Aktivitete të larmishme në Përmet dhe në Frashër për Ditën e Naimit

Aktivitete të larmishme në Përmet dhe në Frashër për Ditën e Naimit

Me rastin e 20-vjetorit të krijimit të shoqatës kombëtare atdhetare kulturore “Vëllezërit Frashëri” dhe 176 – vjetorit të lindjes së poetit kombëtar Naim Frashëri, shoqata “Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve  organizuan në datat 24 dhe 25 maj, në Përmet,  veprimtarinë me temë: “Rilindja Kombëtare dhe kontributi Vëllezërit Frashëri”.

 

Në këtë kuadër, në bazë të një programi të caktuar, u zhvilluan një sërë aktivitetesh si, montazhi muziko-letrar me nxënësit e shkollave të mesme “Sami Frashëri” Përmet, “Udha e Shkronjave” Tiranë; shkollat e mesme të Këlcyrës, Rahovecit, Prizerenit, Suharekës etj.

 

Në Qendrën Kulturore të Përmetit u zhvillua konferenca shkencore me tëmë “ Rilindja kombëtare dhe kontributi i vëllezërve Frashëri “, ku përshëndetën Haxhi Dede Edmond Ibrahimaj, kryegjyshi botëror;  , Tomor Kotorri, kryetari i shoqatës; Alma Hoxha, kryetarja e Bashkisë Përmet dhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi. Ndërsa me shumë interes u ndoqën kumtesat e akademikëve Marenglen Verli, Beqir Meta; Prof. dr. Xhevat Syla dhe të studiuesve, Katriot Bezati, Rovena Vata, Lumo Kolleshi dhe Nuri Çuni.

 

Veprimtaria vazhdoi edhe ditën e dytë pranë shtëpisë së vëllezërve Frashëri në Frashër, ku u bënë homazhe te bustet e tyre, montazhe muziko-letrare nga nxënësit e shkollave si dhe një koncert  me këngë nga grupi i njohur i Qendrës Kulturore Përmet.