Arti si sfidë e vetvetes / Motrat Jora dhe Kleitia Vaso në një sipërmarrje të guximshme artistike…
…në performancën “Nga pafajësia, në pafajësi”, me një temë universale nga lindja e njerëzimit, për fëmijërinë, pafajsinë e fajsinë, bërjen, çbërjen e ribërjen e njeriut
Sefedin Çela
Jora Vaso është nga ata miqtë e fb, shumë më e re se vajza ime e se djali im, nga soji i miqve virtualë që respektojnë të njohurit e hershëm të prindërve të tyre.
Kam shumë miq të tillë, shkëmbejmë dhe komente sipas rastit, duke menduar se, realisht, mund të mos i njohësh tërë jetën, sidomos ata në moshë të re si Jora. Jo se na ndan shekulli në mes, po ca si puna ime mendohet se kanë mendësi të mbartura nga shekulli i kaluar, si të thuash mbetur në klasë, në shekullin me dy XX!
Por kurrë mos thuaj kurrë!
Një ditë lexova në rrjetet sociale se në fund të dhjetëditëshit të dytë të muajit prill, për dy netë me radhë në Teatrin Eksperimental do të shfaqej premiera e performancës “Nga pafajësia në pafajësi”, autore të tekstit të së cilës ishin dy fejsbukset e mia motra Jora e Kleitia Vaso! Me një temë universale nga lindja e njerëzimit, për fëmijërinë, pafajsinë e fajsinë, bërjen , çbërjen e ribërjen e njeriut.
Si dy motrat, koreografi, – njëherësh edhe balerini kryesor e udhëheqësi artistik Julian Bulku, edhe kompozitori Alban Laro, si dhe performues të tjerë, janë të gjithë të rinj!
Thashë me vete, ç’janë vallë këta të rinj që guxojnë e notojnë kundër rrymës, në kohën “moderne” të tallavasë e kitçkulturës me një temë të vjetër sa bota, të lakuar e thënë e stërthënë në të gjitha gjuhët e botës?
Ma kanë sjellë në majë të hundës të rinj njësoj me flokë të qethura ballaboks, me njësoj tatuazhe nga qafa në krahë, me njësoj mjekra me majucë, si të klonuar njëri tjetrin, vajza njësoj buzëbotokse, njësoj të ngjyrosura e zgjyrosura , me njësoj thonj duarsh e këmbësh si marrë hua njëra tjetrës, njësoj të klonuara, që na i servirin ekraneve si trendi e ajo çka duhet të jenë e çka duhet të duan rinia e sotme!
Vallë çfarë modeli jete e filozofie na ofrojnë këta të rinj ndryshe, me variacione moderne rreth një teme të stërnjohur, vetë të pa njohur kësaj nahijeje e pa i mbështeur askush?
Nuk mund ta ndiqja performancën në sallë për mundësitë e kufizuara në lëvizje, të njohura për miqtë e mij të kafes e të fb, po ngasja e tahmaja ishte e madhe, si ndodh rëndom me mosha si unë, që harrojnë e duan gjëra që nuk mund t’i kenë.
I kërkova ndihmë Jorës me mesazh dhe teknologjia më kurseu këmbët: e pashë shfaqjen në divanin e shtëpisë, me lap top mbi gjunjë!
Nuk jam i prirur drejt artit modern, as kam formimin e duhur për të gjykuar për të, po besoj se jam në gjëndje të dalloj një sprovë nga një punë serioze. E konceptuar mirë artistikisht arti i fjalës me teatrin e baletin modern, me muzikën e lojën e ngjyrave e dritave krijonin një unitet të idesë, sipas copëzave – akte e situatave që shtjellonte fabula, për aq sa mund të pretendohet për fabul të mirëqënë në një performancë moderniste.
Një burrë , që nënkupton një popull, në kohë e vend të caktuar, bën përpjekje të pareshtura për t’ia dalë, për të gjetur vetveten, në sprova të mëdha. Ekspresion me lëvizje të lodhëshme të Julian Bulkut për të përshkruar këtë rrugë të mundimshme.
Gjithçka lë gjurmë, muzika nga neutrale fillon e identifikohet në intonacione të njëhura shqiptare; tema, nga e vjetër biblike profilizohet, merr fytyrë të performuesve të njohur prej nesh. Sakrifica njerëzore lokalizohet me baladën e vjetër të murimit, me Rozafën, me mesazhin e gjithëkohshëm se përjetësohet kush jep dashuri e jetë për jetë të atyre që vijnë pas, bijve :
“Një gji jasht m’e i dhanë me pi,/ një sy jasht për m’e shikue ,/ nji vesh jasht djalin m’e ndi,/një dor jasht m’e ledhatu,/ një kamb jasht n’djep me pajtu”
Ndërkohë, në një tablo me ngjyra kozmike, si nga planet tjetër, gra me ombrela ecin si hije, të zhgënjyera, me lëvizje të ngadalësuara, nga mungesa e atmosferës, të kujtojnë hapat e para të Armstrongut në Hënë. Në vend të balerinave këtë tablo e luajnë në skenë si në jetë mamatë, disa prej tyre mamatë e krijuesve të performancës!
Këto përpjekje të vazhdueshme për liri e drejtësi , me shumë zëra i përsërit edhe kori. E kaluara nuk kthehet kurrë atje ku e ke lënë. Jeta është tërë plagë, kur të dhëmbin kujtohesh ku i ke marrë. Historia tregon se e vërteta, drejtësia e vendi i shqiponjave ndonjëherë mund të ndodhen dhe bashkë, po në të shumtën e herës veç e veç. Si tregon se në këtë botë disa dalin në krye, disa rreshtohen pas tyre, të tjerë vdesin pa marrë vesh ç’bënë në këtë jetë.
“Ah, ç’bëmë ashtu, ashtu,/ Kaq nëmë e gjëmë? / Çfarë bëmë ashtu, bubu!/ Sikur gjë s’ bëmë?” Pastaj “Si ndrite o lumturi, / për dashurinë!/ si zbrite , o dashuri, /për në greminë!” Dhe “ soditemi me sy,/ me gojë s’ flasim, / nemitemi të dy, / durojmë e s’ plasim!”
Ndërkaq, në mbyllje, nuk do të ketë më performancë e lojë në skenë, thonë autorët, , as spektatorë. Jashtë do të ketë jetë. Ashtu si është. Pra mjaft me çdo gjë tjetër, mjaft pa mendje, mjaft pa bukuri, mjaft pa dashuri.
Me lap topin ende mbi gjunjë, në fund thashë: kurseva këmbët, po më mungon reagimi në sallë! Kam dëgjuar se për tallavatë në salla e tallavatë në tv ekrane ka ithtarë shijerrafshë boll. Po në një performancë si kjo, vallë, ka mbetur spektator besnik , si ata të Plagës së Dhjetë të Gjergj Alisë, të Rigoletos a të Natës së Dymbëdhjetë?
Me një kafe të mirë përpara te Piaca, pyes veten e Jorën. Nuk ishin thyer dyert e teatrit, po kishte shumë entusiazëm. Kam marrë kënaqësinë më të madhe për atë që kam bërë deri tani në jetë, tha Jora.
E besoj. Që nga veshja dallohet që ka të shtrenjtë dinjitetin e integritetin e një të riu që ëndërron e nuk fluturon. Zogjtë fluturojnë. I them, arti kudo është i vështirë, por në një vend të vogël , me probleme e me treg të vogël si yni, me art nuk bën dot as para, si i’a del?
Kjo vajzë ka patur fatin të formohet mirë. Ka studiuar në Amerikë e ka bërë doktoraturën në Poloni. Di ç’është shkollimi së mbari, puna, mendësia për të dyja, pasioni. Ajo ushtron profesion tjetër e me art gjen kohë e merret me pasion. Si dhe motra e saj, ndryshe e një, plotësojnë njëra tjetrën.
Disiplina është pjesa më e mirë e lirisë time, thotë Jora.
Gëzohem që ka shumë vajza e djem si Jora, që nuk marrosen me jetën tallava e zgjedhin punën, artin e vetëdisiplinën si pjesën më të bukur të lirisë së vet. Më mrekullon fakti që baletmaestri Julian Bulku, me jetë artistike në Greqi, Angli, a qoftë dhe në Azerbaxhan, zgjedh të përkushtohet për një performancë në vendin e vet. Si më mrekullon fakti që ky projekt me të rinj ngjiti në skenë pas 60 vjetësh mësuesen e moshuar të baletit Nermin Strazimiri.
Si nëpunës i dikurshëm i kulturës, pyes për kostot. Ndihmoi kush financiarisht?
Nuk ka projekte për të rinjtë, sidomos për tema që guxojnë e i zgjedhin vetë. Nuk ka sruktura ku mund të verifikohen , seleksionohen e financohen vlerat nga klishetë e mediokritetet. Në disa institucione punohet me ç’tu dalë përpara,me lobingje emrash, ndoshta dhe me sekserë interesash.
Projekti u financua nga kursimet e vet krijuesve. Salla u muar me qira.
Epo arti është dashuri, është sakrificë, thotë Jora. Ia vlen të sfidosh vetveten.