Lamtumirë Shqipe Sollaku!

Lamtumirë Shqipe Sollaku!

 

Me hidhërim të thellë familja Sollaku njofton ndarjen nga jeta të nënës së tyre, Shqiponja Sollakut, një grua e fortë, e zonja, e njohur në të gjithë Skraparin dhe Beratin për jetën e saj të trazuar, që ia diktuan rrethanat, me fëmijë jetim, por që ajo ia doli më së miri, që, në mungesë të të shoqit, të rrisë dhe edukojë  tre fëmijët e saj, të cilët kanë krijuar familjet e tyre të lumtura.

 

 

Shqiponja Sollaku lindi në Berat, një një familje të njohur me origjinë nga Vëndresha e Skraparit. Ajo ishte e bija e Riza Kuçit, një luftëtar i vjetër dhe i sprovuar i disa periudhave historike, por edhe një kuadër i aftë dhe i zoti në postet drejtuese që iu caktuan mbas çlirimit.

 

 

Në vitet 1970 Shqiponja martohet me inxhinierin pyjor, njëkohësisht drejtor i Ndërmarrjes Pyjore të Skraparit, Eqerem Sollaku, nga Gramshi, një bashkëjetesë që në Vitin e Ri 1974 u ndërpre në mes.

 

 

Eqeremi vritet në gjueti dhe ngjarja u fshesh si aksidentale, por që në fakt, siç u zbulua më vonë, e vrau shoku. Ngjarja bëri shumë bujë, aq sa edhe u përjetësua edhe në një film të Kinostudios “Shqipëria e Re”, me titull “Vrasje në gjueti”.

 

 

Për më shumë se 20 vjet, Shqipja punoi  si daktilografiste e gazetës lokale “Jehona e Skraparit”. Për gazetarët e kësaj gazete, siç është edhe shkruesi i këtyre radhëve, Shqipja ishte redaktorja dhe korrektorja e parë që rregullonte shkrimet dhe ndreqte gabimet e tyre.

 

 

Ishte kjo një nga arsyet që kolegët e donin dhe e respektonin shumë, por ishte e dhe arsyea tjetër, që Shqipja ishte “shpirti i repartit” në gazetë, me shakatë  e lezetshme dhe humorin e saj brilant.

 

 

Lamtumirë Shqipe, lamtumirë trimëreshë!

Ne miqve dhe kolegëve të dikurshëm të gazetës do të na mungosh shumë!

 

Zylyftar Hoxha