetin si pajë qysh në lindje!
Aliun e shenjtëruan adhuruesit e tij të shumtë, e shpallën Krisht. Dhe presin ringjalljen. A thua të ndodhë? Historia përsëritet, por me të tjera personazhe.
Sa shumë të tjerë janë përpjekur të ngjiten me thonj e me dhëmbë dhe janë rrëzuar afër majës, sepse s’i kishte pjellë Hankua. Aliu humbi gjithçka; thesarin, djemtë, Vasiliqinë e bukur, por jo historinë që e gdhendi me tehun e shpatës, as emërin dhe zulmën që trondit edhe sot sundimtarët e gjallë. “
Aliu humbi dhe Eminenë, gruan e tij të parë, engjëllin mbrojtës, në një prej atyre netëve të errëta të vitit 1803. Ajo guxoi ti fliste për Sulin, të ndalonte luftën. Veziri i frikshëm u egërsua, nxori pistoletën dhe qëlloi drejt saj. Plumbi nuk e kapi, por ra përdhe e llahtarisur. Aliu u trondit.” Emineja vdiq po atë natë, në kulmin e pikëllimit.
Bija e Kapllan Pashës, nëna e Myftarit dhe Veliut, pati një fund tragjik. Askush s’u kujtua të fliste për zemërgjerësinë dhe virtytet e saj.
Edhe sot, në Tepelenë rrallë dëgjon të flitet për gratë, megjithse meritojnë shumë. Flitet vetëm për “guximtarët” dhe “të fortët” (mos e harroni ’97-ën); hajdutë të shndrruar në biznesmenë, pushtetarë të majmur nga djersa dhe gjaku i këtij populli, banditë të lëvduar dhe trafikantë, pikërisht për këta flitet.
Në kohën e pashallëqeve, Tepelena kollitej kur ndodhte të sëmurej Janina, ndërsa sot, për çdo qeder të “Naltmadhënisë”, Tepelenës i shtohet një thinjë.
Më pëlqen ky qytet, edhe pse i mbushur me legjenda dramatike të papërshkrueshme.
Tepelenë, Janar 2024