Bukuria e vërtetë që nuk gjendet në kartolina
Një turiste e huaj, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, shkroi disa rreshta të thjeshtë, por që thonë shumë:
“Në Tiranë më tërhoqi vëmendjen një pamje e zakonshme për ju, por e veçantë për mua.
Gra që shesin fruta e perime në cepat e rrugëve. Njëra prej tyre kishte një bukuri të rrallë në fytyrë.
Një ditë tjetër takova një grua që shiste qumësht në bidona uji, bashkë me prodhimet e kopshtit të saj. Më thanë se jetojnë me vështirësi, por produktet e tyre janë të pastra dhe të mrekullueshme.
Dalin që në orën shtatë të mëngjesit dhe deri në dhjetë kanë shitur pothuajse gjithçka. Tek ato gra pashë thjeshtësi, mirësi dhe dinjitet.”
Po, moj mikesha jonë gjermane, këto janë nënat dhe gjyshet tona.
Janë gratë që zgjojnë ditën para diellit, që mbajnë mbi supe hallet e familjes dhe që me duart e tyre të lodhura nxjerrin nga toka bukën e përditshme. Në rrudhat e fytyrës së tyre fshihet historia e sakrificës, e mundit të ndershëm dhe e dashurisë pa kushte për fëmijët e nipërit.
Ato nuk kërkojnë lavdi, nuk kërkojnë duartrokitje. Dalin çdo mëngjes me shportat e mbushura dhe me shpresën se do të kthehen në shtëpi me bukën e ditës të siguruar.
Shpesh kalojmë pranë tyre pa i vënë re. Por ndoshta sytë e një të huaje na kujtojnë atë që harrojmë: se pas çdo arke me fruta, pas çdo shisheje qumështi dhe pas çdo tufë zarzavatesh, qëndron një jetë e tërë pune, përkushtimi dhe dinjiteti.
Për këto gra duhet të jemi krenarë. Ato janë një nga fytyrat më të bukura të Shqipërisë.
