Babai im, Riza Musai, në 100-vjetorin e shkollës së Vëndreshës – Skrapar

Babai im, Riza Musai, në 100-vjetorin e shkollës së Vëndreshës – Skrapar

Bardhyl Musai

Para disa kohësh, miku im dhe veterani i arsimi,  Zija Zajmi më kërkoi disa dokumente e foto për 100-vjetorin e hapjes së shkollës në Vëndreshë të Skraparit, ku edhe babai im, ka filluar karrierën si mësues në këtë shkollë në vitin 1936.

 

Kush është Riza Musai?

 

Lindi në Kishtë të Gramshit në vitin 1915 dhe në moshë të vogël humbi nënën e u rrit jetim. Në vitin 1929, në moshën 14-vjeçare shkon në Tiranë në Shkollën Teknike të Hary Fultz-it, të cilën e përfundon në vitin 1934. Po atë vit fillon mësimet në shkollën Normale të Elbasanit të cilën e përfundon në vitin 1936.

 

Menjëherë emërohet mësues në Vëndreshë dhe më pas në disa shkolla si në Kajan dhe Belsh të Dumresë. Pas Luftës emërohet në Orenjë dhe Spatharë të Librazhdit, më pas në Barbullinjë, Mizë dhe Divjakë të Lushnjes derisa familja vendoset në Elbasan në vitin 1955 dhe shërbeu mësues në Trepsenisht, Jagodinë dhe Tregan ku edhe doli në pension në vitin 1970.

 

Pushteti nuk e pa parë me sy të mirë familjen tonë, për shkak se babai kish ndjekur shkollën e Fultz-it, sikurse edhe të tjerët që kanë vazhduar atë shkollë, dhe një arsye tjetër prej të vëllait, Dervish Musai, i cili ka qenë anëtar i Ballit Kombëtar.

 

Babai nuk u kthye më në vendlindje që kur u largua në vitin 1929.  Në dosjen time, që ndodhej në zyrën e kuadrit, të cilën e kam parë në vitin 1993, në karakteristikën familjare, në faqen e parë ishte shkruar: Familja nuk ka pasur qëndrim të mirë politik.

Babai ynë ka qenë njeri korrekt, tepër i ndershëm dhe ka edukuar tek ne fëmijët e tij vlerat më të larta njerëzore. Në familje kemi ndjekur një zinxhir të pandërprerë të profesonit të mësuesisë, unë të babait dhe babai të vjehrrit të tij, Shaban Blloshmi, anëtar i Kubit të Manastirit, përhapës i gjuhës dhe shkollës shqip, delegat në Kongresin e Lushnjes, për të cilin Edëin Jacques shkruan:

 

 

“Shtyshkronja e Manastirit financohej aktualisht nga një grup bejlerësh myslimanë tregtarësh të fuqishëm e partiotësh. Drejtues i punës ishte Gjergj Qiriazi, vëllai i Gjerasimit, që kishte themeluar Shkollën Qiriazi të vajzave në Korçë. Vendosmëria e tyre për të vënë menjëherë në zbatim vendimet e Kongresit të Manastirit duket qartë nga letërkëmbimi me Gjergj Qiriazin në shtator 1908.

 

Autori i letrës ishte Shaban Blloshmi, një patriot 26-vjeçar, i cili, në saje të bëmave të tij me armë në gjithë pellgun e Shkumbinit dhe të përkrahjes së abetares shqipe, fitoi titullin popullor të “mësuesit kaçak“.

 

Përshëndetja e letrës së tij, drejtuar Gjergj Qiriazit, ishte shumë e veçantë:

“Të puth sytë e birit tënd për lirinë e gjuhës shqipe“. Më tej ai thoshte: “Sot që vendi është i lirë, edhe gjuha shqipe po përparon gjithkush ka filluar të mësojë, por heqim keq sepse nuk kemi abetare. Prandaj lutem me gjithë zemër që, me ndonjë njeri ose me postën që vjen në qukës, dërgomë disa abetare e libra dhe çdo javë gazetat që shtypen tani“.