Dita e Nevruzit: Si festohet në zonat rreth Tomorrit   

Dita e Nevruzit: Si festohet në zonat rreth Tomorrit   

Dita e Nevruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Nevruzit është një festë zyrtare fetare e festuar në Shqipëri më 22 mars të çdo viti.

 

Festa e Sulltan Novruzit sipas sektit bektashian përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

 

“Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.

Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI.

 

Kjo festë festohej 10 ditë pas Ditës së Verës, më 22-23 mars allafrënga. Këtë ditë,  çdo familje sipas mundësive therrte ndonjë pulë, e cila ishte lidhur e ushqyer një javë më parë.

 

Me gjakun e kokës së pulës lyeheshin pemët për mbarësi dhe prodhim të bollshëm. Lyeheshin edhe fëmijët; djemtë në ballë, ndersa vajza, në ballë dhe në të dy faqet. Gjaku nuk duhet të lahej derisa të zhdukej vetë.

 

Rregullisht nuk duhet të punohej për tri ditë, të prisje pemë ose bar. Nuk duhej të qepje, se “ishte gjynah”!

Në këtë ditë bëhej pushim i plotë dhe njerëzit nuk duhet të prishnin qejf, të ziheshin, por duhet të kishin dashuri dhe harmoni, në mënyrë që t’u shkonte mbarë i gjithë viti.

 

Edhe këtë ditë dyert zbukuroheshin me lule thane dhe shpëndre dhe ndizeshin tyme (dumanë).