Çelet në Skrapar “Sezoni turistik 2022”
Sot, Bashkia Skrapar organizoi Panairin e Produkteve Bujqësore dhe Artizanale të krahinës. Fermerë të ardhur nga zona të ndryshme të Skraparit, ekspozuan dhe tregtuan produktet e tyre bio dhe shumë cilësore. Ky panair shërbeu si Çelje e Sezonit Turistik 2022 për Skraparin, të cilin natyra e ka bekuar me bukuri përrallore.
Aktiviteti nisi sipas traditës, duke trokitur gotat e rakisë mes miqve të ardhur dhe zotit të shtëpise, kryetarit të Bashkisë, Adriatik Mema.
Në fjalen e rastit kryetari i Bashkisë, Adriatik Mema Mema ftoi që, për këtë sezon turistik, të vijnë sa më shumë vizitorë në Skrapar, ndonëse pak larg, pasi aty do të gjejnë gjithçka ata dëshirojnë.
“Ky panair, tha më tej ai, është një mundësi shumë e mirë për të gjithë fermerët dhe prodhuesit e zonës të ekspozojnë, promovojnë dhe tregtojnë prodhimet e tyre bio dhe shumë cilesore, shumë të kërkuara nga të gjithë.
Nga ana tjetër, kjo është një mundësi e shkëlqyer për këdo që dëshiron të kalojë një ditë ndryshe në Skrapar, për të shijuar bukuritë e rralla që natyra na ka falur.
I siguroj që do të kalojnë një ditë ndryshe dhe të paharruar në Skrapar të rrethuar nga natyra e mrekullueshme, por edhe nga mirësia dhe mikpritja e veçantë e skraparllinjve.
Kanionet e Osumit, por edhe bukuri të tjera do të mbeten si përherë destinacionet më të kërkuara nga vizitorët.
Bashkia Skrapar në bashkepunim me operatorët vendorë do të bëjë çdo gjë të mundur për te pasur një sezon sa më të mirë turistik”.
Mes pjesëmarrësve ishin edhe deputetë, ish-deputetë dhe personalitete të tjerë si , Fidel Ylli, Spartak Braho, Nasip Naço, dr. prof. Ajli Alushani, Kreshnik Hajdari etj.
Më pas aktiviteti u mbyll nën muzikën e grupit polifonik të Skraparit dhe këngëtarëve si Dule Malindi, Dashuri Hysaj, Bruno Pollogati etj.
Kështu mes traditës, mikpritjes, gatimeve të shijshme dhe bukurive fantastike u mbyll kjo ditë e bukur, që me siguri do të pasojë me veprimtari të tjera të tilla gjatë gjithë sezonit.