In Memoria / Mehmet Gjoni, duhet të ishe nga ata male që të mbaje atë emër!…
Zylyftar Hoxha
Mehmet Gjonin, të birin e patriotit Bajram Krasta, e kam patur nxënës në klasën e pestë, kur, në shtator të vitit 1966, u hap për herë të parë shkolla 7 – vjeçare e Kapinovës. Unë atë vit kisha mbaruar pedagogjiken në Berat dhe isha emëruar mësues i kësaj shkolle.
Meqenëse kishte “ardhur e mira te dera”, që ishte çelur 7- vjeçarja, aty ishin regjistruar edhe nxënës që kishin tre vjet që kishin mbaruar filloren dhe prisnin.
Ata ishin, Zaim Hasa, Lule Hasa, Vesel Hasa, Musa Çela nga Kapinova, Mehmet Gjoni, Kujtim Gjoni, Zagoll Gjoni nga Krasta, Kujtim Hodo nga Turbëhova (kërkoj ndjesë nëse kam harruar të tjerë).
Si moshë dhe fizik isha aty – aty me ta. Ata ishin adoleshentë 14-15 vjeçarë, unë, drejt fundit të adoleshencës, 4 ose 5 vjeç më i madh, por që lageshim në ato ujëra.
Nuk dija se çfarë raportesh të krijoja me ta, ndaj herë ngrysesha dhe bëja autoritarin, seriozin, se në fund të fundit isha mësuesi i tyre, dhe herë-herë lozja me ta aq shumë sa nuk e kuptoja që autoritetin tim e kisha shtënë në fund të këmbëve!…
Por atë që e kisha në krah dhe që më kuptonte si vetvetja ime çdo tik e lëvizje nervore, ishte Mehmet Gjoni. Ai më dilte në krah, zuzariste nga zytë këmbët shokët, më tërhiqte mënjanë dhe si me dorë më largonte çdo siklet.
Unë nxirrja paqetën, se e pija cigaren në atë kohë, dhe i a zgjasja edhe Mehmetit, megjithëse e dija që nuk e pinte, aq më tepër që këtë gjë nuk e lejonte as rregullorja e shkollës. Megjithatë unë ngulja këmbë dhe sepse doja që ta pinte edhe ai!
Megjithëse antipedagogjike, ishte si një gjest mirënjohjeje nga ana ime për atë sjellje aq të bukur, aq fisnike dhe njerëzore të tij ndaj meje.
Pas një viti u ndamë. Kur takoja njeri nga ato anë, nga Turbëhova, Krasta e Kapinova, pyesja për të gjithë njerëzit që njihja, po më tepër për “grupin” tim të shkollës dhe veçanërisht për Mehmetin, që më kishte lënë një ndjenjë të veçantë në shpirt, dhe që më mungonte.
Vonë-vonë e kisha takuar disa herë atë, por në këmbë duke pyetur njeri-tjetrin për punët dhe familjet tona.
Në vitet ’70 ai punonte baxhoxhi, jo stabël, po ku t’i çonte ndërmarrja e grumbullim – përpunimit. U bë mjeshtër i djathit vizѐ, kaçkavall, që u fut për herë të parë në ato vite.
Emri i Mehmetit dëgjohej kudo për mirë.
Në vitin 2002 e takova në Tiranë. Kishte ardhur familjarisht dhe banonte diku në Laprakë.
“Dëgjo, o profesor, më tha, “trari nuk bëhet telvigë”. Më rri ngusht Tirana. Do të krijoj një tufë dhën dhe do të merrem me to.
Dhe ashtu bëri. Krijoi tufën edhe baxhon njëkohësisht dhe shkoi në fshatrat bregdetare të Kavajës për dimër dhe në mal të Faqekuqit për verë.
Djathi kaçkavall i tij nuk “binte mbërdhѐ”, thithej edhe i pa stazhionuar. Por mbi të gjitha “nuk binte mbërdhѐ” fama dhe emri i tij i mirë, i një mjeshtri të fjalës, të muhabetit dhe të lezetit, simbol i mikpritjes proverbiale, që e dinë vetëm ata që kanë bujtur qoftë edhe një copë herë në kalidhen e tij nomade në Myzeqenë e Kavajës dhe në stanet e Faqekuqit.
Mehmet Gjoni kishte një emër, duhet të ish ngata male që ta mbaje këtë emër.
Fatkeqësisht, siç thotë populli, “i miri nuk rron shumë”.
E kam ndjerë shumë ikjen e tij të parakohëshme!…
E sigurt, që Parajsa i ka hapur një vënd të posaçëm, të bukur dhe të lulëzuar për t’u prehur përjetësisht, se i tillë ishte!
I përjetshëm kujtimi Yt, o Mehmet Gjoni i Krastës dhe i Bërsakës!…