Neki Sula: Tri vizitat e Enver Hoxhës në Skrapar

Neki Sula: Tri vizitat e Enver Hoxhës në Skrapar

Material i nxjerrë nga libri “Neki Sula, dy libra në një: Monografi dhe Zaloshnja histori”, me autor Zylyftar Hoxhën

Në arkivin e Neki Sulës, ish sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë në Skrapar në vitet 1954 deri në vitin 1965, veç ditarëve, për takimet me Enver Hoxhën gjejmë edhe një album fotografik me një fond prej rreth 50 fotografish, ku ai ka dalë me të në periudha të ndryshme.

Bëhet fjalë për takime të gjata pune, dy-tri ditore, dhe jo për ato të rastit, kur ai shkonte në mbledhjet e Komitetit Qendror të Partisë dhe takoheshin korridoreve.

 

 

Vizita e Parë, 1954

 

Takimi i parë pas Luftës ishte ai i 5 shtatorit të vitit 1954, kur Enver Hoxha zgjedh Skraparin për të kremtuar 10-vjetorin e çlirimit të vendit nga okupatorët e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre  të brendshem.

 

Rasti ishte festa që skraparllinjtë e çmonin dhe e vlerësonin shumë, 5 Shtatori, dita e çlirimit të qytetit të Çorovodës në vitin 1942, dy vjet para çlirimit të të gjithë vendit dhe që këtë vit përkonte me 12-vjetorin e çlirimit të tij.

Vizita e Enver Hoxhës këtë vit ishte jo pa qëllim. Skrapari i kishte dhënë shumë Luftës, kishte qenë një nga bazat më të fuqishme të saj.

Aty ishte formuar një nga çetat e para partizane, Çeta Plakë e Skraparit, ishin krijuar dy brigada të mëdha partizane, Brigada e 7 Sulmuese dhe Brigada e 16 Sulmuese si dhe disa formacione të tjera partizane; aty ishin zhvilluar disa beteja vendimtare kundër pushtuesit, siç ishte Beteja e Tendës së Qypit, Qafës së Shkozës, Qafës së Gjarprit etj;  në Skrapar për 6 muaj me radhë, në fshatin Helmës kishte qëndruar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe misionet e huaja aleate angleze dhe sovjetike; po në Helmës ishte zhvilluar Kongresi i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH –i), një ngjarje e madhe për kohën; Skrapari ishte djegur, rrënuar dhe shkatërruar ekonomikisht më shumë se  çdo rreth tjetër, por kishte patur edhe humbje të mëdha njerëzore në dy masakra, të Vlushës dhe të Krushovës, por edhe shumë partizanë të rënë dëshmorë.

Por pas 10 vjetësh kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Ishte goditur një komandantët legjendë të Luftës në qarkun e Beratit, Mestan Ujaniku, i cili vdiq në burg; me reformat e reja të konfiskimeve të pasurisë ishin goditur familje që kishin mbajtur dhe furnizuar luftën, çka kishin krijuar një hutim, pse jo edhe një pakënaqësi në popullsinë e Skraparit.

Si duket këtë e kishte ndjerë Enver Hoxha, ndaj në fjalimin e tij para popullit të Skraparit ai ngriti lartë vlerat e Luftës, nderoi të rënët, u mundua të prekte dhe të ngrinte lartë ndjenat atdhetare të skraparllinjve, duke rikuperuar atë që kishte ndodhur dhe që binte shumë në sy.

Nekiu, si sekretarii Parë dhe figura numër 1 e rrethit, e shoqëroi Enver Hoxhën gjatë gjithë kohës dhe në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara si, vizita në varrezat e dëshmorëve, vizitat nëpër familjet e dëshmorëve dhe patriotëve, në miting, në drekën që u shtrua me këtë rast etj.

 

Enver Hoxha u largua që atë ditë nga Çorovoda për në Berat, shumë i kënaqur me pritjen që i kishin bërë skraparllinjtë, konsideratë që ai ia kishte shprehur disa herë Nekiut nëpër mbledhjet që bëheshin në Komitetin Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

 

 

Vizita e Dytë, 1962

 

Vizita e dytë e Enver Hoxhës në Skrapar ishte në vitin 1962, kur Neki Sula, përsëri me detyrën e sekretarit të  Parë, por këtë herë i zgjedhur për herë të dytë, pasi ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik. Përsëri rasti ishte festa e “5 Shtatorit”, “dobësisë së skraparllinjve”, ditës së çlirimit të Çorovodës.

Përsëri Nekiu, në krah të Enver Hoxhës, ia doli ta kënaqte mikun e madh në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara me këtë rast, një ndër të cilat ishte edhe përurimi i Ndërmarrjes Bujqësore, e cila që në ato çaste mori emrin Ndërmarrja Bujqësore “5 Shratori”, emër që e propozoi vet Enver Hoxha.

Nuk duhet harruar periudha kur Enver Hoxha erdhi neë Skrapar. Ishte një vit pas ndarjes nga Bashkimi Sovjetik, një nga vitet më të vështira kur u prenë të gjitha ndihmat dhe kontratat dhe kërkohej një zhvillim “me forcat e veta”.

Këtë radhë Enver Hoxha nuk erdhi në Skrapar për Skraparin, por për gjithë Shqipërinë. Prej këtej ai përshkroi edhe një herë gjendjen e vështirë në të cilën ishte vendi ynë dhe se si duhej përballuar kjo me një punë heroike, duke u bazuar vetëm në forcat e veta.

Ai kishte nevojë në këtë rast për “Urra” dhe duartrokitje. Dhe, si gjithnjë, i gjeti në Skrapar!

Natyrish, iku i kënaqur. Nga populli, por edhe nga miku i tij i kahershëm, i urtë dhe i mirë, Neki Sula.

 

 

Vizita e Tretë, 1971

 

Vizita e tretë me Enver Hoxhën është ai i vitit 1971, kur Enveri vjen në Skrapar për festat e Nëntorit.

 

Qëllimi i kësaj vizite, siç u mor vesh më vonë, ishte për t’i thënë popullit të Skraparit se Partia e Punë së Shqipërisë dhe vet ai personalisht, si gjithnjë, kishin besim dhe mbështeje nga ky popull e nga kjo krahinë, që kishte dhë prova në shumë ngjarje historike. Ky besim u materilalizua me ngritjen e shumë objekteve strategjike me karakter ushtarak, duke e bërë Skraparin “kryeqytet të luftës”.

Me këtë rast u ndërtuan tunelet e Thesarit të Shtetit, të Arkivit të Shtetit, shtypshkronja, një lagje me vila qeveritare. Në Krorëz dhe Dëvri në tunele nëntoksore u bënë zyra moderne të vendosjes së Komitetit Qëndror, Qeverisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u ngritën një rrjet i madh magaziash drithi të Rezervave Shtetërore etj.

 

Sa zbret nga makina, mes njerëzve në të dy krahët, Enver Hoxha dallon Neki Sulën, por këtë radhë jo si sekretar i Parë, por si “popull”, i thërret dhe i hidhet në qafë: Neki, ku je? – i thotë Enveri, të cilin e pa në mes të turmës dhe jo në mes autoriteteve më në zë të rrethit.

 

 

Pasi takon autoritetet më të larta të rrethit, Enver Hoxha pyet: “Po Nekiun ku e kam”!?

 

Të turpëruar dhe të injoruar, ata dërguan njerëz për ta sjellë Nekiun aty.

 

Dhe Enver Hoxha, për t’u treguar se ç’ishte për të dhe për Partinë Neki Sula, e mbajti atë gjithë kohën pranë vetes, duke i bërë autoritetet e rrethit të ndihen keq.

 

 

Dhurata

 

Lidhur me Enver Hoxhën në arkivin e Neki Sulës, veç takimeve, në një ditar të tij gjejmë edhe  këtë episod:

4 mars 1956

Jemi mbledhur në korridorin e Pallatit të Brigadave të gjithë sekretarët e Parë të rretheve  dhe po presim të vijë shoku Enver. Nuk vonoi shumë dhe ai erdhi, na takoi të gjithëve me radhë dhe na pyeste për punët për hallet, për gjendjen moralo-politike të popullit etj.

Pasi mbaroi dhe duhet të futeshim brenda, hapi çantën dhe në sy të shokëve, më dhuroi një stilograf, që ka brenda kullën e Kremlinit. “Për pritjen që më bëre vjet”, më tha, dhe ktheu shpinën për në mbledhje.

 

U gëzova shumë, dhe kur them shumë, shumë-shumë! Me të mbajta shënimet e asaj mbledhje. E ruaj si sytë e ballit atë bllok, ku kam shkruajtur me stilografin që më dhuroi Udhëheqësi.