“Si i rrinë” gjuhës shqipe, historisë, gjeografisë dhe kulturës shqiptare emrat me origjinë sllave!?…
Klevis Bakillari
Sllavët që zbarkuan në Ballkan në shek.VI deri në shek.XI lanë gjurmë tek toponimet, të cilat shpërthyen si kërpudhat pas rrebeshit të dyndjeve së tyre. Sidomos jugu i Shqipërisë ka një dendësi ekstremisht të lartë vendemërtimesh me prejardhje slave. Dyndjet sllave dhe pushtimi osman më pas kanë lënë pas gjurmë të paprishura deri sot.
Tashmë trojet e Shqipërisë kanë një numër pambarimisht të madh toponimesh të pamotivueshme, dhe është e pritshme që legjendat dhe mitet që “shpjegojnë” origjinën e këtyre emrave të jenë po aq pambarimisht të shumta. Sot toponimet sllave i japin një unitet Toskërisë fshatare, që nga Mokra deri në Labëri.
Një fakt tjetër me rëndësi është se toponimet sllave i gjejmë me shumicë të madhe në zona që sot nuk kanë ndonjë kontakt as gjeografik as njerëzor me trojet e banuara prej sllavëve – për shembull në Mallakastër, në Skrapar, në Kurvelesh dhe në Labëri. Statusi i toponimeve sllave në këto krahina (në raport me banorët e tyre) nuk është i njëjtë me statusin e toponimeve të ngjashme, bie fjala, në Kosovë.
Edhe një fakt tjetër: banorët e këtyre viseve janë shqiptarë denbabaden, shumica nuk e kanë idenë se emrat e fshatrave dhe të maleve dhe të krahinave të tyre janë me origjinë sllave. Për më tepër, këta emra, si njësi leksikore, janë integruar mirë në gjuhë dhe funksionojnë ekzaktësisht si çdo fjalë tjetër shqipe – në kuptimin që nuk krijojnë ndonjë vështirësi funksionale, as ndonjë thyerje të sistemit. Madje aty ku ka patur vështirësi shqiptimi, vetëvetiu përshtatja fonetike i ka sheshuar ato.
Tani, sa për atë se si ka ndodhur që janë vënë këto toponime dhe, aq më tepër, si ka ndodhur që janë ruajtur kaq gjatë, këtë veç mund ta diskutojmë. Mund të themi me siguri se ato lidhen njëfarësoj me dyndjen e sllavëve në Ballkan, por vetëm kaq – të tjerat janë konstruksione.
Vetëm në rastet kur përkthimi i disa emërtimeve pasqyron përbërjen gjeografike dhe të relievit të trevës ne kemi një fakt të emërtimit i cili prodhon funksionalitet ndërsa në rastin e disa emërtimeve të tjera, miti etiologjik nuk reflekton motivim dhe e lë toponimin të pamotivuar.
Në gjykimin tim, edhe pse shtetet fqinje i zëvendësuan toponimet e huaja me emërtimet e tyre psh Greqia, Maqedonia etj, nuk e kemi këtë nevojë të domosdoshme. Do të kishte kosto administrative dhe kulturore të madhe por edhe sepse sot askush nuk kompleksohet nga ndonje pretendim territorial apo aq më pak ripushtim. Jo. Toponimet janë shenja historike të invadimeve ndër shekuj dhe nuk ka asnjë arsye të fortë t’i prishim.
Madje toponimet e motivuara përderisa përdoren dhe qëndrojnë mirë në lokalitetet përkatëse, nuk ka asnjë arsye që të zëvendësohen. Këto toponime nuk pengojnë njeri, as na i imponon kush; as ka ndonjë rrezik që të vijnë sllavët dhe të na marrin Hormovën, Babicën dhe Çorovodën me arsyen se ua kanë vënë ata emrat.
Në këndvështrimin tim, nervi i çështjes së toponimeve duhet të rrahi tek motivimi dhe funksionaliteti, jo tek natyra sllave, turke, arumune apo ilire.
Për mua është e panevojshme ruajtja dhe mbajtja e toponimeve që nuk janë përfaqësuese të trevës në karakteristikat e sipërpërmendura dhe si rezultat as te motivuara e as funksionale. Dhe kur një toponim nuk është i motivuar pavarësisht prejardhjes gjuhësore, ai duhet rishikuar dhe pse jo, ndërruar!
Kur toponimi është jo i motivuar atëherë toponimet hyjne tek kultura spirituale dhe banorët ndërtojnë rrëfenja mbi emrat, që do të thotë se toponimet nxisin fantazinë popullore, dëshirat e tyre, pra hyjnë me të drejta të plota tek kultura spirituale.
Nuk shoh asgje te keqe, dmth hiq teorine e funksionalitetit, (që është shumë e dyshimte, madje ndonjë tjetër mund të dalë me teorinë që ndërrimi ndihmon funksionalitetin duke sjellë shembull popujt e tjerë që e kanë kryer) nuk shoh se ku mund të ndikojë negativisht ndërrimi i ta supozojmë emrit Çorovoda (uji i zi -bullgarisht çerno voda) apo Novosela (fshat i ri).
Përse mendoj se emri Çorovodë duhet ndërruar.
Së pari, mbretëria bullgare sundoi nga viti 851-1017= 166 vjet në Shqipëri. Treva e fundit shqiptare nga ku u largua sllavi i fundit ishte Skrapari, pasi gjenerali shqiptar David Arianiti shtypi qëndresën e fundit të prijësit bullgar Ivaca Vojvoda.
Si shkak i relievit te thyer, fiset sllave populluan masivisht Skraparin dhe u ngulitën në zona tëcaktuara duke ose i populluar për herë të parë apo disa duke i riemëruar meqënëse popullata vendase ishte inferiore në numër dhe pranoi toponimet e vendosura.
Psh. fshati Vodicë (lagështirë- sllavisht) ndodhet në zonë të lagësht pranë Osumit apo Trestikova (tresikova nga përshtatja fonetike- kallamishte -bullgarisht); dumbrava (arumun-dushkajë) janë lokacione në Skrapar. Dhe janë toponime që karakterizojnë përbërjen gjeografike të zonës. Pra janë të motivuar dhe funksionale.
Por emri Çorovodë çfarë motivimi gjeografik ka, në mos kulturor apo etnografik? Asnjë! Asgjë përveç dy miteve etiologjike të ‘ujit të zi’ (mbase nga uji i rrëmbyeshëm i Osumit që dikur mund të ketë shkaktuar një fatkeqësi çka është ndodhi e përkohshme apo burimi i Guhakut për shkak të thellësisë edhe pse nuk ndodhet brenda qytetit) dhe aq më tepër ‘ujit të mbretit’ që i afrohet një mitologjie të mirëfilltë.
Për mua, emërtimi Çorovodë nuk është i papranueshëm, nuk është aspak pezhorativ, nuk po them këtë gjë por nuk është i motivuar. Së paku, do kisha zgjedhur një emër të tipit ‘syri i kaltër’ sesa ‘uji i zi’ i cili për më tepër bën kontrastin e madh me malet e bardhë morfologjikë e dimërorë të Skraparit.
Ka një mori arsyesh logjike për ta bërë funksional këtë vendodhje të kryeqëndrës së Skraparit.
E para, pa patur merakun e fërkimeve etnike apo mesazheve ksenofobe me fshinjët, mund të themi se kjo kryeqëndër nuk meriton të mbajë një emër tipikisht ekstrakt të gjuhës bullgare ndërkohë që ndikimet nuk ekzistojnë sot.
E dyta, Skrapari me vendbanimin e Vlushës (pas Xarës në Sarandë) vërteton për jetën dhe vazhdimësinë pellazgjike-ilire. Gjithashtu kemi emrin ilir Zelëncka që kishte qyteza e vogël ku shtrihet sot Çorovoda.
Së treti aty ndodhet edhe Tomorri i shenjtë dhe Dodona pellazgjike-ilire. Më tej ‘rakia e Skraparit’ është e Skraparit dhe asnjëherë nuk përmendet si ‘e Çorovodës’.
Më herët, banorët e Tomorricës thoshin se ‘do të shkoj nesër në Skrapar’ dhe jo ‘në Çorovodë’. Kur të pyesin,iu thua se je nga Skrapari. Kur të thonë vizitova Skraparin, isha në Skrapar apo isha në Kanionet e Skraparit, nuk ta përmendin Çorovodën.
Kjo tregon fare qartë se ky toponim bullgar nuk është ndërfutur mirë asnjëherë në komunikimin social. Për më tepër sa i takon perspektivës turistike dhe infrastrukturore, administrative, emërtimi Skrapar do ta bënte qytetin më konkret për turistin. Sepse ai do të nisej për Skrapar dhe do mbërrinte vërtetë në ‘Skrapar’ e jo në Çorovodë.
Botohet me shkurtime (Orakujt…)