Ana tjetër e Eqerem Gaxhollit, këtë radhë, si personalitet i shquar i letrave shqiptare
Eqerem Gaxholli, njihet si një nga diplomatët më të njohur shqiptarë, me një karrierë 20 vjeçare me funksione diplomatike të ndryshme në Hungari, Francë, Belgjikë, Holandë, OKB – New York dhe Kanada. Ndërkohë ai ka përfaqësuar qeverinë shqiptare në disa komisione në OKB dhe UNESCO.
Por sa i suksesshëm në misionet diplomatike, ai shfaqet akoma edhe më i suksesshëm me një profil tjetër, atë të krijuesit dhe të përktyesit.
Eqerem Gaxholli ka përkthyer në shqip disa libra: “Gjeneral De Gol – Historia e jashtëzakonshme e liderit të Francës moderne”, “Planet e Hitlerit për Ballkanin (Nga Londra në Moskë)”, me autor Joachim Von Ribentrop, ish ministër i Jashtëm i Hitlerit; “Viktor Hygo – Jeta dhe vepra e gjeniut të Francës”, “Robespier dhe Revolucioni Francez”, “ Napoleon Bonaparti” etj., për të cilat ka marrë edhe çmime honorifike, siç është, fjala vjen, çmimi “Babel” për vitin 2021.
Siç dihet, çmimi letrar “Babel” është krijuar në kujtim të shkrimtarit rus me orgjinë hebre (Issak Emnaoulovic 1884-1941), gazetar, publicist dhe shkrimtar i ekzekutuar nga regjimi stalinist në vitin 1941.
Në motivacioni ne këtij çmimi thuhet se ky çmim honorifik i është akorduar zotit Eqerem Gaxholli me motivin për sjelljen nga gjuha franceze në gjuhën shqipe të disa prej personaliteve të larta të historisë, diplomacisë dhe letërsisë franceze që u bëjnë jehonë ngjarjeve më të rëndësishme shoqërore dhe politike bbotërore, sidomos atyre europiane.
Dhe në fakt, librat e përkthyer mbi historinë e Francës dhe atë europiane dallohen për interpretimet me shumë nuanca për cilësinë, saktësinë, stilin, qartësinë e fjalive dhe mendimeve.
Për veprimtarinë e Eqerem Gaxhollit revista ndërkombëtare e letërsisë dhe arteve “Mundus Artium” në Riçardson – Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpallur çmimin e parë vjetor “Babel” për përkthimin letrar, duke ia dhënë shqiptarit Eqerem Gaxholli.
Më tej revista shkruan: “Eqerem Gaxholli ka lindur në 1945 në Kërpicë Gramsh nën hijen e Malit të Tomorrit dhe është diplomuar në Institutin e Profesorëve të Frëngjishtes për të Huaj – Sorbonë e Re – Paris me bursë të Qeverisë Franceze. Gjithashtu ai është tiullar i diplomës Master në Drejtësi të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Pas tërheqjes nga funksionet qeveritare ai punoi për 15 vjet si Noter, Zyrtar Publik Ligjor.
Formimi i tij kulturor, lidhja për një kohë të gjatë me gjuhën dhe kulturën franceze, ambienti zyrtar dhe kontaktet kanë ndikuar pozitivisht për sjelljen në gjuhën shqipe të këtyre librave me personazhe historike dhe letrare, që kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimet politike dhe historike në kontinentit e vjetër europian”.
Duke komentuar vlerësimin, komisioni i çmimit “Babel” vuri në dukje se zoti Gaxholli është “shumë i suksesshëm në atë që bën, sepse e do dhe kupton artin dhe zanatin e përkthimit letrar në nivelin më të lartë. Librat që ai ka përkthyer deri më tani ofrojnë dëshmi të hollësishme të përvojës së tij përsa i përket zbërthimit të letërsisë nga një gjuhë e huaj, si dhe rindërtimin e saj në një tjetër. Patjetër që nuk mund ta kishim nisur dhënien e këtij çmimi me një kandidat më të kualifikuar se zoti Gaxholli”.
Pasi doli në pension, Gaxholli hoqi dorë nga postet qeveritare, punoi dhe spikati si noter i njohur publik.
Duke shfrytëzuar rastin e publikimit të këtij shkrimi modest për të, gazeta “Orakujt e Tomorrit” i uron atij një jetë cilësore, të shëndetshme dhe produktive.