Apologjia e fjalës

Apologjia e fjalës

Mihal Gjergji

Quajeni nervozizëm, por jo urrejtje. Unë jam edukuar me dashuri, nga fëmijëria deri sa u thinja. Kam heshur kur duhet të flisja dhe pendesa qënka më e rëndë se guri i Sizifit.

 

Dua t’i harroj monstrat me fytyrë njeriu, edhe të ngjajshmit e tyre, por faji s’është imi. Ata shfaqen mëngjez e mbrëmje në ekrane, në gazeta, në portale. Herë pas here dalin në ballë të çetës së kusarëve, këmbejnë vendet me njëri-tjetrin.

 

Mos e ngatërroni me çetën e profetëve, ajo bën fjalë për botën shpirtërore. Banditët s’kanë gjak, as ndjenja, as komb. S’mjaftojnë gjuhët e Ballkanit për ti sharë. As pështyma për t’ua hedhur surratit. Prej vitesh kanë pirë ujin e qelbur në moçalet e Anadollit, Athinës dhe Beogradit, kanë dalë nga gjirizet dhe kundërmojnë erë të padurueshme.  Hanë bukën e Perëndimit dhe bëjnë duvanë e Lindjes.

 

E çuditërisht vazhdojnë sundimin me dorë të hekurt. Të gjitha janë të tyre; tokat, lumenjtë, detet, bankat, portet, aeroportet…Edhe turma që i duartroket, e mësuar me skllavërinë e kahmotshe, është e tyre. Kjo çetë banditësh ua ka shplarë trurin, mjeranët i ushqen me një realitet që s’ekziston as në ëndrra, i ysht, i ndjell pas vetes, u hedh nga një kothere dhe i ndërsen, ku dhe kur të dojë. Intelektualët nxitojnë matanë sinoreve, sikurse unë. Ata që kanë mbetur kanë shtruar kurrizin, sepse duhet të tërheqin kalin e beut.

 

Mos e kërkoni Ezopin që t’iu tregojë rrugën, me siguri është larguar për ti shpëtuar lëngatës. Ndaj Atdheu mbetet përherë i papërfunduar. (Nuk e di sa luigj ari kushton një ministër, sa dollar kushton një deputet, me se peshohet një sekretare seksi?). Banda e hajdutëve më kujton hienat, shtohet çdo ditë, dhe janë më të frikshëm se Zhaveri, më gjakatarë se Neroni, a thua se janë përkundur në një djep me Xhingis Hanin(!) Pallatit mbretëror askush s’i afrohet.

 

Kush e gatoi këtë gjellë të hidhur që na serviret çdo ditë, këtë mynxyrë për të cilën askush s’dëshiron të flas, as Bankua, as zonja Makbeth. “Më i afërmi në gjak më afër na pi gjakun”. Kjo është vdekja e bardhë e Shqipërisë, kështu mendojnë sundimtarët. Por harrojnë që rraca jonë është më vitalja, më e bukura, më qëndrestarja.

 

Në fytyrën e nënave shqiptare unë kam parë shembëlltyrën e Zotit, dorën e tij. Dhe pikërisht këto nëna do ti zgjojnë fëmijët e tyre nga gjumi. Përparimi ka vetëm një çmim, guximin njerëzor. S’mund të vritet një komb, s’mund të zhduket një popull, tiranët-po. Plutarku thoshte se tirani nuk plaket kurrë, sepse pinjollët e rinj zëvëndësonin baballarët e tyre.

 

Pishtari i Prometeut s’ka mundur që ti shkrumbojë. Lartësitë i ngjisin guximtarët, ndërsa ata që mbajnë në shpinë arin e grabitur lëvizin natën. Turpin s’e njohin.  Ata vijnë, na shkrumbojnë, na plaçkisin (siç ndodhi me Trojën) dhe përfundojnë në humbëtirën e harresës. Hiçërit s’kanë mundur të bëjnë histori, asnjëherë.

 

Ndoshta s’më besoni, por ky është mësimi shekullor i njerëzimit. Puthadorët i shikoj kudo, sejmenë të bindur pa shtyllë kurrizore.

 

Gavroshin e vogël s’e kam parë t’u afrohet vilave me themele gjaku! Paçka se  më dhimbsen, unë s’kam ardhur në jetë të afroj mëshirën kristiane. Mësojeni pra, në fytyrat tuaja gëzimin do ta sjellë vetëm liria, jo sundimtarët.

Qershor 2022