Cerova  –  Memohistori / Hasan Hoxha: Babai im, me një vendim të vështirë në një kohë të vështirë

Cerova  –  Memohistori / Hasan Hoxha: Babai im, me një vendim të vështirë në një kohë të vështirë

Hasan HOXHA

 

Nuk di pse më është fiksuar në kujtesë ai dhjetor i vitit 1940, kur dëbora kishte mbuluar tërë Skraparin. Ishte ai acar që na ngrinte këmbët apo?!…Atëhere isha i vogël, vetëm pesë vjeç, por ndjeva se dëbora më e madhe që kishte ftohur të gjithë shpirtrat e trazuar të shqiptarëve, ishte pushtimi italian.

 

 

E kam ende të freskët në veshët e mi zhurmën e avionëve, që kishin mbuluar qiellin. Gjyshja dhe nëna përmendnin për të disatën herë, se Italia na kishte pushtuar. Unë nuk e dija ç’të këqija na sillte ky pushtim, por ndjeja një dridhmë nga ato zhurma dhe krisma. Italia filloi luftën me Greqinë në kufirin tonë, që ta pushtonte edhe atë, por hasi në rezistencën e ushtrisë greke.

 

 

Kjo i detyroi italianët të tërhiqen. Atëhere unë kam ndjerë frikë, sepse nënprefekti i Skraparit dha urdhër, që i gjithë populli të shpërngulej dhe të shkonte muhaxhir në Berat. Qeveria italiane e bënte këtë shpërngulje, që populli i kësaj krahine të mos bashkohej me ushtrinë greke. Prandaj, me në krye kryeplakun e fshatit, Riza Spahiu, i gjithë fshati mbeti shkretë, duke ikur në Berat. Unë nuk merrja vesh nga këto punë, por nuk doja të ikja nga shtëpia.

 

Në atë mbrëmje të fundit në shtëpinë tonë erdhi miku i nderuar, Zylyftar Veleshnja, dhe tok me babanë, vëllain e madh, biseduan dhe vendosën, që të dyja familjet tona të mos shkonin në Berat, as të qëndronin në fshat, por të qëndronin në një pyll të quajtur Përroi i Qarreve. Atje do të prisnim derisa të vinte ushtria greke.

 

 

Ndërsa ata bisedonin për të marrë plaçkat, ne të vegjëlve na kishte zënë gjumi. Nënës i pikonte në zemër kur erdhi e na zgjoi, se do të iknim natën. Vëllanë e madh e kishte zënë një grip i rëndë dhe kishte shumë kollë. Në vend që ta mbanim në një vend të ngrohtë, ikëm të tmerruar në atë natë të frikshme. Vëllai, Faiku, donte të kollitej, por nuk e linte babai, sepse na diktonin italianët. Morëm një shami dhe ia dhamë vëllait ta vinte në gojë kur të kishte kollë. Shtëpia jonë atëherë do të ishte një shpellë, ku shtroje kishim vetëm ujë, ku na mungonte kryesorja, buka e veshjet. Të gjithë dridheshim nga të ftohtit, sikur na kishte zënë tartakuti.

 

 

Në ato kushte na mbledh babai e na thotë: “Ne erdhëm këtu për t’u mbrojtur nga italianët, prandaj të mos bëhet asnjë zhurmë, se po na zbuloi ushtria italiane, nuk u lë gjallë të bini në dorën e tyre, por do t’ju vras vetë me dorën time”! Kaq tha, rrëmbeu armën dhe doli pak më lartë e bënte roje mos vinin ushtarët italianë. Ne u trembëm. Si të na vriste babai që mezi po na rriste!? Dhe as qeshnim, as qanim, as flisnim. Babai ishte i rreptë. Nëna na fliste gjithmonë me zë të ulët dhe i vinte keq, kur shikonte duart tona që ishin skuqur nga të ftohtit.

 

 

Hyda Hoxha

 

Dy ditët e para i kaluam mirë se kishim pak rezerva ushqimore, pastaj mbetëm keq. Uria dhe të ftohtit po na kërcënonin. Na duhej vetëm buka, se për gjellë s’na shkonte mendja. Edhe pse ftohtë, ditën nuk bënim zjarr, se na diktonin nga tymi. Ditën e tretë babai me vëllanë e madh shkuan në fshat fshehurazi për të marrë ç’të gjenin nga ato që kishin lënë italianët. Vetëm në shtëpinë e një bashkëfshatari gjetën pak miell dhe pesë pula. Mbaj mend që nëna na bëri qull me miellin, kurse pulat i poqëm në hell. Atë natë u kënaqëm, se vetëm kur na vinte ndonjë mik e hanim kofshën e pulës.

 

Koha filloi të përmirësohej, por kjo nuk vazhdoi më shumë se një javë. Nisën ca ngrica që ngrinë edhe ujin e përroit. Në darkë erdhi babai dhe ne u gëzuam. E përqafuam të gjithë, por kur pamë fytyrën e tij të murrëtyer, u larguam kokulur. Babai na kishte diktuar që kishim lozur e ishim grindur dhe kjo do të thoshte se pushtuesit na kishin diktuar. Ai nuk na tha gjë ne, por mamasë i bërtiti ashpër, që na kishte lënë të bënim zhurmë. Nëna i kërkoi të falur, se i vinte keq, që ne të rrinim si të dënuar. I mërzitur u ul e hëngri pak ushqim, ndezi cibun dhe i tha nënës të na mblidhte pranë shpellës. Kur na pa që vajtëm të gjithë të penduar edhe pse e mori vesh që fajtori isha unë, nuk vuri dorë mbi ne, por na porositi, që të mos bënim zhurmë, se ai na kishte dëgjuar që atje sipër. Na përkëdheli me dorë dhe iku përsëri në vendroje. Duart dhe fytyra e tij ishin akull, por ai sakrifikonte për jetën tonë.

 

 

Dimri sa vinte dhe bëhej më i egër. Në shpellë mbretëronte qetësia. Gojët tona kishin dalë të pavlefshme. Në ato kushte që jetonim ishim fare pranë vdekjes. Dy ditë më pas, vëllai i vogël, që nuk ishte më shumë se 18 muajsh, mori një të ftohtë të rëndë dhe filloi të qante. Ne nuk e dinim pse qante dhe pyesnim nënën. Kishim frikë se vinte babai e na rrihte. Por nëna na tregoi se vëllai kishte shumë zjarrllëk. Të qarat e vëllait shkuan deri te veshët e babait, i cili priste nga çasti në çast të pushonte, por kjo nuk ndodhi. Atëhere la vendrojën dhe erdhi në shpellë me një nervozizëm të jashtëzakonshëm. Nëna, e dëshpëruar, i shpjegoi se deshëm të mbroheshim nga italianët, por po vetëvritemi nga kushtet e rënda. Babait i dridhej buza se nuk kishte asnjë mjet për ta shëruar. Për një kohë mbeti i heshtur, pastaj i hodhi sytë nënës dhe i tha: “As unë s’kam ç’bëj, më mirë e vrasim djalin të shpëtojnë të tjerët”.

 

Nëna u drodh e tëra dhe ne nisëm të përloteshim, por ai e kishte vendosur tani. “I vdekur e i vdekur është nga sëmundja, të paktën të shpëtojmë ne të tjerët”. Dhe në çast i tha nënës ta shpinte djalin në një vend më të kaptë më tutje, të mos e shihnim ne dhe i futi pushkës plumbin. Nëna nuk e dëgjoi, por ai e kërcënoi dhe i drejtoi pushkën. Atëhere ajo e shpuri djalin atje dhe e mbuloi me trupin e saj. Ai e kërcënoi për të tretën herë dhe nëna u largua me ngashërim, duke zënë sytë me dorë, që të mos e shikonte. Në momentin që ai u bë gati të tërhiqte këmbëzën e pushkës, Fetiu pushoi së qari, sikur ta dinte që do të ikte nga kjo jetë. Nëna shkoi rrëmbimthi dhe e mori djalin duke e puthur e qarë. Babai uli kokën, mori armën dhe shkoi në vendroje. Për herë të parë e kisha parë babanë kokulur. E kishte tronditur ajo ngjarje dhe ai dinte ta vetëdënonte veprimin e keq që bënte.

 

 

Ishin mbushur 15 ditë dhe në Veleshnje kishte ardhur ushtria greke, që luftonte me ushtrinë italiane. Babai më mori me vete dhe shkuam në Cerovë, ku kishim lënë gjyshen 90-vjeçare, një ka, një lopë dhe një viç. Unë isha i gëzuar se më kishte marrë malli për gjyshen, por kisha edhe një merak, a do ta gjenim gjallë. Hymë në shtëpi me shumë droje. Gjyshen e gjetëm duke bluar misër në mokra. Babai e pyeti për gjënë e gjallë, por ajo nuk foli dot, lëshoi lot si përgjigje. Më pas ajo na tregoi se i kishin therur italianët.

 

 

Kur gjyshja tregonte me ngashërim, te dera e shtëpisë u duk një hije, që më pas u shndërrua në një njeri të gjallë me uniformë ushtarake, por i paarmatosur. Kur pa babanë brenda, përshëndeti me gjuhën e tij: “Bon xhorno”. Edhe babai iu përgjigj, se dinte pak italisht. Pastaj i a ktheu shqip: “Pse, more të poshtër, keni therur bagëtitë”? Ai u afrua te qoshja e shtëpisë, më pa mua në prehrin e gjyshes, u gëzua që pa një të vogël dhe më thoshte duke më fërkuar këmbët e zbathura: “Pikoli, pikoli”!

 

Gjyshja i kishte shumë inat pipinot dhe tërë neveri i tha: “Tutje, jezit, po t’u dhimbshin të vegjlit, nuk na zaptonit e t’i linit ata rrugëve”! Para se të dilte babai ia përsëriti edhe një herë atë punën e bagëtive, por ai fërkoi barkun dhe iu përgjigj: “S’kishim ç’hanim, si të mbarojmë edhe një gjysmë kau që na ka ngelur, do të ikim”! Babai i nervozuar i tha: “Ik se do të lësh kokën këtej, grekët janë shumë afër”. Ai nuk e prishi terezinë, mori mokrat që ua kishte vënë syno që me kohë dhe për ato kishte ardhur dhe iku te shokët. Kurse unë dhe babai u nisëm për në shpellë. Rrugës na ndaluan dy ushtarë grekë, të cilët na kontrolluan mos kishim armë dhe na pyetën për italianët. Babai nuk dinte asnjë fjalë greqisht, vetëm bënte me shenja. Atëhere ata na kthyen dhe na thanë: “Mbros” (Përpara). E kuptuam shenjën dhe u nisëm përpara tyre.

 

 

Kur u afrua te porta e shtëpisë ku banonin italianët, dy ushtarët grekë qëndruan me mua përjashta dhe urdhëruan babain të hynte brenda. Babai hyri dhe iu tha të largoheshin se ushtarët grekë ishin përjashta, por ata nuk e besuan. “Si të doni, u tha babai, paçi veten tuaj më qafë”, dhe doli. Greket u futën brenda dhe i detyruan të dorëzohen Katër prej tyre ngritën duart përpjetë, i pesti lëshoi tepsinë me mish dhe bëri të njëjtin veprim. Të dy ushtarët grekë i morën rob italianët duke i ngarkuar edhe me sendet që kishin me vete. Armët i lanë aty.

 

 

…Një ditë unë me vëllanë, Faikun, shkuam në shtëpinë e një fshatarit tonë. Kishte një shtëpi dykatëshe, por njerëzit e shtëpisë kishin ikur me italianët në Berat. Atje, në katin e dytë gjetëm një ushtar italian të plagosur, që rënkonte. Na bëri me shenjë të afroheshim, se nuk fliste dot. Ishte plagosur rëndë dhe i mbytur në gjak. Pranë kishte armën dhe i bën me shenjë që ta merrte e ta vriste, që të mos binte i gjallë në duart e grekëve. Unë u tremba kur i dha armën vëllait, por ai nuk e vrau edhe pse ai i lutej ta vriste. E lamë atje dhe zbritëm në katin e parë, kur dëgjuam një krismë. U ngjitëm me shpejtësi lartë, e pamë që ai kishte vrarë veten. U kthyem në shtëpi të tronditur dhe ua treguam historinë.

 

 

Po këtë ditë, nga ora 4 e pasdites, në shtëpinë tonë erdhën e u futën dy ushtarë grekë dhe kërkonin bukë. Gjyshja kishte bërë gjellë me mishin që lanë italianët e dorëzuar dhe kur pa grekërit, e mbuloi kusinë me një rrobë. Ata e ndjenë erën e mishit dhe nisën të kërkonin nëpër dhoma. Më në fund e gjetën dhe nuk pritën për lugë, por futën duart e morën thelat, edhe pse gjella ishte e nxehtë dhe ua dogji. Njëri po shante në gjuhën e tij, por edhe gjyshe Sheqerja, që ishte vërtet sheqer nga shpirti, i shau vënçe në gjuhën e saj.

 

 

…Ishte korrik i vitit 1944. Tok me moshatarët e mi, Pasho Spahiu, Hetem Spahiu dhe Muharrem Hoxha shkuam me bagëti nga Qafa e Murrizit. Ishte stinë lufte dhe municionet nga lufta italo-greke kishin mbetur nëpër pyje dhe gërmadha. Kishte ditë që unë i merrja bombat dhe granatat dhe lozja me to si të ishin lodra. Një ditë unë gjeta një bombë të bukur, ngjyrë të kuqe, me të cilën fillova të lozja, pa e ditur se ajo kërkonte kokë. Atëhere pata dëgjuar se një ushtarak madhor italian duke ikur pasi kapitulloi italia, pat thënë: “Ju na vratë në luftë, por ne do t’u vrasim pas lufte”.

 

Për një çast e lash bombën në tokë, por meqenëse s’kisha çfarë të bëja, e mora përsëri dhe e përplasa në një gur që ishte dhjetë metra larg meje. Ajo nuk plasi dhe unë e mora sërish dhe e vura pranë veshit të dëgjoja mos bënte ndonjë zhurmë. Më në fund vendosa që ta merrja në shtëpi, ta shikonte babai kur të kthehej nga partizanllëku. Ndryshova mendim për bombën. E mora dgde e përplasa në një pllakë guri me forcë, por këtë radhë pranë këmbës së djathtë. Nga kjo përplasje bomba plasi dhe unë u bëra copa-copa e më mbuloi gjaku.

 

 

Dhimbje nuk ndjeva, por veshët mu bllokuan nga ajo zhurmë e fuqishme. Tre shokët të cilët më thanë të mos e përplasja bombën ishin larguar. U thirra shokëve të vinin, por ata kishin frikë nga gjaku të afroheshin. Doja të më shpinin në shtëpi, por ata më lanë vetëm. Atëhere, siç isha, u nisa, por rruga ishte dy-tre kilometra larg. Tërë rrugës i harrova dhimbjet, por bëja tertip si të thosha në shtëpi, sepse babai më kishte porositur të mos zija gjë bomba me dorë, se po të plagosesha dhe të isha gjallë, do të më therte me thikë. Dhe babai e bënte këtë, a nuk e bëri një herë me Fetinë kur qante?! Ndërsa për atë u pendua, mendoja, për mua s’do të ndryshonte mendje.

Kur kisha bërë një kilometër rrugë e ndjeva veten të pafuqishëm, pasi kisha humbur shumë gjak. U ula dhe hodha sytë në një arë ku punonin tre burra të fshatit tonë. I thirra njërit, Qerimit. Ndërkaq shtrova xhaketën që ishte bërë copë-copë dhe u shtriva. “Bobo çfarë paske bërë kështu”, thirri Qerimi dhe më pyeti për të vëllamë, Hetemin, që e kishte vëlla dhe që ishte bashkë me mua. Me gjysmë zëri i thashë se ata nuk pësuan gjë.

Ai më rrëmbeu në krah, më shpuri te shokët që punonin. Dhe të tre më shpunë në shtëpi.

Babai ishte shumë i sëmurë nga ato që i thoshin ethet e gushtit. Ai u ngrit dhe u tha të më shikonin se mos më kishin dalë zorrët. Më nisën pastaj me njëherë në spitalin partizan të Çepanit, ku ishte kirurg një mjek italian dhe ndihmës i tij, i ndjeri Petro Cani. Në spital nuk kishte vend, kështu që unë qëndrova në shtëpinë e dajës së babait. Ata më çonin çdo ditë në spital për mjekime.

Unë e kalova atë të keq, për të cilën donin të më ndërronin emrin, por nuk pranova. Babai e la me le atë që kishte thënë se do të më therte me thikë po të plagosesha. Ai e harroi atë dhe sëmundjen e tij dhe shkoi partizan.

 

 

Babai ynë, Hyda Hoxha, kishte shumë miq dhe dinte se si t’i bënte punët. Ai mori atëhere dhe vëllanë tonë të madh, Faikun, që ishte vetëm 15 vjeç dhe të dy bashkë u inkuadruan në batalionin “Riza Cerova”, që u krijua në Qafë të Martës. Më pas ata shkuan në Brigadën e 10-të Sulmuese.

 

 

Babai ynë ishte i rreptë, por i mirë dhe i butë në shpirt.