Dy ngjarje, dy kohë historike: Qafa e Martës ka se ç’të tregojë…
Tani, në Qafë të Martës, mes gjelbërimit të shipecit, zbardh një lapidar i thjesht, i ndërtuar shpejt e shpejt, menjëherë pas luftës, një simbol, edhe pse i vjetëruar dhe rrëgjuar nga koha dhe nga 70 e ca dimra të ashpër, siç bën dimri në këtë qafë gati 2000 metra mbi nivelin e detit, përsëri , si një “roje e patundur e besnike” mban në shpinë, në gjoks dhe në zemër dy ngjarje të mëdha të dy kohëve të ndryshme historike, të Luftës së Parë dhe të Luftës së Dytë Boterore:
Betejën, siç është quajtur “e Termopileve shqiptare”, çetës së Lace Backës, më 25 korrik 1913, kundër andartëve grekë…
…dhe krijimin e batalionit partizan “Riza Cerova” gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare më 23 qershor 1943.
Po këtu, veç lapidarit, ka qenë edhe një tjetër simbol, që, fatkeqësisht, nuk është më, Varret e Dëshmorëve të rënë në këtë vend: të të parëve, të Luftës së parë Botërore, por edhe i të të dytëve, të Luftë s së Dytë Botërore, partizanëve, që u quajtën thjesht “Varret e Dëshmorëve”.
Ky qe një kompleks solemn tepër modest, i ndjeshëm dhe i prekshëm, i bërë me mjete rrethanore, me mur guri si një avlli shtëpie, një memorial, ide dhe produkt gjenial i mendjes së pleqvë të atëhershëm të Backës për t’i patur bijtë e tij atje ku kanë derdhur edhe gjakun!
Dhe jo vetëm për dëshmortë e ’13-ës, por ata hapën vend edhe për dëshmorët e mëvonshëm, bij të këtij fshati të rënë gjat LANÇ –it, duke zënë vend atje në mënyrën më të denjë dhe solemne të mundshme, deri sa në vetet ’70 të shekullit të kaluar, kur, me urdhër nga lart, memoriali u prish. Eshtrat e dëshmorëve u çuan te ”shokët”, në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit.
Mirë a keq, ne nuk e gjykojmë dot tani, aq më tepër që jemi para një fakti të kryer, por idea e atyre pleqve paska qenë gjeniale, me fuqi dhe energji hyjnore, paskej qenë e padiskutueshme, e pa tjetërsueshme, e patundur si maja e Çukës së Frëngut.
Në kompleksin “Varret e Dëshmorëve” në Qafën e Martës kanë qenë varrosur:
Dëshmorët e 1913-ës, të Luftës së Parë Botërore
Lace Backa
Ibrahim Rrahmani
Tahir Xhixho
Qazim Xhixho
Avdyl Lako
Nasi Qafzezi
Dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore të Batalionit “Tomorri”, rënë në Selenicë të Pishës
Hysen Fega – Faqekuq
Malush Buzali – Potom
Kasëm Gjoni – Krastë
Qani Iljazi – Panarit
Dajlan Topçiu – Panarit*)
Kasëm Ramo – Panarit
Xhuzepe (Italian)
*) Dajlan Topçiu – Panarit, ka rënë në livadhet e Klocë-Poçestës mw 14 korrik të 1944-ës