Naim Frashëri dhe Fan Noli për Dobrenjin

Naim Frashëri dhe Fan Noli për Dobrenjin

 

Dobrenji është fshati i fundit i Tomorricës së Skraparit, pasi Tomorrica vazhdon edhe me fshatra të tjerë në zonën e rrethit të Gramshit.

 

 

Pozicioni gjeografik dhe strategjik i Dobenjit, në mesin e udhës së karvaneve, degë e Egnatias, Berat – Voskopojë, e kanë bërë atë dhe Konakun pak më tej, për shekuj me radhë një qendër çlodhëse me hane e bujtina. Dobrenji dhe Konaku ishin njëlloj larg si nga Berati , ashtu edhe nga ana tjetër e Voskopojës.

 

Dobrenji

Duke qenë në mes dhe në kryqëzim rrugësh karvanesh, emri i Dobrenjit përmendet shpesh në shënimet e udhëtarëve të ndryshëm mesjetarë dhe më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur rruga ishte e punueshme dhe e përdorshme edhe nga ushtritë e huja, Franceze, Italiane dhe Austriake.

 

 

Shtëpi fisnikësh në Dobrenj, fotografuar nga një ushtar italian në vitin 1941, në kohën e Luftës Italo – Greke

 

 

Në këtë shkrim nuk do të flasim më tej për udhën, por për dy figura që e kanë përmendur Dobrenjih në shënimet e tyre.

 

I pari është Naim Frashëri dhe i dyti, Fan Noli.

 

 

Që në vitet 1978 kam dëgjuar nga i moshuari Zeqir Osmani nga Dobrenji, se Bjlerët e Frashërit kishin miqësi me bejlerët e Dobrenjit. E kishte dëgjuar këtë nga pleqtë më të vjetër para tij. Ata miqësinë e bënin me njerëz të sërës së tyre, nuk merrnin dhe nuk jepnin në Tomorricë, pasi i quanin “bujq kërcikuq”, i donin nga dyer të mëdha, thoshte Xha Zeqiri.

 

 

Mbaj mend, vazhdonte Xha Zeqiri, se krushqitë dhe miqësitë e tyre ishin të largët, nga Fusha e Korçës, Opari, Potomi dhe siç të thashë, edhe nga Frashëri.

 

 

Ndërsa më fliste për këtë, mua mu kujtua në atë kohë vjersha e “Dallandyshes” te libri “Lulet e Verës” të Naim Frashërit, ku shkruan:

“A mos vjen prej Çamërie,/ prej Skrapari, prej Dobreje”…

 

 

Ndoshta, jo pa qëllim dhe jo për rimë, Naimi ka përmendur Dobrenjin. Me siguri muza poetike i ka sjellë me njëherë në mend këtë fshat, se ai aty, te bejlerët e Dobrenjit kishte njerëz të gjakut të tij të martuar, “hallë ose kushërirë”, thoshte i sigurt Xha Zeqiri, rahmet pastë!…

 

 

Se sa e vërtetë është kjo, nuk e dimë, por të thënat dhe hamëndësimet të çojnë edhe në këtë konkluzion.

 

 

Ndërsa për Fan Nolin është shkruar e zeza mbi të bardhë në serinë e botimeve e historike të Parlamentit shqiptar fakti, që në vitin 1923 Fan Noli kalon një natë në Dobrenj.

 

 

Në një debat që bën në Parlamentin e asaj kohe, ai thotë:

 

Sa për Shqipërinë e këtushme, kam parë rasën të udhëtoj nga Dobreja në Voskopojë, 25 orë me kalë dhe kudo kam parë katunde të prishura…

 

Pasi jep një panoramë tepër të dhimbshme të mjerimit që pa në këto anë, ai shton se…

 

…Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk është kursyer aspak”. (Z.H)