Bardhyl Ylli, “luftëtari ndryshe” i LANÇ-it në Skrapar

Bardhyl Ylli, “luftëtari ndryshe” i LANÇ-it në Skrapar

Luman Caka

Të shkruash për Bardhyl Yllin është si të shkruash për muzeun e Skraparit, në Çorovodë. Emri i tij është shkrirë e bërë një me muzeun.

 

Bardhyli ka qënë nga mësuesit e parë vendas që nga 10-vjetori i parë pas  çlirimit. Punoi me katër klasë kolektive dhe më pas, me hapjen e shkollës 7-vjeçare, u emërua drejtor.

 

Në vitin 1969 u emërua drejtor i muzeut në Çorovodë.  Në Leshnje, fshatin e tij të lindjes, ai  dha e mori mësimet e para në “universitetin” pa libra e fletore të Sinan Yllit, Sadushit, Sakos, Figanit dhe të Kahremanit me Aqifin, Kastriotin e Ajetin, etj.

 

Mësuesit e tij të parë e të fundit mbetën Rikja me Niazin, prindërit e tij. Në Leshnje, kur ishte miturak 6-vjeçar, mësoi e dëgjoi për partizanët. I trembur pa bashkëluftëtaret mes partizanëve që zbrisnin nga mali, mbi shtëpi, duke sjellë në një vig të përgjakur birin e Mallakastrës e komisarin e çetës së Skraparit, Heroin e Popullit, Ramiz Aranitasi, të vrarë pabesisht.

 

Me emërimin e këtij pinjolli të familjes Ylli, si drejtor i muzeut të Skraparit, punës iu gjend i zoti. Meritën për këtë e ka i paharruari Teki Malindi.

 

Muzeumi ynë ka qenë krijesë e Bardhyl Yllit. Punoi pa orar, si mësuesit e mirë me katër klasë kolektive. Siguroi ndihmën e titullarëve të rrethit. Zuri e bëri miq artistë, historianë e specialistë në Tiranë, Korçë, Gjirokastër,etj. Punoi në arkivin e shtetit për vite me radhë, si dhe në bibliotekën kombëtare. Në të njëjtën kohë u njoh dhe krijoi lidhje me ish komandantë e komisarë skraparas e të rretheve pranë.

 

Mblodhi kujtime, objekte, armë, relike të luftëtarëve  të LANÇ-it. Krijoi fototekën, bibliotekën, këndin arkeologjik,arkivin, etj. Bashkëpunoi me shtypin dhe botoi shkrime për ngjarjet e shumta të  luftës, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët me emër.

 

Në emër të muzeut ai botoi broshura, fletëpalosje dhe libra modeste, por me vlerë edukuese. Muzeu u bë tylbe, mekam dhe teqe, për mbarë rrethin.

 

Themeluesi i tij pasionant ka afro 20 vjet që nuk jeton më. Iku në moshën 66-vjeçare në Tiranë, zemërthyer për të mos e parë më krijesën e vet. Këtij muzeu tani i ka mbetur vetëm emri dhe kyçi edhe pse në bordero firmosin e marrin rrogën.