Asqeri Guri, mjeku i zemrave dhe shpirtrave njerëzorë
Zylyftar Hoxha
Asqeri Guri, një figurë e njohur në Skrapar në kohën e socializmit jo vetëm si mjek, por edhe si një njeri tepër shoqëror, tani banon në Miçigan të SHBA-së bashkë me familjen e tij, të shoqen, Tamarën dhe dy vajzat. Megjithëse larg, ai mban lidhje të rregullta me miqtë e tij të shumtë në Shqipëri.
Një ndër ta është edhe skulptori dhe poeti Haxhi Kalluçi, i cili më përcolli një letër interesante dhe fotografinë e një dhurate që Asqeiu ia kishte dërguar atij, siç bën edhe me shumë të tjerë. Këtë gjë e ka bërë edhe me mua para tre vjetësh, kur erdhi për pak kohë në Shqipëri.
Jo vetëm kaq, por Asqeriu që andej gjen mënyrën për të bërë qokat e gëzimeve dhe të vakirave te të dashurit e tij të shumtë.
Si “shpërblim” dhe mirënjohje për gjithë këto, unë i mora një intervistë që e kam botuar atëhere në gazetën “Dita”.
Rasti i Haxhiut më ngacmoi për ta nxjerrë nga arkivi im personal dhe për ta botuar këtë intervistë përsëri sot te “Orkujt e Tomorrit”:
Doktor Asqeriu, keni patur një popullaritet të dukshëm në Skrapar gjatë viteve që punuat aty, të gjithë iu donin dhe respektonin, sipas jush, nga se ka ardhur kjo?
Kjo ka qenë pjesë e edukatës sime familjare me parime bektashiane, sidomos nga babai; njerëzit i kam dashur, iu kam ndenjur pranë kur kanë patur nevojë, i kam ndihmuar, kam vlerësuar si atë zengjinin, por edhe fukaranë, nuk i kam shitur shokët dhe kolegët siç bënin disa në atë kohë…
Zutë në gojë babanë si bektashi…
Më vjen sinqerisht keq edhe për ju që shkruani, por më ngacmuat në një pikë delikate. Historia e Skraparit është vërtet e lavdishme, por duhet thënë ajo që është, që ka ardhur vërdallë vetëm në disa emra, të cilët jo se s’e meritojnë, përkundrazi duhet folur edhe më shumë për ta, por ka edhe shumë kontribute të tjera, që kanë sakrifikuar edhe jetën për atë krahinë dhe që nuk u zihet emri në gojë fare.
Psh, babai im, Tahiri, ka qenë efendiu i vetëm në zonën tonë që kish mbaruar shkollën në Stamboll për teologji dhe kish marrë titull. Ai ka marrë pjesë në të gjitha veprimet luftarake në Skrapar që nga ’12-a e këtej, por s’e gjen gjëkundi. Po kështu edhe shumë luftëtarë të tjerë të zonës sonë.
Krahas kësaj shtëpia jonë ka qenë bukëdhënëse. Babai im ishte mik i ngushtë i Sali Butkës, i cili kishte në çetën e tij 82 skraparllinj nga zona e Potomit dhe e Tomorricës. Babai na tregonte një histori të Sali Butkës kur kishte qenë në shtëpinë tonë bashkë me trimat e tij. “Do të jap vëllanë tim, Arshinin, në çetë”, i kishte thënë Saliut babai. “Ta shohim një herë, ta veshim, si do të ngjajë”, ia ktheu Saliu. E veshën Arshinin me fustanellë, i vunë martinën në sup, Saliu i hodhi kryq çantën e tij të sekreteve, ku mbante edhe florinjtë, pasi shtëpia i ishte djegur dhe fëmijët i kishte në Staraveckë”. Kur e pa ashtu babai të vëllanë, Arshinin, i shpëtuan lot gëzimi.
Që atëherë në zonën tonë ngeli shprehja që dëgjohet edhe sot: “I mbetën lotët në mustaqe si Tahir Efendiut”.
Mbaj mend se ju Partia në atë kohë u mbante afër, ishit zgjedhur edhe në forumet e saj në rreth…
Po, ka qenë e vërtetë. Mua, si duket, më mbanin se u duhesha, me sa kuptoja unë, për një farë emri të mirë që gëzoja, për njohjet e shumta që kisha dhe për natyrën time të butë, që s’më shkonte mendja në të liga. Ndaj më angazhonin në konflikte që ndodhnin në fshatra, sidomos në çështje delikate. Dhe e vërteta është se kam mbyllur shumë sherre.
Mbaj mend, një herë në Leskovë kishin shkuar disa ekipe, madje edhe kuadrot kryesore të rrethit, për një çështje të koklavitur dhe që nuk e kishin zgjidhur dot. Më thërret sekretari i Parë, i cili më thotë: “Vetëm ti mund ta zgjidhësh atë çështje, ndaj nisu menjëherë atje, se mund të ndodhë ndonjë krim”. U nisa. I zoti i shtëpisë, njëri nga ata të konfliktit, sa më pa në oborr, thirri: ”Obobo, o Asqeri, vetëm ti të mos kishe ardhur, ma hëngre kokën, nuk të lodh unë ty, të kam bashin e miqve; lajmëroni fshatin të mblidhet. Hoqa dorë që tani”!…
Kështu u mbyll kjo mesele pa bërë fare bam…
Ju, krahas detyrave si drejtor i spitalit të rrethit, si shef reparti, por edhe si mjek i thjeshtë më vonë, jeni marrë edhe me mjekësinë popullore; si iu futët asaj?
Ai që ma bëri pasion këtë punë, ka qenë Kahreman Ylli; sa herë që më takonte në Skrapar apo në Tiranë, më thoshte: “Asqeri, merru me mjekësinë popullore, grumbullo përvojën tonë në këtë fushë që është shumë e madhe. Dhe jo vetëm do t’i vish në ndihmë popullit, por do të rritësh edhe emrin tënd si mjek”.
Ashtu bëra, iu futa me dëshirë asaj pune; me studime, jo kuturu. Takoja pleq e plaka të vjetër që e kishin ushtruar dikur këtë zanat, merrja të dhëna për recepturat që përdornin, për llojet e bimëve. Krijova albumin herbar me bimët medicinale të trevës sonë, bashkëpunoja me mësues biologjie, me barinj, por edhe me institucionet qendrore mjekësore kombëtare, madje edhe ndërkombëtare.
Edhe kur erdha kohët e fundit në Tiranë vazhdova me pasionin tim, që është një punë e bukur, gjithnjë në kërkim.
Tani jeni prej vitesh në Amerikë, i ushtroni profesionet tuaja?
Amerika është Amerikë, atje ka punë për të gjithë, por ka tjetër sistem pune, të papërfytyrueshme nga ne dhe sidomos nga intelektualët tanë. Atje vlerësohet puna intelektuale, por edhe përgatitja është e një shkalle sipërore. Të ushtrosh një profesion nga një shkollë socializmi në Amerikë, është një absurditet, duhet të rikualifikohesh, por mosha ime 67-vjeçare e ka pothuaj të pamundur ta bëjë një gjë të tillë.
Kështu që kam gjetur një punë tjetër, në përshtatje me moshën, me mundësitë fizike të miat, dhe jam shumë i kënaqur. Më kënaq më tepër ecuria e vajzave të mia, Ani dhe Deni, të cilat kanë gjetur veten dhe punojnë e jetojnë të lumtura me familjet e tyre.
Si e jepni ndihmën tuaj në veprimtaritë e shqiptarëve në Amerikë?
Ne, i jemi të gjithë mirënjohës komunitetit tonë atje në Amerikë, që në kohërat më të vështira ka dëshmuar jo vetëm atdhetarizmin dhe vëmendje ndaj shtetit amë, por edhe ka vepruar konkretisht në problemet më të rëndësishme që kemi pasur si komb.
Një nga aspektet kryesore të punës së këtij komuniteti është ruajtja e identitetit të vetë. Së dyti, lobi shqiptar duhet të jetë i gatshëm për ta mbajtur të sensibilizuar opinionin botëror me kahe nga kombi ynë, sepse jemi një popull i vogël. Dhe, së treti, kontributi i diasporës shqiptare duhet të jetë që shqiptarët, të cilët jetojnë në emigracion, por që kanë përvojë të traditës, të pronës, të kulturës; që zotërojnë dhe mjetet e mjaftueshme, duhet të vijnë dhe të ndihmojnë Shqipërinë dhe Kosovën që ato të jenë shtete model. Vetëm vëllazërisht dhe bashkërisht mund të bëhen gjërat e mira. Sot, jo nesër.
Dhe tani të flas konkretisht, ç’bëjmë ne në Detroid. Mblidhemi siç mblidheni ju këtu në Tiranë dhe festoni “5 Shatorin”. Po atje kemi dhe teqenë që na mbledh, janë klube të shqiptaro-amerikanëve që e kanë për nder t’u shkojnë shqiptarë të organizuar në lokalet e tyre. Tani që unë u lidha me ju, do të ngre degën e shoqatës “Tomorri” atje, pasi jemi shumë shqiptarë të atyre zonave që betohen “për çukën e Tomorrit”!
Ç’u bëri përshtypje në Shqipëri?
Pavarësisht se politika në Shqipëri ka ecuritë e saj dhe ne dëgjojmë dhe e ndjekim atë çdo ditë, Shqipëria, veçanërisht Tirana, ka bërë ndryshime të mëdha në këta tre katër vjet. Siç thashë, edhe ne atje nuk jemi të kënaqur me këtë lloj qeverisje, me këto forma dhe fenomene që ndeshen këtu, por fakti që ka zhvillim, tregon se ecja drejt demokracisë është e pandalshme. Shqipëria do të bëhet. Qeveritë kanë rolin e tyre, mund ta shpejtojnë ose ngadalësojnë zhvillimin, por nuk mund ta ndërpresin.
Më vjen keq që klasa jonë politike, megjithëse merret me politikë, nuk merr asgjë vesh nga politika botërore dhe nga përvoja e saj e çmuar në shumë vende të botës.
Letërkëmbimi me Haxhi Kalluçin, mes letrave edhe dhuratat, një kollare dhe 100 dollarë