Ne, të paslistës, si Lipe Shtogu!…
Sefedin Çela
Kurrë nuk më ka ndodhur t’i them vetes “ç’ më duhet mua se ç’bëhet me mua”, apo të mos çaj kokën për dikë në krah. Kur zgjat dorën për tjetrin e të zgjatin dorën, edhe kur je vetëm nuk ndihesh vetëm.
Këto javët e fundit sikur nuk po merrem vesh mirë me këmbët e mia, nuk para më binden. Ecij e duket sikur kërcej pupthi në vend, dy hapa i bëj sa për një. Në njësinë e barabartë të kohës në aplikacionin përkatës në celular vrej se bëj dy herë më pak hapa. Kulmi është se në vend të sinjalit të kuq, më vjen të qesh.
Erdhi në fundtetori djali e në fillimnëntori vajza e nuk e bëra veten, mbylla sqepin e nuk u thashë asgjë. Fundja, sa t’i bëja merak kot, nuk kam dhimbje e nuk më shtyn askush të vrapoj.
Si e shijova kohën me djalin e vajzën, thashë duhet të shoh ç’dreqin kam e ç’ dreqin duhet të bëj për këmbët e mia. Lexova diku se një neurokirurg shqiptar, me emër e përgjegjësi në një spital të Madridit, dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji bënte vizita e operacione te Hygea. Madje një grua të moshuar, me patologji e simptoma tërësisht të ngjashme me të miat, pas operacionit e kish bërë të fluturont! Jo fare kështu, por e kishte rikthyer në ecjen normale, si “na ishte njëherë”.
Kaq do njeriu, caktova një orar vizite online, mbusha një zarf të madh me cd skanerash, rezonacash e me fletëanalizash të bëra më parë, kështu që, meqë ma mbante xhepi, mora taksinë e në 22 nëntor, që në pikë të mëngjesit, mbajta frymën në spital.
Doktori i konsultoi gjithë ç’ kisha bërë, më qetësoi për shumëçka e në fund tha: meqë ngërçi në ecje të është shtuar këto javë duhet një rezonancë e re e kolonës! Javën e fundit të dhjetorit e konsultojmë e vendosim për më tej!
Gati sa nuk e përqafova, po në çast i thirra mendjes, u kujtova se një muaj kohë ishte në favorin tim, se xhepi im ishte tepër modest për tarifën e rezonancës te Hygea, u kujtova se kisha librezë shëndetësore, se kisha ligjet e shtetin në krahun tim, njësoj i ngjashëm me sihallset e sihallsat e mij, mund ta bëja rezonancën falas!
Hëm, e lirë kripa në Durrës, por e ha qeraja rrugës! Nuk ua kemi vënë veshin proverbave, sikur populli paska qënë i ngeshëm e i ka thënë kot!
Këtu fillon odisea ime, besoj e ngjashme si dy pika ujë me sihallsat e mij!
I telefonova mjekes së familjes, i thashë a mundej t’i nisja recetë – rekomandimin e mjekut me celular, të merrja kështu një orar vizite te specialisti përkatës për atë rezonancën e famshme falas, të kurseja kështu dhe këmbët e mia që s’para më dëgjonin.
Më duhet të shtoj se në ambulancën shëndetësore të lagjes nuk ka specalist ortoped, neurolog e remautolog, këto vizita planifikohen nga mjeku i lagjes në koordinim e bëhen në Poliklinikën Qëndrore.
Mjekja më tha se duhet të paraqitesha fizikisht, se atë pusullen me orë e datë te specialisti duhet ta merrja me copë letër e jo virtualisht!
Në datën 23 të këtij muaji u hipa këmbëve të më çonin te ambulanca e lagjes.
Vizitën te specalisti në Poliklinikë nuk mund ta bëja brenda ditës, se oraret ishin të zëna! Kështuqë në datën 25 u hipa përsëri këmbëve dhe mbajta frymën te ortopedja e Poliklinikës Qëndrore, sërish që në pikë të mëngjesit, me atë zarfin e madh me cd rezonacash e skanerash, fletë analizash, dagnozash e recetash mjekimi me vete.
Brenda 60 sekondash mjekja e njohu gjendjen time, tha “dakord, ke nevojë për rezonacë të kolonës, ta planifikojmë?”
Edhe ortopeden sa nuk e përqafova, po nuk mu bindën këmbët e mendja më bëri të pyes: a mundem sot?
Asaj si duket i ngjasova me alien, i ardhur nga botë tjetër.
Nuk e bëri veten, qetësisht tha: “Për në muajin mars, ta planifikoj?”
– Dmth, për vitin që vjen, pas katër muajsh . Ma jep me shkrim se do të jem deri në mars? – i thashë unë, duke u bërë cinik me veten.
– Jo, – tha ajo, – nuk e bëj dot!
Kësaj radhe krejt e pasigurtë në përgjigjen e saj ishte a jo e duhura.
E refuzova atë palorekomandim e dola si rruar qethur.
Kam dy ditë që vras mendjen si të dal nga ky kurth ku desha të futem. Më thotë një mendje “merr urgjencën, alooo, 127, kam pësuar hemoragji, jam zënë ulok, nuk lëviz dot, jam fare vetëm, nuk di ç’kam, ndihmëëë!”
Si të kisha Kovidin. Për dhjetë minuta të vjen ambulanca, barrela, zgjasin kokën fqinjët, pastaj drejt e te urgjenca e Nënë Terezës. Pas një ekzaminimi të shpejtë, – rezonanca!
Ç’është e vërteta, nuk është se do të sajoja të pangjara, kam nevojë për një ekzaminim emergjence, po nuk më pëlqen fare kjo zgjidhje. Nuk zgjedh dot të dal kështu nga kurthi.
Gjithë këtë histori të gjatë e torra për të marrë me të mirë mendjen e këmbët me disa shqetësime të një natyre tjetër, që këto ditë sidomos më rokanisin kokën: mos shoqëria jonë është ftohur, është bërë reumatike, mos ka si unë probleme në kolonë?
Pandjeshmëria ndaj problemeve të tjetrit, të fqinjit, të pensionistit, të kujtdo që është në nevojë, moskokëçarja deri dhe për prindërit, është një nga shfaqjet më të dhimbshme të kësaj sëmundjeje të re gati endemike. Më e rëndë bëhet kur pandjeshmëria prek shërbimet jetike ndaj popullatës, shërbimet ndaj qytetarëve, në shëndetësi, transport publik apo në zyra të shtetit.
U lodhën njerëzia duke pritur, duke besuar. Në tridhjetë e ca vjet mosha e katërt, brezi im, ka provuar në pushtet tërë ylberin, në harkun e plotë nga e majta në të djathtë e anasjelltas.
U janë rritur pagat të punësuarve në shtet. Përkushtimi i tyre për të shërbyer nuk është rritur. I ka mpirë interesi egoist personal. Thuajse të tërë të shohin nga duart.
Pikë e zezë! Shpirtra të vdekur! Çiçikovë gogolianë. Moshës së katërt, që nuk kanë ç’tu shohin nga duart, nuk ua varin fare, nuk u shërbejnë. Pensionet e tyre thesht “indeksohen”, nuk rriten. Duket sikur u thonë: e çfarë prodhoni ju? Rrini tërë ditën, vetëm hani e grindeni. Mbylleni sqepin!
Në e-Albania kryhen mijëra shërbime online, askujt nuk i ka shkuar në mend të shpëtojë pensionistët nga ecejaket fizike dy herë në vit në banka për ato palo deklarata gjallese, pa të cilat nuk marrin dot palopensionet. Të gjitha të dhënat janë në sistem, në zyrat e gjëndjes civile, – po vdiqe çrregistrohesh, ndryshe nuk të varrosin, sigurimet shoqërore kanë në sistem emrat e masën e pensionit për çdo individ të siguruar, bankat kanë llogaritë e secilit. Çfarë akti, udhëzimi a urdhëri duhet për këto palë, që ky shërbim të bëhet online? Nuk kërkon para në buxhet.
Është pandjeshmëria, që, edhe nëpunësit e shtetit, edhe nëpunësit e bankave private, shpirtvdekur njësoj, i vënë pleq e plaka të presin në radhë, dy herë në vit, të dëshmojnë se janë gjallë!
Kjo shoqëri është duke vdekur, në mos ka vdekur e ende nuk e dimë.
Pensionistët janë prapa liste, si Lipe Shtogu. Dritë pastë përsëgjalli Pëllumb Kulla, që përjetësoi aradhën e heshtur të prapalistasve. Dritë pastë, atje ku është Fuat Boçi, që i dha frymë e na bëri të qajmë e të qeshim me Lipe Shtogun, edhe pse ai fliste vetëm për veten.
Lipe Shtogu mbeti që mbeti prapa liste, aty e gjen edhe sot!
Duket se pandjeshmëria është një pandemi që po na vdes përditë pak e nga pak. Nuk i trëmbem marërdhënieve të këqia me këmbët e mia, as pleqërisë, nuk kam probleme personale me pensionin, po kjo vdekje e ngadaltë, mungesa e ndjeshmërisë njerëzore më trëmb.
Kjo e keqe duhet përballuar sëbashku, si një luftë, si ia dolëm me Koronën…
28 Nëntor 2023