Në shtëpinë e Mehmet Myslimit (Helmësit), ku është “shkruar” një pjesë e historisë së Shqipërisë

Në shtëpinë e Mehmet Myslimit (Helmësit), ku është “shkruar” një pjesë e historisë së Shqipërisë

Zylyftar Hoxha

 

E shikoni këtë shtëpi, është një shtëpi karakteristike skraparase, shtëpia e Mehmet Myslimit në Helmës të Skraparit, një shtëpi e zakonshme në dukje, por me një histori të madhe që në atë kohë në këtë shtëpi janë vendosur fatet e Shqipërisë.

79 vjet më parë, në pranverën dhe verën e vitit 1944, në këtë shtëpi, për gjashtë muaj rresht, u strehua, punoi dhe udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare Shtabi i Përgjithshëm i kësaj Lufte.

 

Aty qe selia e parë e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, por edhe selia e parë e Komandës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, me dy figurat kryesore, që tashmë kishin marrë në dorë fatet e luftës, Enver Hoxhën, si sekretar i Parë i KQ të Partisë dhe komisar politik dhe Spiro Moisiun, si komandant i Përgjithëshëm i Ushtrisë.

 

Në këtë shtëpi u morën vendime të rëndësishme për çlirimin kombëtar të Shqipërisë nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, por edhe u hodhën tezat e krijimit të bazës  së pushtetit që do të vendosej menjëherë pas çlirimit. Këtu u përgatitën materialet e Kongresit të Përmetit, që kishte të bënte me bazat e shtetit të ri që do të lindte pas Luftës; këtu,  sipër në Lirëz, 2000 metra mbi fshat, u zhvillua Kongresi i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare, kongres që vazhdoi  një javë rresht, ku merrnin pjese 285 delegatë, ndër të cilët 72 ishin të reja.

 

Në këtë histori, jo të vogël që po flasim, siç u tha në fillim të këtij shkrimi, ka pjesën dhe kontributin e vetë edhe patrioti i zëshëm i këtyre anëve, banor i fshatit Helmës, Mehmet Myslimi, i cili, si një skraparlli zakonlli dhe mikpritës, si një atdhetar dhe luftëtar i vërtetë, i sprovuar në zhvillimet të tjera historike të Shqipërisë, “ua dorëzoi shtëpinë miqve” dhe vet e strehoi familjen nëpër ashefe, hajate dhe kasolle bagtish.

 

Dhe jo vetëm shtëpinë e tij, por me autoritetin dhe reputacionin që gëzonte, vuri të gjithë fshatin në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm, por edhe të misioneve të tjera të huja të atashuara në këtë luftë, angleze dhe sovjetike, që kishin ngritur kampet e tyre aty.

 

Ai u kujdes për të krijuar normalitet pune për çdo gjë, deri dhe në detajet më të thjeshta, por, mbi të gjitha, u kujdes për t’i siguruar dhe mbrojtur miqtë e çmuar dhe të rëndësishëm, që i kishin vënë shpatullat çlirimit të vendit nga armiku.

 

 

Po kush është Mehmet Myslimi (Helmësi)?

 

Mehmet Myslimi (Xhelaku) lindi në vitin 1862 në fshatin Helmës të rrethit të Skraparit në një familje të thjeshtë fshatare.

 

Vitet e fëmijërisë i kaloi në fshat me pjesëtarëte familjes dhe bashkëfshatarët mes një jete  të vështirë, që e kishte bërë edhe më të zezë sundimi i huaj otoman.

Si dhe shumë shqiptarë të tjerë të asaj kohe, i detyruar nga kushtet ekonomike, edhe Mehmeti nga mesi i viteve 1880, mori rrugën e mërgimit për në Stamboll. Punoi aty për 15 vjet me radhë në punët më të rënda që detyroheshin të bënin mërgimtarët e huaj. Duroi me stoicizëm shtypjen, përbuzjen dhe diskriminimin racial prej skllavi të pronarëve agallarë turq.

 

“Kur vajtëm në Stamboll, tregonte ai shpesh, së bashku me një grup bashkëfshatarësh  që kërkonim punë, na u desh të kalonim disa prova si ato të skllevërve të dikurshëm. Pronari, të cilit iu paraqitëm, na mori e na rreshtoi përpara fermës së tij. Aty na ngarkuan me nga një kosh të madh me thupra palme të mbushur me gurë dhe me të në kurriz na shtynte një person që të ecnim. Kush ishte në gjedje ta mbante koshin dhe të mos rrëzohej gjatë një rruge të caktuar, mbahej në punë, ndërsa atyre që nuk u mbanin këmbët ose rrëzoheshin, u thoshte  “Ikni, s’jeni për mua”!

 

Kështu filloi puna dhe kurbeti i tij në Stamboll, si punëtor nga mëngjesi në mbrëmje. Duke qenë larg atdheut, duke parë atë shtypje dhe shfrytëzim dhe atë gjendje të mjerueshme në i që kishte prodhuar prej shekujh sundimi turk Shqipër, po të kemi parasysh edhe periudhën historike që në Stamboll dhe në disa kryeqytete të të tjerë si Sofje, Bukuresht, Kajro, Selanik etj. kishte filluar Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, Mehmeti u lidh me veprimtarë të kësaj lëvizjeje, një ndër të cilët ishte miku dhe bashkëfshatri i tij, Baba Meleq Staravecka.

 

Mehemeti filloi të frekuentonte klubet patriotike shqiptare, sidomos shoqërinë “Drita” të Stambollit, të krijuar nga vëllezërit Frashëri. Aty ai mësoi për vete shkrim dhe këndim shqip dhe më pas në fshehtësi, pas pune grumbullonte shqiptarë, duke u mësuar atyre të shkruanin dhe të lexonin.

 

Nipi i tij, Zenel Myslimi, ndërsa na nxjerr disa dokumente të vjetra nga arkivi i tij familjar, tregon se, kur ishim me banim në Lushnje, vinim nga shkolla dhe mësonim ndonjë vjershë të ndonjë rilindësi apo përmendnim emrat e vëllezërve Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Spiro Dine etj. gjyshi, merrte librin, shikonte fotografinë, e puthte dhe, me një krenari të dukshme në sytë e tij, na thoshte: “E dini ju që unë e kam njohur këtë burrë”! Pastaj fliste për miqësinë që kishte patur veçanërisht me Hasan Prishtinën, me Mehmet Ali Vrionin etj.

 

Veprimtaria e tij dhe e shumë shokëve të tjerë në Stamboll ra në sy të autoriteteve turke, të cilët filluan të përndjekjen e tyre. Në këto kushte, në vitin 1910, Mehmeti kthehet në atdhe. Me kursimet e kurbetit ndërtoi një palë shtëpi, të mëdha dhe të bollshme, me pajisje dhe mobilje, për kohën, moderne. Ustallarët që ndërtuan shtëpinë ishin grekë, ndaj dhe ajo kishte një stil ndërtimi të përzjerë, të ndërtimeve krakteristike të Skraparit dhe të stilit grek që suallën ustallarët.

 

Nga të zotët e shtëpisë, mendohet se një nga arsyet që kjo shtëpi i shpëtoi djegjes nga andartët grekë, të cilët nuk lanë shtëpi në këmbë në fshatrat rreth e rrotull, ishte stili grek i përdorur në shumë elementë të kësaj shtëpie. Ndoshta edhe nga kjo u mëshirua.

 

Në fillim të vitit 1915, përmes zjarrit të Luftës së Parë Botërore, ai niset përsëri në mërgim, por këtë radhë në rrugën e re të Perëndimit që ishte hapur, në SHBA. Aty menjëherë ra në kontakt me patriotë mërgimtarë nga Shqipëria dhe u bë anëtar i shoqërisë “Vatra” që drejtohej nga Fan S. Noli.

 

Pas 4 vjetësh, kthehet nga Amerika. Në vitin 1920, nën udhëheqjen e Riza Cerovës, Ali Koprënckës dhe Muço Kapinovës e shohim të radhitur me armë në dorë në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes më 1920 dhe në Luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Si shumë skraparllinj të tjerë, në periudhën e mbretit Zog. U radhit në anën e duhur të historisë, duke marrë pjesë në Revolucionin e Nolit në vitin 1924, në Lëvizjen e Fierit 1935.

 

Lufta e gjeti plak, në moshën 70 e ca vjeçare, duke i rënë në pjesë që bashkë me të vëllanë, Xhemalin, “të luftonte ndryshe nga të tjerët”, duke vënë në dispozicion të Luftës gjithçka kishte, pjesëtarë të familjes, pasuri, mall e gjë. Për gjashtë muaj me radhë ai ishte pjesë integrale e Komandës Superiore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, i merrej mendimi dhe pyetej si një këshilltar zyrtar i regjur për çdo gjë.

 

Që në shtator të vitit 1942, populli i Helmësit e kishte zgjedhur kryetar të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit dhe Anëtar të Këshillit Krahinor. E, ndërsa merrej aty me çështje lufte, në front kishte dërguar dy djemtë e tij partizanë.

 

Pas çlirimit ai iu gëzua ndryshimeve të mëdha që pësoi vendi, por iu gëzua dhe u ndje krenar që sakrifica dhe nderi që kishte bërë në Luftë, nuk i vajti dëm.

Ilmiu, djali i Mehmetit, Mehmeti dhe Enver Hoxha

 

Ruajti miqësitë reciproke me Spiro Moisiun, Omer Nishanin, Ymer Dëshnicë,n Spiro Kolekën, Medar Shtyllën si dhe me ish anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët e vizitonin shpesh kur qe me banim në Lushnje dhe më pas në Poliçan.

Familja Myslimi në Poliçan

 

Por ai që nuk ia harroi kurrë atë që kishte bërë xha Mehmeti në luftë, ishte Enver Hoxha, i cili nuk kishte rast e festë që të mos e takonte dhe të mos e ftonte edhe në Tiranë.

 

U nda nga jeta në 10 qershor 1975, në moshën 113 – vjeçare, i nderuar dhe i respektuar, duke zënë një vend nderi mes burrave luftëtarë më të shquar të Skraparit.

“Xha Mehmeti ishte një thesar i pashfrytëzuar, me të cilën mund të kishim bërë një histori të tërë për Skraparin e rrethet fqinjë”, tha Kahreman Ylli në vdekjen e Mehmetit.

Dhe kishte të drejtë, sepse për Helmësin, ku është “shkruar” një pjesë e historisë së Shqipërisë, është bërë pak, është folur pak është shkruar pak, por, edhe kur është folur dhe shkruar, ngjarjet janë deformuar dhe meritat kanë shkuar për ata që nuk i meritonin.

Është fatkeqësi, që, edhe shtëpia muze e xha Mehmetit, Monument Kulture që mbrohej nga shteti, nuk u mbrojt dot, por u kthye në gërmadhë.

 

 

Shënim:

Ky shkrim është botuar sot edhe në gazetën “Dita”