Dita e Verës: Si festohet kjo ditë e shënuar në Skrapar…

Dita e Verës: Si festohet kjo ditë e shënuar në Skrapar…

Dita e Verës është një festë pagane që në Skrapar është festuar në çdo fshat me të njëjtat rite dhe zakone.

Festohej më 14 mars allafrënga (Kalendari i sotëm gregorian), ose më 1 mars allaturka. Festa fillonte një ditë më parë kur ziehej misër, zjenin vezët, bëhej një kulaç me miell gruri, nxirrej pastërma ose dhe therej qengja ose pul a.

Në darkë ndizeshin zjarret, tymet (dumanët) e të cilëve duhet të rrihnin shtëpitë që të largoheshin të ligat sipas ritit pagan. Në në lashtësi, tymi është konsideruar si një element pastërtie dhe purifikimi nga të ligat. Ai vazhdon edhe sot në kishat në formën e thimiamit. Tym (duman) ndizet edhe në Ditën e Nevruzit) si dita e parë e pranverës zyrtare.

 

Ditën e Verës, herët në mëngjes gratë shkonin në çesmë, merrnin ujë, duke bërë një farë gare kush do të mbushte e para, dhe me ujët e freskët lanin sytë të gjithë pjesëtarët e familjes.

 

Ditën para festës në pragjete dyerve të shtëpive dhe hajateve, vendoseshin degë me lule thane të porsaçelura dhe lule shpëndre. Duke u gdhirë dita, djemtë e fshatit dilnin natën të maskuar për të mos u njohur. Në formën e një karnavaleje ata shkonin nështëpi më shtëpi duke kënduar:

 

“Ozi e bozi, /doli matrallozi/ erdhi Dita e Verës,/ hiqi llozin derës,/ Akçihanë, moj haçiahanë,/merr hapset e hap qilarë, /të gostitësh këta djem beqarë,/ të mos shkojnë duke qarë, /por të shkojnë duke kënduar…

 Peksime, moj peksime,/ a s’na jep një koqe ve,/ koqe ve e pulës, /mu në mëngët gunës, /koqeve e zogës, / mu në fund të shportës,/ Shporta është e grisur,/ veza rrokullisur…

Sa rrezhde që ka qershia, /aq djem pastë shtëpia, Sa rrezhde që ka lojfata,/ aq nuse qafëgjata”!…

 

Në mëngjesin e Ditës së Verës të gjithë fëmijët e fshatit, me një torbë në krah, dilnin shtëpi më shtëpi. Të zonjat e shtëpisë u jepnin atyre ose ndonjë kokër vezë, ose arrë, bajame, lajthi, oshafe etj.

Vjazave të reja dhe fëmijëve të vegjël  iu vendosnin verore si byrzylykë në kyçin e dorës. Kjo verore ishte thurej me penjë për qëndisje ngjyra-njgyra dhe mbahej deri sa të vinin dallandyshet apo kur zogjtë bënin fole në pemë.

 

Ditën e Verë gratë mundoheshin të bënin gatimet më të mira të kuzhinës. Rëndësi kishte harmonia, në këtë ditë nuk duhet të kishte zënka, prishje qejfi, por vetëm buzqeshje dhe harmoni.

 

Duke shfrytëzuar rastin e botimit të këtij lajmi, gazeta on-line “Orakujt e Tomorrit”, uron të gjithë lexuesit dhe ndjekësit e saj:

 

“Gëzuar Ditën e Verës, mbarësi, shëndet e lumturi në familjet tuaja”!…