Çifti Vasil dhe Afërdita (Dyrmishi) Peçi shpallen Qytetarë Nderi të Patosit

Çifti Vasil dhe Afërdita (Dyrmishi) Peçi shpallen Qytetarë Nderi të Patosit

 

Në 75-vjetorin e krijimit të qytetit të Patosit, Këshilli Bashkiak dhe kryetari i Bashkisë së Patosit nderojnë me titullin Qytetar Nderi  çiftin bashkëshortor Peçi: Vasil Peçi, inxhinier gjeodet dhe financieren Afërdita Dyrmishi (Peçi), punonjës intelektualë  dhe banorë të hershëm të këtij qyteti.

 

 

Me këtë rast u zhvillua një ceremoni e thjeshtë, por mbresëlënëse, ku, kryetari i bashkisë Fatjon Duro para dorëzimit të çertifiktave të nderit, vuri edhe një herë në dukje punën e dallueshme dhe angazhimin qytetar të dy personliteteve në fjalë për zhvillimin, përparimin dhe civilizimin e qytetit naftëtar të Patosit në vite.

 

 

Më pas e morën fjalën miq dhe shokë të Vasilit dhe Afrditës,  të cilët ndër tjera, theksuan se nuk është e lehtë të dalësh mbi të tjerët dhe të vlerësohesh në një qytet punëtor, siç është Patosi.

 

 

Ata gjithashtu vunë në dukje edhe traditat e mira dhe reputacionin që ka gëzuar familja Peçi, një nga më të vjetrat e Patosit, me origjinë nga Pëllumbari i Përmetit, që nga xha Apostoli, një njeri me emër në Patos dhe Fier; nga vëllai i Vasilit, Irakli Peçi, inxhinier, specialist i lartë nafte, që u ngjit deri në postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Ekonomisë; nga fëmijët e tyre, Arioli dhe Ermali që ecin suksesshëm në profesionet e tyre në Tiranë.

 

 

Nga ana tjetër, Afërdita Dyrmishi (Peçi), është bijë e Fadil Dyrmishit, nga Dyrmishët e njohur të Koprënckës të Skraparit.

 

 

“Orakujt e Tomorrit”, që kanë si objektiv mediatik promovimin e skraparllinjve të suksesshëm kudo që ndodhen, gjejnë rastin të urojnë çiftin Peçi, ku dhe kanë pjesën e tyre:

 

 

Vasili dhe Afërdita ta gëzojnë titullin Qytetar Nderi i Patosit!

 

Paçin jetë dhe shëndet!…