Antonio Baldaçi: Bektashinjtë shqiptarë, të çuditshëm, më shumë ateistë se besimtarë…

Antonio Baldaçi: Bektashinjtë shqiptarë, të çuditshëm, më shumë ateistë se besimtarë…

 Shënime të studiuesit italian Antonio Baldaçi, të bëra 100 e ca vjet më parë

Kur nacionalistët shqiptarë, në marrëveshje me xhonturqit përgatitën revolucionin kundër Abdyl Hamitit, nga radhët e bektashinjve dhe melamive në revolucion u bashkuan të rinjtë më entuziastë. Dhe kështu, ndërsa sektet masonike të Selanikut tërhiqnin drejt revolucionit të gjithë donmetë, ose ndryshe judeo-myslimanët dhe seksionet e Komitetit Bashkim dhe Progres punonin në Stamboll, teqetë e melamive dhe të bektashinjve përgatisnin revolucionin shqiptar.

 

Mes shqiptarëve kishte edhe bektashinj. Ky sekt fetar islamik është pak i njohur. Për perëndimorët, por edhe për të krishterët e lindjes, ai është i rrethuar nga misteri. Sigurisht, që në zonat e tyre, mes Beratit, Tepelenës dhe Gjirokastrës, ku kisha jetuar gjatë në vitin 1894, nuk kisha arritur aspak të depërtoj në psikologjinë e bektashinjve, ndaj të cilëve ndjehesha megjithatë më kureshtar se sa ndaj atyre që turqit i quanin çata (andartët), dhe të studioja organizimin e tyre shoqëror.

Bektashinjtë janë menjëherë të dallueshëm, që nga paraqitja dhe veshja, sidomos nga taçi. Në doktrinën e vëllazërimit të bektashinjve, ndeshen shpesh edhe ide dhe praktika të krishtere, gjë që i bën ata të duken si heretikë para syve të myslimanëve të vijës së ashpër. Ata kanë edhe dogmën e Trinitetit (Allahu, Muhameti dhe Aliu).

 

Në ceremonitë javore të mbajtura në teqe, hanë edhe një darkë rituale në të cilën ndajnë mes tyre bukën, djathin dhe verën, edhe pse kjo e fundit është e ndaluar në Islam. Praktikojnë gjithashtu edhe rrëfimin dhe disa prej tyre edhe beqarinë, të cilat Muhameti i ka ndaluar rreptësisht si praktika fetare. Bektashinjtë përbëjnë pothuajse tërësinë e popullsisë myslimane në ish-vilajetin e Janinës.

 

Ata janë të shumtë në numër në Tiranë, Berat, Shkodër, Elbasan, Korçë, Shkup, Prizren, Gjakovë etj., lokalitete këto në të cilat gjenden edhe objektet e tyre më të mëdha të kultit.

 

Një bektashi i vërtetë nga Cukarela (kështu quhet Peristeri në gjuhën vllahe), është edhe shoqëruesi im simpatik, të cilit i pëlqen biseda me mua dhe uron të më ketë mik për të gjithë jetën, e këtejme dhe të përtejme. E falenderoj për mirësjelljen e tij, e cila shpreh miqësi deri në kufijtë e mistikes.

 

Përveç këtij, bektashiu shqiptar na shoqëron edhe një anadollian, i quajtur Van, i cili më thotë se nga këto anë mund të shkëmbehen letra me shtëpinë vetëm një herë në pesë ose gjashtë muaj.

 

Bëj krahasimin mes këtyre dy lloj ushtrive, të cilat i përkasin dy provincave ekstreme të Perandorisë: tek shqiptari dallohet gjallëria dhe inteligjenca e racës ariane, tek aziatiku, semiti i heshtur dhe mistik. Ata përfaqësojnë dy qytetërime të kundërta, të lidhura nga një fe e vetme, tek e cila, të them të drejtën, shqiptari më duket shumë më pak i devotshëm se sa aziatiku.

 

 

Antono Baldaçi 1967 – 1950

 Botanist, gjeograf italian, akademik.

 

Ka bërë kërkime në Ballkan, në Dalmaci, Mal të Zi, Greqi dhe veçanërisht në Shqipëri, ku edhe është përqëndruar më shumë. Ka disa libra me shumë interes të karakterit historik, gjeografik, demografik dhe ekonomik për Shqipërinë.