Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar”: ZALOSHNJA

Rubrika “Udhëtim nëpër Skrapar”: ZALOSHNJA

Ndërsa “Orakujt e Tomorri”  e kishin gati për botim shkrimin e mëposhtëm për Zaloshnjën, në faqen e Facebook-ut “Zaloshnja 1990 Group”, gjetëm një shkrim interesant të mikut tonë, Bujar Qato,  po për këtë fshat.

 

Duke parë se shkrimi i tij, jo vetëm pasuron informacionin, por jep të dhëna interesante të ditëve të sotme që ne nuk mund t’i siguronim dot, po i bashkojmë të dyja pjesët e shkrimit.

 

 

Zylyftar Hoxha

Bujar Qato

 

Zaloshnja – Histori

Fshati i Zaloshnjes  shtrihet në juglindje të malit të Tomorrit, saktësisht nën majën e Ramijes dhe të shkëmbinjve të thepisur të malit me të njëtin emër si i fshatit.

 

Vargu i maleve mbi fshat ndahet nga mali i Tomorrit në Qafën e Shtyllës, duke ruajtur gjithmonë drejtimin e juglindjes me një ndërprerje tjetër, Grykën e Dëvrisë, për të vazhduar pastaj me malin e Gradecit dhe të Leshnjes.

Vargu i maleve mbi fshat, me shkëmbinjtë thikë, me lëndinëzat sa një lëm në fund të tyre dhe pyjet me ahishte, arra dhe lajthi që ulen deri në krye të fshatit, i japin Zaloshnjes një pamje në dukje të ashpër alpine, por shumë të bukur dhe mbresëlënëse.

 

Fshati lidhet me malin nëpërmjet një rruge të vështirë që kalon nëpërmjet shkëmbit nga Shkallëza, Çuka e Djepes, Gjurma e Kalit, Ahet e Grykës, dhe del në mal.

Po të shkosh më tej, vazhdon te Murrizi, Lëmi i Çarçanit, Gryka e Katafiqit, Guri i Qyros dhe del në Kulmak.

Pamjen më mahnitëse Zaloshnja e ka nga Qafa e Dëvrisë, mbi Mëlovë, ku duket thuajse e gjithë Tomorrica e Përtejme, por veçanërisht më befasuese këtë pamje e ka nga rruga automobilistike mbi shkëmbinjtë e Zdrëmshit, ku duken oxhaqet me tym të shtëpive, ku dëgjohen zhurmat e jetës, të punës, zërat e fëmijëve, blegërimat dhe zilet e bagëtive të Zaloshnjes.

 

Fshati nuk është shumë i madh dhe shumë i bujshëm. Në dukje, nga larg, ai ngjan si një lagje e vetme. Dikur ka qenë i veshur me pyje të mëdhenj prej ahu, pishe dhe lisi. Për natyrën shkëmbore, ka patur shumë arrë, lajthi dhe shkurre mesdhetare, që rriten në këto lloj tokash. Sipas tregimeve të më pleqve nga fshati, pyjet mbulonin pjesën mbi Bregun e Mëllëzës, Rrahut të Mihos dhe gjithë hapësiat mbi rrugën automobilistike që kalon sot. Kështu, e mbuluar me pyje të dendura ka qenë edhe pjesa nën fshat, deri në lumë.

 

Zaloshnja është fshat me shumë burime uji. Rreth 60 përqind e tokës së fshatit ujitet. Burimi kryesor është ai që del në Lajthinë e Gurrëzës. Në vitet e mëparshme aty ka patur edhe mulli bloje. Burime të tjerë uji janë burimi i Zharrëzë, burimet në Moçale, Burimi i Kaçivelit dhe i Lajthisë së Kasës, Uji i Ferrit, Uji i Shmillit, i Arrishtës etj.

Fatkeqësisht, tani pamja e Zaloshnjes, lidhur me natyrën, nuk është ajo e dikurshme. Pyjet janë shfrytëzuar pa kriter dhe vendi është xhveshur.

 

Nga pikpamja historike, Zaloshnja është një nga fshatra me histori më të madhe dhe më të veçantë të Skraparit.

 

Familja Dosti ka qenë një vatër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare në Skrapar, me përfaqësuesit më në zë, Servet dhe Mahmt Zaloshnja, komandantë të çetave kryengritëse. Kjo familje ka mbetur si një familje historike, sepse edhe më pas, pinjojt e kësaj familjeje kanë marrë pjesë në ngjarjet historike më të mëdha që ka patur vendi ynë. Shtëpië e tyre në rrënim e sipër janë Monument që (S)mbrohen nga Shteti.

Lagjet që përbënin fshatin e Zaloshnjes kanë qenë:

Sulaj, Çela, Qato, Kuçuku, Feka, Dyrmishi, Ismailaj, Dosti, Çaçani, Sojati, Selimaj, Bendo, Balliu dhe Diko. Pra kanë qenë 15 lagje.

 

Fshati ka qenë kompakt, me marrëdhënie të mira me njëri – tjetrin, pa plagën e dikurshme të hasmërisë.

 

 

Zaloshnja sot

Shënimi i Bujar Qatos

 

Tomorrica. Ndjen një keqardhje të madhe kur e krahason atë me 30 vite më parë. Është e dhimmbshme kur shikon se si ajo ka mbetur sot.

 

Le ta fillojmë me relieving, që, edhe ai, për çudi, ka ndryshuar. Erozioni natyral dhe babëzia njerëzore kanë tjetërsuar edhe pjesën shkëmbore dhe kurorën e maleve. Më e dëmtuar është Mëlova. Rruga automobilistike ishte 100 herë më mirë 30 vite më pare, kur autobuzi me kapacitet 45 pasagjerë e bënte dy herë rrugën Çorovodë-Gjerbës dhe anasjelltas.

Por erozioni dhe korrozioni më i madh në Tomorricë ka qënë largimi në mas i popullsisë.

Disa fshatra kanë humbur identitetin e tyre, ekzistojn si toponime, por pa banorë. Të tillë jan Barçi i Sipërm, Mëlova, Prrenjasi, Grëmshi etj.

 

Para disa ditësh lexova tek “Orakujt e Tomorrit”, gazetë o- line, një shkrim nga profesor. asoc. doc.

Hysen Binjaku, ku flitej gjerësisht për fshatin Çerricë, me pozicionin gjeografik, resurset, lagjet dhe pak nga historia e këtij fshati. Më tërhoqi dhe më bëri përshtypje titulli i shkrimit: “Çerrica para se mos të jet më(!)”.

 

Mendova menjëherë Zaloshnjen. Jemi të lumtur që fshati yn ekziston. Por kemi harruar të bëjmë diçka për ata që e mbajtën Zaloshnjen.

Prandaj sot duke i përmendur familjet zaloshnjare që nuk u larguan për asnjë çast nga vendlindja , u shprehim falenderimet tona këtyre heronjve të ditëve tona që dinë të jetojnë edhe kur u mungojnë disa nga kushtet më  elementare të jetesës.

 

Në lagjen Çarçani jetojnë, Esat Çarçani me vëllezërit Etem Çarçani, Tajar Çarçani me djalin e tij me fëmijë, Fatjon Çarçani.

Nga themeli i familjes së madhe të Nebi Çarçanit në Zaloshnje jeton bashkë me familjen e tij ,Bujar Çarçani.

 

Në Lagjen Shimi jetojnë në Zaloshnje, Edmond Shimi, Krenar Shimi, Ilir Shimi, Demir Shimi, Ilirjan Shimi me familjet e tyre.

 

Në lagjen Furtuna jeton Jaçe Furtuna me familjen e tij.

 

Në Lagjen Sulaj jetojnë familjet e Xhevahir Sulës, Besim Sulës, Yzeir Sulës, Çajup Sulës, Bilbil Sulës , Myftar Sulës, Dilaver Sulës e Fatëtim Sulës.

 

Në lagjen Balliu jetojn familjet e  Bedri Balliut dhe Hamza Balliut.

 

Në lagjen Çela jeton familja e Elidon Çelës.

 

Në lagjen Kuçuku jeton familja e Sabedin Kuçukut dhe e Bledar Kuçukut.

Në lagjen Dyrmishi jetojnë familja e Eduart Dyrmishit, Qazim e Altin Dyrmishit, Hekuran Dyrmishit dhe e Alo Dyrmishit.

 

Në lagjen Sojati jeton familja e Veri Sojatit

 

Në lagjen Qato jeton familja e Bardhi Qatos.

 

Shumë shtëpi të reja janë ndërtuar në  Zaloshnje dhe shumë zaloshnjarë jetojnë midis zonave urbane dhe vendlindjes, si  Albert Sula, Artur Kuçuku, Engjell Çarçani, Kastriot Çarçani, Safet Shimi, Jonus Kucuku etj.

Do të më falin, për momentin, nëse kam harruar ndonjë emër tjetër të atyreve që jetojnë në Zaloshnje.

 

Zaloshnja do të jetojë e do të mbijetojë se e meriton.