Çerçiz Topulli në Skrapar

Çerçiz Topulli në Skrapar

Ilmi QAZIMI

Mehmet DUME

 

Sipas kujtimeve të pleqve të fshatit Rovicë, del se në një periudhë kohore që i takon viteve 1908-1909, për rreth një vit, në fshatin e tyre ka qenë për disa muaj Heroi i Popullit Çerçiz Topulli me shokë të çetës së vetë.

 

Po ç’e solli trimin mashkullorit edhe në pyjet e rrethinat e Rovicës?

 

 

 

Siç është e njohur, ai dhe çeta që komandonte ishin bërë shqetësim i madh për Portën e Lartë ndaj dhe ushtria turke me bimbashët e spiunët e saj paguanin që ta shtinin në dorë të gjallë. Çerçizi tok me vëllain e vet më të madh e më të penës, Bajon, si dhe me shokët e tij, Mihal Gramenon, Hajredin Tremishtin e të tjerë, e dinin se  në Skrapar ishin më të sigurt ndaj ndjekjeve të hordhive turke. Familjet atdhetare ishin streha më e mirë për ta.

 

Një nga këto familje ka qenë edhe ajo e Turhan Bej Rovicës. Turhani kishte gjashtë djem: Veliu, Hyseni, Zalua, Hasani, Rizai dhe Kasëmi. Familja e Turhan Bej Rovicës në ato kohë ishte e ndjerë jo vetëm për kamjen (rreth dymijë krerë bagëti të imta si dhe lopë, qe, kuaj samari, tokë e pyje) por edhe për shtrirjen e miqësisë e krushqisë me shumë familje  e dyer të dëgjuara e atdhetare të Skraparit e me gjerë.

 

Ai kishte miqësi me Ali e Pasho Hysin në Vërzhezhë, me Kapllan Asllanin në Çepan, Bari Zaim Vendreshë, me familjen Levenishti të Potomit, me Shefit bej Kapinovën (Salillari) në Kapinovë të Beratit, Radovickë të Kolonjës, Qazim Selfo Hekalin (në Hekal të Mallakastrës), me Adem Kurtin në Imshtë të Lushnjës e gjetkë.

 

Çerçizi epik jetoi e veproi në Rovicë në Kasollen e Çarçanit mbi fshat. Ishte vërtet një kasolle e thjeshtë stani, por u bë me emër, emrin ia dhanë ata që ajo strehoi. Kur hapej dita, çeta lëvizte nëpër pyje në thellësi e maskim të plotë. Luftëtarët shkonin edhe në stane të tjera, por qendrën kryesore e patën aty, te Kasolle e Çarçanit.

 

Strehimi i Çetës së Çerçizit mbahej tepër i fshehtë. Shumë pak njerëz nga kjo familje e dinin. Ata bënin edhe furnizimin me ushqimin e përditshëm, për të cilën familja e Turhan beut e kishte për nder, si dhe njoftime mbi situatën. Rreptësia e ruajtjes të sekretit ishte kushti  i parë për mbrojtjen e jetës së atdhetarëve miq dhe për vazhdimësinë e veprimeve luftarake.

 

Veli Idërshai qëndronte i pa shkëputur asnjë çast me luftëtarët e Çetës së Çerçizit. Ai ishte më i shkolluari i familjes së Turhan beut; kishte mbaruar Medresenë e Beratit. Por spiunët  mundën të diktonin Veliun, dhe  ai befas kapet dhe çohet në burgun e Gjirokastrës (burgu i Kalasë). E kishin lidhur me zinxhir nga të dy këmbët, aq sa atij  plagët i mahisen deri në gangrenizim.

 

 

Ndërkohë Çerçizi me çetën e tij, ikin nga Rovica dhe ulen në Zabërzan te komiti i njohur i këtij fshati, Bektash Hasanaj. .

Siç tregojnë të moçmit, Hasanajt kanë qenë të kamur. Ata kishin bagëti, toka, pyll dhe dy mullinj: ai i Mërqinjës dhe i Ambullit.  Pasurinë e patën vënë me punë dhe forcë,  me zotësi dhe mençuri; apo siç i thonë fjalës  kishin një farë “bollëku që sjell puna dhe kallaballëku”.

 

Bektashi ishte i biri i Muhametit, një klerik bektashian bamirës, i njohur për  ndërtimin e një ure mbi Osum (e cila është edhe sot dhe mban emrin Ura e Vjetër) dhe të Mullirit të Mërqinjës. I bredhur nëpër trevat e Shqipërisë jugore, me një zgjuarsi natyrale dhe me trimëri që të bënte për vete, ai krijoi një njësit prej 13-14 komitësh nga Zabërzani e fshatrat  për rreth me objektiv kryesor luftën kundër zaptuesve turq. Kjo luftë e njohu atë edhe me Çerçiz Topullin.

 

Si komit, Bektashi njihet për një akt trimëror, ku së toku me Mete Malindin i bënë ballë bimbashit turk, që kërkonte Mete, ngjarje që studiuesi i folklorit të trevës skraparase, Neim Mustafaraj e sjell nëpërmjet folklorit: ”Po vjen një bimbash / me tabor nizamë /në dorë mban fermanë / po shtrëngon Skraparë / Ja me jepni Meten / ja u vura zjarrë / Ne Meten s’ta japim / ty po ta mbajti / digje dhe Skraparë”.

 

 

Hodo Hasanaj (Zabërzani) (1895-1990) që kish lindur në Zabërzan dhe pjesën më të madhe të jetës e pat kaluar si emigrant ekonomik në tre qytete të Francës, tregonte: “…Atë ditë erdhën disa burra, lart në konak, që unë nuk i kisha parë ndonjëherë. Kam qenë 10-12 vjeç por shumë i voçkël nga trupi. Njëri nga ata më mori në prehër. Ai mbante një qylaf të zi dhe kishte mustaqe të fisshme…llafosej me babanë dhe pastaj u shtrua sufra me mish të pjekur e plot të mira…Shumë kohë më vonë e mora vesh se ai kishte qenë Bajo Topulli…”

 

“Herën e dytë, pas ca kohësh, bejta edhe muajsh, erdhën Çerçizi dhe Bajo prapë. Shoqëruesit e miqve thirrën  para se të vinin te stani (vatha) e dhive, aty nga Hija e Rogut, mbi Ambull: “O çoban, hajde se ka pjellë një dhi dy kecërr”.

 

Përgjigja e çobanit ishte: ”Sille, o sille, këtu me gjithë kecërr”. Ky kod bisedimi donte të thoshte: “Thuaji Bektashit se ka ardhur Çerçizi vet i tretë”. Përgjigja e çobanit do të thoshte: ”Hajdeni, bujrum, se Bektashi po u pret”.

 

Nga biseda me të ndjerin Hodo kuptojmë se lëvizjet e Çerçizit bëheshin me masa të forta sigurimi e ruajtjeje, paçka se ai e ndjente vetën si në shtëpinë e tij. Për të siguraur Çerçizin se asnjë nga fjalë nuk do të delte nga konaku, gjyshi im, vazhdon tregimin Hodoja, tha: “Kur të heq festen e kuqe unë, atëhere del llafi që këtej”!… Kjo do të thoshte “kur të vdes unë”.

Kanë qenë të shumta herët që Çerçiz Topulli kalonte për “punë lufte” në krahinën e Skraparit.

 

Pas krijimit të Komitetit të Fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë” të Manastirit, në Teqenë e Frashërit, në vjeshtën e tretë të vitit 1906, u organizua një takim, i atdhetarëve  nga Dangëllia, Skrapari, Kolonja, Përmeti.

 

 

Luftëtarët skraparas u përfaqsuan nga Lace Backa, Zote Backa, Maliq Mersini, Riza Kodheli,  Ahmet Bala, Zylyftar Potomi, Barjam Koprencka, Neim Koprencka, Shuaip Muço Nikollara, Xhelal Koprencka, Ali Lako (Staravecka), Ali Farmaqi (Çepani) etj. Morën pjesë edhe përfaqësues të Çetës së Servet Zaloshnjës.

 

Në këtë takim kapedanësh, nga Çerçizi, Lacja, dhe Mihali, u diskutua dhe u vendos jo vetëm vazhdimi i luftës pa ndërprerje kundër hordhive turke, por edhe ndihmesa që duhej të jepnin çetat patriotike për hapjen dhe mbrojtjen e shkollave shqipe në këto krahina.

 

Ishte fryma e këtij takimi që nxiti krijimin e çetave të tjera patriotike në rrethin e Skraparit dhe rrethet fqinjë, siç qe ajo e Ali Farmaqit (Çepani), ajo e Tajar e Tefik Vendreshës, e Sulejman Spatharës, etj., të cilat kishin moton ”Ja Vdekje, ja Liri”.

 

Është e vyer dhe me vlera kuptimplote fakti që vjershëtori atdhetar Kajmak Xhemal Dingo nga fshati Rog, në një vjershë të tij  në gusht 1920, ku vajtohet vrasja e pabesë e Çerçizit dhe shokut të tij Muço Qulli, botuar në librin e vetë “Prapësia, Mbarësia”, evokon një të vërtetë historike që trimi legjendar Çerçiz Topulli me shokë të çetës  që komandonte, ka qenë edhe në Skrapar:

Qajnë malet e Skraparit/ Qajnë malet me burime/ Motin 907 kujtojnë me rënkime/ Kur shëtinte trimi i nderçim/ Çerçiz Topulli me shokë…