Amaneti i çiftit Branko nga Vëndresha e Skraparit për të rinjtë: “Jeta është e vështirë, por, kur di ta bësh, e bën atë të lumtur”!…

Amaneti i çiftit Branko nga Vëndresha e Skraparit për të rinjtë: “Jeta është e vështirë, por, kur di ta bësh, e bën atë të lumtur”!…

Tomorr Shasho

 

Ishin ditët e para të gushtit. Kishim shkuar në fshat për pushime tek shtëpia e bashkëshortes. Ishte hera e parë që shkoja pas martesës.

 

Shtëpia ishte e rrethuar me pemë. Para shtëpisë ishte ndërtuar një shtratore me hardhi. Veshukët e rrushit rrinin varur. Ta bënin me sy për zili, por ishin të papjekur. Atë mbasdite, kur vapa ende nuk kishte rënë e si duket do të vazhdonte edhe natën, vjehrri mori dy shilte e më tha që të uleshim në sofatin  e portës së madhe, sepse ishte freskët.

U ulëm.

Atë të shkretin duhan e tymosnim si unë dhe ai, ndaj ndezëm nga një cigare. Unë një “Partizani” të hekurosur, ndërsa vjehrri e pinte me të dredhur. Kisha dëgjuar nga bashkëshortja, se ai ishte rritur jetim, pa nënë e pa baba. Vet isha rritur pa baba e kjo më shtynte më shumë për të mësuar mbi jetën e tij.

 

– Ashtu është,  –  filloi bisedën për t’i dhënë përgjigje pyetjes time. – Jam rritur pa prindër. Më kanë vdekur kur isha katër apo pesë vjeç. Më ka rritur një kushëri jo shumë i afërt. Janë këto shtëpitë këtu poshtë nesh. Ti je takuar me djemtë e tij. Ah, mor djalë! Mos, pa prindër! Kam dhe dy motra. Edhe ato ishin të vogla. E madhja 9, kurse e vogla 7 vjeç. Ato u martuan shpejt e unë ngela vetëm në dorë të kushëririt.

 

Ishte viti 1933 kur shkova ushtar. Ika pa një kokërr leku në xhep, kreva ushtrinë pa një kokërr leku e pa një kokërr leku u ktheva nga ushtria. Për rroba të reja nuk bëhëj fjalë. Qendrova me rrobat e ushtrisë. Motrat më blenë rrobat pas një apo dy javësh.

Fati e solli që gruan ta marr nga fshati. A e njihja? As bëhet fjalë. Vetëm atë natë që u martuam. Ku të linte zakoni të shikoje gruan para martesës! Pse, si tani ?

Thonë se jetimi nuk ka fat, por për mua ishte e kundërta. Me gruan pata fat. S’kishim shumë kohë që ishim martuar, kur kushëriri më ndau më vete, sepse bëra fjalë me gruan e tij. Po, po, është kjo plaka që na përshndeti tani, kur kaloi këtu para  portës.

 

U ndava pa shtëpi e pa katandi, si i thonë. Më ra si pjesë vetëm një ka. Unë kisha gruan e gruja më kishte mua. Hë… ku jetova? Mendohet pak.Kam fjetur një vit në kasollen ku mbanim kashtën e bagëtive. Për të gatuar rregullova në anë të kasolles një si biçim kuzhine të rrethuar më copa llamarine.

 

Qesh. Çfarë çatie?! Vetëm sa të priste erën gjat gatimit.

– Të ra fati i keq! – i thash gruas.

-Jo, mos ta dëgjoj atë fjalë, – më tha. – Fatin e kami të mirë. Jemi me fat, sepse kemi duar, kemi këmbë, kemi dhe tokë. Po i pate këto të tria, jeta rregullohet.

 

Ia filluam. Gjithë ditën në arë e tërë natën grumbullonim gurë. Flinim apo nuk flinim tri – katër orë. Edhe një shok i lagjes, kishte një ka. I bashkuam e bëmë një pendë qe. Filluam të punojmë tokat.

 

Me ndihmën e miqve, ndërtova shtëpinë. U futëm brenda, ashtu gurë më gurë.  Shtova bagëtinë. Në këmbë shkoja në Berat e shisja bagëti e bylmet. Rregulluam disi ekonominë. A e kam ndihmuar gruan? Po, e kam ndihmuar shumë. Ajo shkonte e mbushte ujë, unë milja bagëtinë. Ajo gatuante, unë rrihja tundësin, fshija avllinë. Fëmijët i kemi rritur atje në arë. Ata u rritën e na ndihmonin në punë, por shkollën nuk ua ndërpreva kurrë. I pari i fëmijëve ishte djalë. Kur mbushi moshën dymbëdhjetë vjeç, u vra me bombë! E gjeti andej nga mali, kur ruante bagëtinë.

 

Ndez përsëri cigaren e lotët filluan t’i rridhnin mbi faqet. Hodha sytë mbi portën hyrëse. Lexoj “1938”. Viti kur ishte ndërtuar shtëpia. Ato vite – dy dhoma e një koridor. Shtëpi karakteristike të Skraparit. Tani – shtëpi me katër dhoma. Mobiluar sipas kohës. Shtëpi model, që pret shokë e miq, si dhe udhëheqës të shtetit.

Nga kasollja e kashtës, te shtëpia moderne e kohës. Me zotër shtëpie punëtorë e të ndershëm. Njerëz që gëzonin respektin më të madh në fshat. Kush s’u kthye aty, trokiti në portë e nuk piu një gotë ujë, apo një gotë me dhallë nga dora e Aishesë!

 

Cili qe ai që u ul aty te sofati e nuk shkëmbeu një cigare me të zotin e kësaj shtëpie, Sulo Brankon! Sa e sa shokë e miq janë ulur në këtë sofat!

 

Sa e sa biseda janë dëgjuar, por tingëllon ende e freskët për ditët e sotme thënia e kësaj zonje shtëpie në ato ditët më të vështira të jetës së saj: Duar e këmbë kemi, tokë kemi. Po i pate këto të tria, jeta rregullohet e jetohet.