Rrëfim i kolonelit të ndjerë, Hysni Daja: Ja misioni im special, për të sjellë pas 31 vjetësh eshtrat e 300 partizanëve shqiptarë të vrarë në Ish – Jugosllavi
Siç dihet nga historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, forcat partizane shqiptare, edhe pas çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor 1944, vazhduan në ndjekje të armikut edhe jashtë kufijve, në ish – Jugosllavi. Në përpjekje me armilkun në në tokat e Malit të Zi, Bosnjë Hrcegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë ranë dëshmorë 300 dëshmorë të formacioneve partizane shqiptare.
Ata u varrosën atje ku dhe ranë në luftime. Mbas prishjes dhe mbylljes së kufiëve me ish – Jugosllavinë nuk ishte e mundur edhe nderimi i tyre, një gjë e rëndë edhe për familjarët.
Në vitin 1975, 30 vjet më pas, u bë një marrëveshje midis qeverisë Jugosllave dhe asaj shqiptare për zhvarrosjen dhe marrjen e eshtrave të 300 dëshmorëve dhe për t’i varrosur ata në shtetin amë.
Në këtë misioni special në ish -Jugosllavi si u caktua ish–ushtarak i lartë me gradën e kolonelit, Hysni Daja. Hysniu ishte me origjinë nga Sevrani i Skraparit. Kidhte qenë partizan i Brigadës së VII-të Sulmuese të formuar në fshatin Vlushë të Skraparit në vitin 1943, si dhe ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik.
Në kujtimet e Hysni Dajës, autor i disa librave me kujtime nga Lufta Nacionalçlirimtare, të lëna me shkrim për këtë ngjarje në një libër të veçantë, jepet e gjithë kronika e atyre ditëve në vendin fqinj për gjetjen, identifikimin dhe më pas zhvarrosjen e partizanëve të vrarë.
Ja e si shkruan, ndër të tjera Hysniu, në kujtimet e tij:
“Numri i partizanëve shqiptarë të vrarë në Jugosllavi nga dhjetori i vitit 1944 e deri në 14 shkurtin e vitit 1945, ditë në të cilën u çlirua qyteti i Vishegradit, llogaritej në rreth 700 veta. Kjo shifër ishte për të dy divizionet tona, të V-të dhe të VI-të, të cilët nën komandën e Gjin Markut dhe Rrahman Parllakut, luftuan atje në ndjekje të forcave gjermane që tërhiqeshin drejt Berlinit.
Pjesa më e madhe e atyre 700 partizanëve të vrarë në Jugosllavi kishin rënë në luftimet kundër gjermanëve dhe vetëm pak prej tyre kishin vdekur nga sëmundjet e ndryshme, sidomos tifoja e morrit.
Rreth 380 trupa të partizanëve shqiptarë që ishin vrarë në territoret e Jugosllavisë ishin marrë që në vitin 1946 dhe isin varrosur me ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë dhe në rrethet e tjera nga ishin ata.
Pas vitit 1946, kërkimet nuk vazhduan më dhe, ndonëse shteti ynë ishte i interesuar për gjetjen e trupave të tjerë që kishin mbetur atje, ajo gjë u vështirësua së tepërmi prej prishjes së marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë.
Por edhe pas vitit 1949, me sa di unë, nga ana e shtetit tonë ka pasur kërkesa të vazhdueshme, por pala jugosllave nuk u tregua më e gatshme, ashtu si në vitin 1946, duke nxjerrë pretendime të ndryshme. Thoshin se nuk kishte më trupa të partizanëve shqiptarë në tokat e tyre dhe ata që kishin qenë, gjoja ne i kishim gjetur dhe i kishim marrë të gjithë që në 1946-ën.
Në vitin 1975 shteti jugosllav ra dakord dhe u tregua i gatshëm që qeveria shqiptare të dërgonte një komision të posaçëm në Beograd. Në krye të një komisioni prej 15 vetash, isha unë. Bashkë me mua në përbërje të atij komisioni ishin edhe Maman Saliu, Zagoll Skëndo, Rakip Peza, Shaban Rexha etj., të cilët kishin qenë partizanë dhe kuadro të lartë ushtarakë me përgjegjësi që gjatë Luftës e më pas.
Ndërsa gjysma e komisionit përbëhej nga këta ish-partizanë e kuadro ushtarakë të njohur, pjesa tjetër ishin të Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Komunales.
Mua më propozoi anëtari i Byrosë Politike, shoku Adil Çarçani, i cili më njihte mirë që nga koha e Luftës, pasi ai kishte qenë zv/komisar i Brigadës së Shtatë. Po kështu, në të njëjtën kohë, propozimi për të qenë unë në atë komision ishte bërë edhe nga gjenerali i njohur, Ndreko Rino, ish-komandant i Brigadës së Parë.
Këta të dy ishin ata që më propozuan mua për në atë komision dhe arsyeja kryesore se përse duhej të isha pikërisht unë atje, ishte fare e thjeshtë. Unë isha një nga ata ish-partizanë që kisha mbajtur ditarë e shënime që gjatë luftës dhe më pas kisha shkruar shumë artikuj të ndryshëm në revista e gazeta, si dhe libra me kujtime e analiza shkencore nga historia e luftës partizane.
Para se të niseshim patëm takime me familjarët e të rënëve. Ne i mbanim shënime dhe u premtonim se do të bënim të pamundurën për gjetjen e tyre.
Më 9 shtator të vitit 1975 delegacioni ynë u nis me avion për në Jugosllavi dhe në Beograd na pritën përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, të cilët ishin të ngarkuar me punë për çështjet shqiptare.
Pas një qëndrimi prej katër-pesë ditësh në Beograd, ne u shpërndamë nëpër republika të ndryshme të Jugosllavisë, duke u ndarë në disa grupe të vogla prej dy-tre vetash.
Kërkimet do të bëheshin në Bosnjë, në Malin e Zi, në Kosovë, në Serbi dhe në Maqedoni. Në të gjitha këto republika apo krahina autonome ne kishim lënë të vrarë apo të vdekur gjatë Luftës. Unë u caktova për të shkuar në Bosnjë, pasi aty ishte detyra më e vështirë. Kjo për arsyen se Sarajeva thoshte se aty nuk kishte më varre të ish-partizanëve shqiptarë.
Banorët vendas na pritën shumë mirë kudo ku shkuam dhe ata na thoshin se ishin shumë mirënjohës për luftën që kishim bërë ne atje. Misioni ynë vazhdoi për 90 ditë.
Pasi u gjetën eshtrat e tyre dhe u futën nëpër arkivole, ato u dërguan në Shtëpinë Qendrore të Armatës Jugosllave në qytetin e Podgoricës, e cila ishte caktuar për grumbullimin e eshtrave që do të gjendeshin në Bosnjë dhe Mal të Zi. Edhe pse ne i gjetëm eshtrat e rreth 300 shokëve tanë të rënë dëshmorë në Jugosllavi, nuk patëm fatin të ishim të pranishëm në ceremoninë e kthimit të tyre në Shqipëri, pasi nga Tirana na njoftuan të ktheheshim urgjent në Rinas.
Ky kthym qe ndoshta ngaqë menduan se ne u familjarizuam shumë me jugosllavët që na shoqëronin kudo. Nuk di çfarë të them më shumë, por jam i bindur se ne na kthyen pas informatave dashakeqe që sillte këtu Sigurimi i Shtetit, njerëzit e të cilit ishin atashuar në misionin tonë.
Arkivolet me eshtrat e 300 partizanëve erdhën në Shqipëri në dhjetor të vitit 1975 dhe ato u sollën nga një komision tjetër, i cili shkoi në Jugosllavi pas kthimit tonë urgjent në Tiranë.
Ardhja e tyre u shoqërua me një ceremoni madhështore në sheshin “Skënderbej”, ku 300 arkivolet ishin vendosur në shkallët para Pallatit të Kulturës dhe ku mori pjesë e gjithë Byroja Politike. Pas kësaj ata u përcollën për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë apo dhe në rrethe të tjera” – përfundon shënimet ish-koloneli Hysni Daja.