U shua një zemër e madhe e Skraparit
Sot u nda nga jeta në mënyrë krejt të papritur, duke lënë pas një dhimbje të thellë e të pashlyeshme në zemrat e bashkëshortes, fëmijëve, të afërmve, miqve dhe shokëve të panumërt, një nga figurat më të ndritura të qytetarisë dhe intelektualitetit çorovodas, doktori stomatolog, humanisti, filantropi i njohur dhe Qytetari më i ri i Nderit i Skraparit, Maksim Qemal Musabelliu.
Largimi i tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për mbarë komunitetin që pati fatin ta njohë dhe ta ketë pranë. Ai ishte një njeri i rrallë, i kompletuar në çdo përmasë të jetës së tij: në kulturë, në profesionalizëm, në fisnikëri dhe në qytetari. Por mbi të gjitha, ai do të kujtohet për dritën e shpirtit të tij, për zemrën e madhe dhe për bujarinë e pakufishme me të cilën prekte jetët e njerëzve.
Maksi ishte nga ata njerëz që bënin mirë në heshtje. Nuk fliste kurrë për bamirësitë dhe ndihmën që u jepte të tjerëve, nuk kërkonte lavdi e as mirënjohje publike. Ai besonte se e mira duhet bërë thjesht sepse është e drejtë të bëhet. Dhe nëse ai vetë nuk i mbajti kurrë shënim veprat e tij të mira, me siguri ato i ka numëruar Zoti, për t’i rezervuar vendin që meriton në amshim.
I lindur në Tomorr, në Dervish Iljaz, në atë truall të bekuar ku historia, besimi dhe fisnikëria njerëzore ndërthuren natyrshëm, ai mbeti gjatë gjithë jetës bir i denjë i atyre rrënjëve. Ndoshta prej tyre buronte edhe urtësia, thjeshtësia dhe madhështia e tij njerëzore.
Lamtumirë, i dashuri ynë Maks!
U prehsh në paqen dhe dritën e Parajsës që aq shumë e Meriton!
Kujtimi yt do të mbetet i gjallë në zemrat tona, sepse njerëz si ti nuk largohen kurrë plotësisht. Ata vazhdojnë të jetojnë në mirësinë që kanë shpërndarë, në respektin që kanë fituar dhe në dashurinë që kanë lënë pas.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta duan!
Zylyftar Hoxha
Orakujt e Tomorrit
