Doli nga shtypi libri “Ali pashë Tepelena – antologji historike” i autorit Perlat Meçaj

Doli nga shtypi libri “Ali pashë Tepelena – antologji historike” i autorit Perlat Meçaj

Këto ditëë doli nga shtypi libri “Ali pashë Tepelena – antologji historike” me autor Perlat Meçajn, redaktor letrar  Zylyftar Hoxhën dhe parathënie të dr. Dorian Koçit.

 

Më poshtë po japim dy fjalë të atorit për përmbajtjen e librit, një pjesë të parathënies së librit dhe CV-në e autorit:

 

 

Pas një pune disavjeçare, me nxitjen edhe të disa miqve të mi të botës së letrave, tepelenas dhe jovetëm, me dëshirën për të kontribuar sado pak për njohjen e kësaj figure të madhe kombëtare, vendosa të mos bëj analizë, por të sjell në ligjiratë të drejtë, për çdo etapë dhe fushë të veprimtarisë së Ali Pashë Tepelenës vlerësimet e autorëve vendas e të huaj, dashamirës ose jo të tij, që kam mundur të lexoj.

 

 

Janë më se 1830 referenca nga 174 autorë, prej të cilëve më se 90 autorë të huaj.

 

 

Me bindjen e plotë se vlerësimet e dhjetra e dhjetra historianëve, studiuesve, shkrimtarëve, krijuesve të fushave të ndryshme, vizitorëve e personaliteteve vendase e të huaja për figurën dhe kontributet e Ali Pashë Tepelenes janë më objektivë e më të dobishme se çdo qëndrim subjetiv, shpresoj t’u vij në ndihmë lexuesve që duan të dinë më shumë për të, por edhe studiuesve me këtë bibloigrafi, në formën e një antologjie modeste historike.

 

 

I ftoj të gjithë, por sidomos struktaurat shtetërore, t’i marrim së kaluarës zjarrin e jo hirin, të çmojmë më shumë vlerta tona, kontributin e brezave, në rastin konkret, të Ali Pashe Tepelenës, si gjithë popujt e kulturuar të botës, por më së shumti, të perfitojmë, duke shfrytezuar më mirë pasurinë e madhe historike e kulturore që na la, siç bëjnë me të prej mëse 100 vjetesh fqinjët tanë. Kështu vlerat tona do jenë më evidente, kurse hapat e zhvillimit e të progresit më të mëdha e më të shpejta.

 

Faleminderit!

A U T O R I

Tiranë, korrik 2023

 

 

 

 Pjesë nga parathënia 

 

 

Dr. Dorian Koçi

 

Dyqind vjet pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, figura e tepelenasit është bërë prezente për botën shqiptare dhe të huaj, në fushën e letrave, studimeve, hulumtimeve dhe kërkimeve me karakter shkencor, nga individë dhe institucione të specializuara.

 

 

Kjo figurë historike, ndonëse e diskutuar dhe studiuar, ka ende shumë për t’u ndriçuar në të gjithë dimensionin e saj. Megjithëse mjaft është shkruar dhe është debatuar, ai ka mbetur i paragjykuar dhe i anatemuar. Ndonëse historia dhe bëmat e tij kanë qenë mjaft tërheqëse për epokën e romantizmit, ai ka ende pak dritë nën këndvështrimin dhe epokën e realizmit.

 

Të gjitha këto karekteristika të gjykimit rreth figurës së tij, paraqiten për publikun nëpërmjet librit me temë “Ali pashë Tepelena – antologji historike” të autorit Perlat Meçaj.

 

 

Ali Pashë Tepelena në këtë libër prezantohet përmes të citimeve të shkëputura nga vepra të ndryshme. Autori i kësaj përmbledhje ka punuar me skrupulozitet përgjatë viteve duke dhënë një kontribut të çmuar bibliografik dhe referencial rreth figurës së Ali pashë Tepelenës.

 

 

Duke ndjekur shënimet, kujtimet dhe impresionet historike të trajtuara nga të huajt, bashkëkohës apo të mëvonë, mbi origjinën e Ali pashë Tepelenës, ato të trungut të tij familjar, nëpërmjet “Ali pashë Tepelena – antologji historike” lexuesit do të ketë mundësinë të analizojnë apo dhe të polemizojnë mes argumenteve dhe konteksteve, për të shkuar tek e ndriçuara dhe e vërteta rreth jetës dhe bëmave të pashait tepelenas.

 

 

Figura e Ali pashë Tepelenës, si në këtë rast të botimit të këtij libri, duhet të çlirohet nga paragjykimet kulturore, krahinore, fetare dhe politike dhe për t’ia rikthyer atë vlerësimit të drejtë të historisë.

 

 

 

Këndvështrimi i ftohtë dhe jo pasionant, studimi i jetës dhe veprës së Ali pashë Tepelenës në kontekstin historik të epokës së tij, hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, atë të periudhës kur pas tre shekujsh shurdhërie, nën sundimin otoman, Shqipëria filloi të përmendej në Europë.

 

 

 

 

Perlat Meçe

Lindi në fshatin Bënçë të rrethit të Tepelenës më 1949.  Pas përfundimit të studimeve të larta, dega gjuhë ruse – gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës filloi punën si mësues. Pas kësaj punoi korrespondent (telekronistit) i Radio-Televizionit Shetëror për rrethet Tepelenë dhe Përmet.

 

 

Për afro 12  vjet kreu detyren e inspektorit e me pas të përgjegjësit të Seksionit të Arsimit, Kultures e Sporteve në ish – Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Tepelenës.

 

 

Pas viteve ‘90 punoi për disa vjet në strukturat e Partisë Socialiste të rrethit dhe në vitet 2003-2005 kreu detyrën e Nënprefektit për rrethin e Tepelenës.

 

Aktualisht banon në Tiranë. “AliPashë Tepelena – Antologji historike” është libri i tij i parë.