Akademik Jani Thomai: Skraparllinjtë, ja pse nuk i harroj këta njerëz të mirë, më njerëzorët e tokës sonë
Akademik Jani Thomai është një ndër studiuesit më të shquar të shkencës gjuhësore shqiptare. Kontributi i tij shkencor shënjohet me rezultate të spikatura në fushën e leksikologjisë, të semantikës, të leksikografisë, të frazeologjisë dhe të normësisë gjuhësore.
Në lëvizjet e tij nëpër Shqipëri për interesa shkencore, ai tregon edhe për ditët që kaloi shumë vite më parë mes skraparllinjve:
Jani Thomai
Takimin e parë me Skraparin e kam pasur më 1959. Një vit pas mbarimt të studimeve në Universitetin e Tiranës, mora pjesë në një ekspeditë gjuhësore njëmujore fshatrave të tij. Dhe, që atëherë më është formuar një përshtypje që nuk ka ndryshuar deri më sot.
Kjo përshtypje m’u formua nga natyra e ashpër, por e bukur, më shumë nga njerëzit, të varfër ekonomikisht, por të pasur shpirtërisht. Më pas, shumë skraparas, atje në Skrapar, në Tiranë e gjetkë, m’u bëmë miq të sinqertë.
Mbresat e para të vitit 1959 mbetën të pashlyera, vetëm u pasuruan paprerë.
Ja, nuk e harroj atë plakun e Dhoresit, që, edhe pse mbante matem, punoi me ne gjithë ditën e nxehtë, pa dhënë as shenjën më të vogël se u lodh a u mërzit. Dhe na nxorri nga hatullat e shtëpisë një shishe të vogël me raki rrushi të zierë dy herë e të ruajtur atje pesë vjet a më shumë.
Nuk e harroj atë plakun e Kalanjasit, që në sheshin e fshatit më hodhi duart në qafë dhe më puthi si djalin e vet. Dhe kur unë, disi i habitur, e pyeta: “A më njeh?”, ai, me dritën në sy, m’u përgjegj: “Si s’të njoh? Je miku im. Si nuk e njohkam unë mikun që më vjennë shtëpi?!”
Dhe dy ditë më mbajti me bujari në shtëpinë e vet e nuk më la të bujt në shtëpi tjetër.
Nuk e harroj atë plakun e Potomit, që kish marrë vesh se do të shkonim në atë fshat e kishte dalë një orë rrugë përpara për të na pritur. E pse? Ç’ishim ne? Asnjë interes nuk kishte, për asgjë nuk na e kishte nevojën.
Nuk e harroj atë plakun e Prishtës, që për darkë na e shtroi edhe një tepsi të madhe me dy byrekë, njërin mbi tjetrin dhe na thoshte:
“Hani nga ky i sipërmi dhe ecni përpara, mos ia zbuloni fundin tepsisë, se është shenjë varfërie”.
Dhe ishte vërtet shumë i varfër, por s’e donte e s’e pranonte varfërinë.
Nuk e harroj atë plakun e Grepckës, që ditën e fundit na përcolli deri në qytet, jo për shkak rreziqesh, por për miqësi e njerëzi.
Nuk e harroj atë plakun e Radëshit, që na mbajti për darkë e për të fjetur të gjashtët, në një dhomë, e nuk na shpërndau nëpër shtëpi të tjera, me gjithë këmbënguljen e kryetarit të këshillit, sepse në ato anë “nuk e kishin zakon që mikun e rrugës ta çonin tjetër kund”.
Nuk e harroj atë plakun e Vërzhezhës…, atë të Kakrukës… e të tjerë, nuk i harroj.
Nuk e harroj edhe atë Babanë e teqesë, shokun e dhomës në hotelin e vogël të qytetit, që, edhe pse të lodhur, me zgjuarsi e me gjithë zemër, më shpjegonte mbrëmjeve deri vonë parimet morale të bektashizmit.
Dhe nuk harroj shumë njerëz e shumë ndodhi të tjera.
Jo, nuk ishin të gjithë pleq nga mosha, si i cilësova unë, por të gjithë ishin pleq nga mençuria. Ata kanë emra të përveçëm, por kanë edhe një emër të përbashkët, me shumë kuptim, “skraparas”.
E sot unë kam shumë miq të mirë në Skrapar, prandaj shkoj atje me gëzim sa herë më krijohet mundësia. E sot unë nuk mundem, nuk jam në gjëndje t’i ndaj ata në PD, PS a PL, më bëhet sikur të gjithë janë në “ Partinë e të Mirëve”. E vete me dëshirë në Shoqatën “Tomorri” që të takohem me këta njerëz të mirë, më njerëzorët e tokës sonë.
Kështu ia uroj çdo miku mirëseardhjen prej Skrapari. Por kështu a mund ta shlyeja vallë një pjesë të mirënjohjes sime për ata, atë mirënjohje që i vetëm, nuk do të arrija ta shprehja gjatë gjithë jetës?
Ndoshta këto dy radhë të shkruara me zemër vlejnë sadopak për miqtë e mi të dashur skraparas.