Dervish Abedin Hysi – Spathara, dritë besimi dhe urtësie në breza

Dervish Abedin Hysi – Spathara, dritë besimi dhe urtësie në breza

 

Abedin Hysi Spathara  ka lindur në fillim të shekullit 19-të në Spatharë. Mendohet se e mori me vete Fejzua, i madhi i vëllezërve në Stamboll. Meqenëse ai ishte vetëm 16 vjeç . Aata e futën në shkollë. Abedini studioi në shkollë dhe u përgatit për hoxhë.

 

 

Kur u kthye në Shqipëri pas studimeve, Abedini u gjend në një moment  kontradikte midis ideve fetare të tij, të cilat nuk përputheshin me ato të banorëve të zonës ku kishte lindur dhe ku kishte njerezit e vet, të cilët kishin kohë që kishin braktisur synitë dhe ishin kthyer në bektashinj të flaktë, të pakthyeshëm.

 

Inteligjenca dhe formimi teologjik i Abedinit kishte rënë sy kishte rënë në sy te të gjithë kolegët e tij klerikë syni, helveti, por edhe bektashi dhe secili nga këta donin ta kishin bashkëpunëtor në krah.

U tregua më i shkathët dhe më i shpejtë Baba Tahiri i Prishtës, një Baba bektashi i dëgjuar dhe me nam në besimtarët e gjithë luginës së Osumit, por edhe asaj të Dëshnicës.

 

 

Ai e thirri Abedinin në teqe. Biseda qe e gjatë dhe, natyrisht e vështirë, pasi bëhej fjalë që për një njeri që ishte i një sekti tjetër. Abedini i kërkoi kohë të mendohej Babait, pasi mendonte se  mos vallë konvertimi i menjëhershëm cenonte karakterin e tij?

 

 

…Megjithatë Teqeja i pëlqeu jashtë mase. Ishte një institucion i vërtetë kulti që ia vlente “sakrifica”. Në teqe kishte liri, kishte gjallëri, kishte lëvizje njerëzish. Aty bujtnin deri në 100 veta në natë, që ishin myhybët, besimtarët e thekur, por edhe të sëmurë, udhëtarë, njerëz që pagëzonin dhe merrnin nga babai emra për fëmijët e sapolindur, kaçakë mali që fshiheshin nga hyqymeti, njerëz që ishin në gjak dhe që babai i thërriste për t’i pajtuar e shumë e shumë të tjerë. Mbi të gjitha aty kishte më shumë liri e qytetari, por edhe shumë punë për t’u marrë si brenda ashtu edhe jashtë teqesë.

 

 

Ashtu siç i kishte thënë Babait, që do të mendohem, shkon në Spatharë, bisedon me miqtë e tij, të cilët e inkurajuan dhe i thanë të mos e bënte fjalën dysh, por të shkonte menjëherë në Prishtë. Ky do të ishte nder jo vetëm për të, por edhe për ata, pasi tani ata kishin filluar të shkëputeshin nga linja e vjetër fetare dhe po simpatizonin bektashinjtë. U tha, u bë. Niset menjëherë në Prishtë, ku që ditën e parë fillon punën.

 

 

Baba Tahiri e mori Abedinin si dervish (Reber), Dervish të Parë në Teqenë e Prishtës. Asokohe  Abedini ishte djalë i ri dhe me cilësi të veçanta, jo thjesht si besimtar .Ishte një njeri që “ kishte parë botë me sy” se kishte bërë shkollë e  kurbet.

Inteligjenca e lindur, niveli arsimor dhe devocioni që lidhej me besimin bënë që ai shpejt të fitonte respektin e Baba Tahirit. Sipas kujtimeve të transmetuara nga brezi në brez, ishte Baba Tahiri që me kalimin e kohës i kërkoi Abedinit të martohej edhe pse feja nuk e lejonte, pasi kjo derë rrezikonte të “shuhej” dhe të mbetej pa pasardhës.

 

 

Baba Tahiri si njeri me zemër të madhe nuk donte “që kjo derë të mbyllej”. Abedini ishte i vetmi që mund t’i gëzonte themelet e kësaj shtëpie me një djalë. Guximi i Baba Tahirit për të thyer rregullin numër një të fesë bektashiane  ishte një rast i rrallë, në mos i vetmi në atë kohë i fesë bektashiane. Me kalimin e viteve u pa qartë se kjo kërkesë e guximshme e Baba Tahirit mori vlerë. E kishte bërë këtë kërkesë në emër të jetës dhe të vazhdimësisë.

 

 

Jeta e dervish Abedinit në Teqe rrodhi sipas një marrëveshje që Abedini bëri edhe me atë që mori për grua. Pasi lindi Qazimin, ai u qëndroi bindjeve të tij fetare duke respektuar edhe rregullat e fesë bektashiane. Gruaja  ishte e lirë të qëndronte e të shërbente në Teqe ose edhe mund të largohej. Pra ajo ishte e lirë. Ajo nuk qëndroi, nuk e pranoi atë propozim dhe u largua duke lënë djalin, Qazimin në Teqenë e Prishtës. Djali u rrit e bë burrë aty. Edhe kur u kthye në Spatharë atë e thërritnin “O djali i Teqesë”…

 

 

Megjithëse e lidhi jetën Teqenë, ai u kujdes  për vendlindjen Spatharën, mendonte për djalin, që, sido t’i vinte puna të kishte mbështetje ekonomike. Ai shtoi tokë e pasuri në Spatharë, bleu troje dhe kullota në Malin e Lakshtit. Të gjitha këto i bëri që djali i tij të jetonte mirë, të mos i shtrinte dorën kujt.

 

 

Pas shumë vitesh shërbimesh në Teqenë e Prishtës, Dervish Abedini kthehet në Spatharë, ku edhe gjeshtisi. U varros në mekamin që edhe sot mban emrin e tij, mekami i Dervish Abedinit.

 

 

Mekami është ngritur në vendin më të bukur dhe më të dukshëm të fshatit, në një vend pak më të lartë, ku, çuditërisht, qëndron në vijë të drejtë, absolutisht të drejtë, me Çukën e Abas Aliut në malin e Tomorrit dhe ku duket si në pëllëmbë të  dorës një pjesë e mirë e luginës së Osumit, duke filluar nga Vëndresha, Therepeli, Poliçani, Novaj, Bargullasi, Tërpani, Paraspuari dhe gjithë Nahija e Beratit. Vendi i tij ishte zgjedhur pranë rrugëve të pazareve, ku shkonin karvanët, në mënyrë që udhëtarët të kishin mundësi të preheshin dhe të shpreheshin një copë herë, duke u falur, duke dhënë sadaka për t’u vajtur rruga mirë.

 

 Nipi i Dervish Abedinit, Abedini i dytë (ndjesë pastë se ka vdekur) me djemtë në oborrin e mekamit të ringritur prej tyre

 

 

Mekami sot ka të gjitha mjediset ku mund të ndjehen mirë besimtarët, ku mund të zbatohen të gjitha ritet e fesë mistike të bektashizmit. Është një objekt kulti që të mahnit me bukurin e tij. Është i dukshëm kujdesi dhe dora e Mimoza dhe Feti Hysit, pasardhës të familjes së tij, për ta mbajtur dhe për t’i dhënë autoritetin e dikurshëm.

 

Spatharasit dhe vëndreshallinjtë, por dhe banorët e fshatrave të tjerë fqinj, që i përkasin besimit bektashi, dhe që besojnë në Dervish Abedinë, tashmë kanë vendin e tyre ku të falen, kanë mekamin, i cili, ashtu si dikur, qëndron me derën hapur për të pritur njerëzinë.