Bejdo Çepani, folklori, “dashuria e dytë”, e fortë e këtij mësuesi të talentuar vokopolas

Bejdo Çepani, folklori, “dashuria e dytë”, e fortë e këtij mësuesi të talentuar vokopolas

 

Myzaljen Hoxha

 

Bejdo Çepani u lind në Vokopolë më 1948. Ai kishte arsimin e mesëm të Gjimnazit të Beratit, dhe fill pas tij mbarojë studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës për Mësuesi.

 

 

Bejdo Çepani ishte mësues për gati 25 vjet në sistemin mësimor 8-vjeçar të mësimdhënies në Shkollën “Ferid Vokopola “ në Vokopolë, Berat. Ishte një mësues me talent, një edukator profesionist i përkushtuar, që, me punën e tij ka lënë gjurmë  të thella te nxënësit që kaloi nëpër duar, te kolegët e tij mësues, te bashkëfshatarët dhe të gjithë ata që e kanë njohur.

 

 

Bejdo Çepani veç punës pedagogjike, kishte edhe një pasion, që ishte folklori. Folklori ishte për Bejdo Çepanin “lëkura e dytë“. Ai ishte një mbledhës i shkëlqyer i pasurisë gojore të popullit, por edhe një përpunues i talentuar i saj.

 

 

Në takimet dhe bisedat tona të hershme për folklorin vokopolar, pasi dhe interesi im ishte i veçantë për folklorin proverbial të Vokopolës, ai për të më nxitur në këtë fushë të kulturës së të folurit artistik të popullit, më ka dhënë një “set“ proverbash vokopolare, si:

 

 

 

– Tri gjëra e pasurojnë shtëpinë: – Vatra që nxjerr tym, buka që vjen shpejt dhe rakia e rrushit si ” pija e zotave “.

– Një baba i keq është gjithmonë një baba

 – Kush flet pas shpine, i përgjigjen të ndënjurat

– Rruga e gjatë të kthen në shtëpi

– Lepuri vdes ku lind

– Gruaja e bukur e bënë burrin të lumtur

– Hallet e mëdha mbulojnë të voglat

– Koha e keqe sjell erën

– Vdekja qahet për të përballuar dhimbjen

– Me shtatorin të ngrohtit shkon në qiell

– Kur të përkëdhel macja, ajo ngre bishtin

– Kur gjëmon – bie shi, kur vetëtin – qetësohet koha

– Kur gomari pëllet do kashtë

– Kush nuk di të rjep, prish lëkurën

– Duhet t‘i hapësh sytë para se të martohesh, mbrapa duhet t‘i mbyllësh

– Ku ka ëmbëlsi ka dhe adhtësi

– Birit të dhelprës nuk i mësohet strofulla

– Gruaja e mirë e bënë burrin të mirë

– Ku janë dy këndez, nuk lind kurrë dita

 

 

Bejdo Çepani iku shpejt nga kjo jetë, duke lënë një emër të mirë, të nderuar dhe të respektuar për familjen, arsimin, folklorin, shoqërinë dhe për brezat e saj që do të vijnë, si dhe për vetë Vokopolën tonë.

 

 

Shpirti i tij prehet në amëshim, në Vokopolë.

 

 

Përjetësia e kujtimit të tij qoftë përherë me familjen, miqtë dhe të afërmit, shoqërinë vokopolare që i shërbeu me përkushtim, Vokopolën dhe brezat që do të vijnë.