Rruga Berat – Çorovodë: 100 vjet histori, 100 vjet inate dhe mllefe politike nga të gjitha qeveritë

Rruga Berat – Çorovodë: 100 vjet histori, 100 vjet inate dhe mllefe politike nga të gjitha qeveritë

 

 Rruga e Skraparit ka filluar së ndërtuari në vitin 1923 dhe është përuruar në maj të vitit 1948, pra për një periudhë prej 25 vjetësh. Ajo ka qenë një ëndërr e vjetër e të gjithë popullit të Skraparit.

 

 

Punimet filluan në vitin 1923, 101 vjet më parë nga qeveria e kohës. Qeveria e Zogut që erdhi më pas për 16 vjet ndërtoi vetëm 5 km rrugë me kalldrëm, fundi së cilës ishte ura e Çesmës së Thatë.

 

 

Pas okupimit fashist italian të vendit tonë, Italia për interesat e saj ushtarake në luftën që nisi me Greqinë, shpejtoi të ndërtonte rrugën. Ajo ndërtoi 12 km, deri në Vërtop dhe e la.

 

 

Pas çlirimit të vendit në kuadrin e aksioneve vullnetare për eliminimin e pasojave të Luftës, por edhe të ndërtimit të shtëtit të ri të dalë pas luftës, filloi puna ndërtimin e pjesëstjetër të rrugës të lënë në Vërtop.

 

 

Komandanti i shtabit të aksionit për ndërtimin e rrugës u caktua Riza Kuçi, një nga luftëtarët e shquar të LANÇ-it, që e kreu para afatit detyrën, duke dorëzuar rrugën deri në kilometrin 38, që në fund të vitit 1947.

 

 

 

Më 1 maj 1948 u inaugurua dhe u quajt e mbaruar deri në Kakrukë.

 

 

Pjesa tjetër e mbetur, prej 12 km, nga Kakruka në Çorovodë, u ndërtua kryesisht nga Brigada e Xhenjos së Ushtrisë.

 

 

Nga fundi i viteve 1960, sido që e ngushtë dhe pa parametrat e duhura, ajo u asfaltua. Kështu e zuri “demokracia”, jo vetëm rrugë pa parametra, por tashmë edhe të degraduar, pasi kishin kaluar gati 40 vjet nga asfaltimi i parë.

 

 

Pas vitit 1997, rindërtimin e rrugës me parametra të rinj, devijime të gjurmës, zgjerim, kanalizime dhe mure mbajtës, tenderin me një shumë jashtëzakonisht të madhe parash për kohën, e “fitoi” Koço Kokdhima, një biznezmen që veç pazareve e mashtrimeve, nuk ka bërë gjë tjetër në këtë vend.

 

 

Kështu bëri edhe për rrugën Berat – Çorovodë: i hodhi një cipë asfalt përsipër sa për ta zbukuruar, preu ca ferra anash, futi lekët në xhep dhe iku. Askush nuk e kontrolloi, askush nuk i tha një fjalë për atë që bëri.

 

 

Sa filloi rruga filluan edhe minierat e gurit të Dëvririt dhe të Tomorrit, me qindra makina me tonazh të rëndë, jo vetëm hoqën cipën e asfaltit dhe nxorën kalldrëmin e 1945-ës, por rruga u bë e pakalueshme. Çdo vit riparohej ndonjë copë sa për të thënë.

 

 

Shpresa e fundit që të vihej dorë në të ishte Buxheti i Shtetit për vitin 2024. Por qeveria, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të popullit të Skraparit, as që e vuri ujët në zjarr.

 

Si duket, rruga e Skraparit, megjithëse kalon nën Abas Ali, është mallkuar që në fillim të saj dhe ata që e kanë patur në dorë, kanë lozur me ndjenjat e njerëzve.

 

 

Zogu si Zogu, dihet;

 

Enver Hoxha, si “Kryeqytet të Luftës” që e kishte Skraparin, e la të izoluar pa rrugë në të gjitha anët për të mos i vajtur “armiku”.

 

 

…ndërsa këta të tjerët, të “Demokracisë”…

 

 

 

I pari, e kishte inat se Skraparin se ishte i kuq dhe do ta “rrethonte me tela me gjëmba”!…

 

 

I dyti, i pëlqente rakinë që…bëhej edhe pa rrugë!…

 

 

 I treti, jo pa rrugë, por nëse kishte mundësi edhe pa bukë ta linte, e linte, sepse kështu i merrte jo vetëm votën, por edhe frymën, siç ia mori…

 

 

I katërti, ky i fundit, nxjerr inatet e të tretit…dhe thotë, jo 100, por 1000 vjet të kalojnë nuk u bëj rrugën. Kur s’ua bëri i tyre, pse t’ua bëj unë!?…

 

 

Domethënë, Shqipëri hesapi!…Një fshat i madh, thashethemesh, mllefesh dhe inatesh!

 

 

Dhe Skrapari pret sa të dalin inatet!…