Familja Tusha, model dhe ekselente e grumbullimit, përpunimit dhe prodhimit të bulmetit

Familja Tusha, model dhe ekselente e grumbullimit, përpunimit dhe prodhimit të bulmetit

 

 

E kanë patur traditë në në familje, Haki Tusha dhe bashkëshortja e tij, Floria tërë jetën ia kanë kushtuar zanatit të përpunimit të bulmetit.

 

 

Si Haki Tusha nuk gjeje dot një të dytë në tërë baxhoxhinjtë e Skraparit. Për shumë vite në Ndërmarrjen e Grumbullim  – Përpunimit, ishte përgjegjësi, eksperti dhe kontrollori  nr. 1 i sektorit të përpunimit të bulmetitit të të gjithë rrethit dhe të brigadave shtetërorë blegtorale që veronin në Tomor rdhe në Ostrovicë.

 

 

Pas viteve ’90, edhe pse të moshuar dhe në pension, të dy burrë  grua, vazhduan punën dhe pasionin e tyre, duke çelur të parën baxho private në Skrapar, baxhon e Potomit, të cilën, pas ndarjes të tyre nga jeta, e gëzon djali i tyre Lili me bashkëshorten, Lela.

 

 

Edhe pse jetojnë prej vitesh në Tiranë, ata punojnë në Skrapar, duke u bërë, ashtu si prindërit e tyre, model dhe ekselentë të grumbullimit, përpunimit dhe prodhimit të bulmetit.

 

 

Dihet që biznesi blegtoral në përgjithësi është modest, por produkti  i baxhos së tyre ka fituar emër dhe ka ofertë speciale në treg, sidomos në tregun e Tiranës.

 

 

Djathi, gjalpi, gjiza dhe gjithë produktet e qumështit janë të certifikuar, shumë të shijshëm dhe që ruajnë vlerat e origjinës, karakteristikat e klimës malore dhe natyralitetin specifik të zonës.

 

 

Është kjo arsyeja që i gjithë prodhimi i kësaj baxhoje është i kontraktuar nga klientet dhe konsumatorët pasi ka fituar cilësia, garancia dhe standardi.

 

 

Kjo baxho është bërë mbështetje për blegtorët e fshatrave Potom, Backë, Staraveckë, Gjergjovë Helmës, Qafë, Visockë  etj. dhe nga qumështi i grumbulluar arrin të përpunohen e prodhojhen rreth 8 tonë djathë kaçkavall, 7 tonë djathë të bardhë dhe mbi 1 ton gjalpë dhe gjizë e freskët.

 

 

Një biznes në malësinë e largët ku punohet në kushte të vështira, ashtu siç e ka me sakricë dhe rrisk punën çdo fermer e blegtor, por që na sjell kënaqësi në tavolinat tona dhe përmbush kërkesat e tregut.

 

 

Mirënjohje dhe respekt  për Lelën dhe Lilin dhe për mijëra modele të suksesëshëm si ata në gjithë Shqipërinë!