In Memoriam / Myftar Grabocka: “Kam lindur në Tomorr”!…

In Memoriam / Myftar Grabocka: “Kam lindur në Tomorr”!…

Myftar Grabocka ka qenë përfaqësuesi më tipik, më autentik i një brezi të papërsëritshëm, një pesonalitet i shquar që ka nderuar veten, krahinën e Vakëfeve ku ka lindur dhe gjithë Shqipërinë.

 

Lindi më 15 prill të vitit 1918, në fshatin Grabockë të Vakëfeve të Korçës. Pasi kreu një pjesë të Liceut francez në qytetin e Korçës,  gradualisht filloi të aktivizohej në lëvizjet politike të kohës. Në korrik të vitit 1941, fillon aktivitetin antifashist në krahinë për të vazhduar në Durrës (shtator-tetor 1942) dhe pas disa muajsh kthehet në Vakëfe, Kolonjë, Shën Mërtir e Leskovik, ku kryen një sërë detyrash të rëndësishme.

 

Më 9 shtator 1944 inkuadrohet në Brigadën XX Sulmuese, ku luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit.

 

Mbas çlirimit, ka një karrierë të shkurtër por të suksesshme ushtarake deri në kryetar i Gjykatës Ushtarake me gradën nënkolonel.

Pas karrierës ushtarake  zgjidhet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Korçë, më pas të Qarkut dhe përsëri të rrethit, për 18 vjet rresht, deri më 1966. Më 1966, transferohet në Elbasan, përsëri me detyrë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të atij rrethi. Në vitin 1968, emërohet përfaqësues diplomatik i Shqipërisë, i ngarkuar adinterim në Republikën Demokratike Gjermane (Berlin), ku shërbeu deri në vitin 1970.

Me kthimin nga Gjermania, caktohet me detyrë në aparatin e Këshillit të Ministrave, kryeinspektor për pushtetin lokal, duke drejtuar njëkohësisht dhe Degën e Ankesave të Popullit në Kryeministri, deri sa doli në pension në vitin 1983.

 

Krahas këtyre funksioneve të rëndësishme, ka qenë i zgjedhur për tre legjislatura rresht deputet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë (1960-1970).

 

Pas daljes në pension, shkrojti dhe sistemoi kujtimet e tij, të cilat janë përmbledhur në librin me titull “Myftar Grabocka dhe rrënjët e një fisi”, prill 2007.

 

Për meritat gjatë LANÇ dhe pas çlirimit, mban urdhëra e medalje të shumta. Në vitin 2003, Këshilli i Qarkut Korçë i jep Myftar Grabockës titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Qarkut, kurse në vitin 2004 shpallet “Nderi i Trevës së Vakëfeve”. Me rastin e 95-vjetorit të lindjes, më 6 qershor 2012, i jepet titulli “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, ndërsa dy rrugë, një në Korçë e një në Elbasan, mbajnë emrin: “Rruga Myftar Grabocka”.

 

 

Më poshtë po japim një një fragment nga kujtimet e tij që lidhet me malin e Tomorrit:

 

 

Jeta ime është një kompleks i vërtetë, është e papërsëritshme, sepse është vetëm imja

 

 

Sot s’kam ndermend të mburrem, por as të tregohem modest i përulur dhe të mos them asgjë nga ajo pjesë e jetës time personale, të cilën ma njohin shumë pak.  Të tjerët njohin vetëm punën time, atë që është e dukshme dhe e prekshme, por atë që kam hequr dhe që di unë kudo që unë kam jetuar dhe punuar në Shqipëri dhe jashtë saj.

 

 

Kam lindur ne Skrapar, në Gradec të Tomorricës, që gjysmën e ditëts rri nën hijen e Tomorrit që e ka mbi kokë. Ka qenë koha e , në koha e muhaxhirllëkut, siç thuhej ikja nga Korça të ndjekur nga Greku i Parë I 1914-ës, i cili ishte betuar se nuk do të linte këmbë vorioepiroti që s’do pranonte fenë orthodokse dhe kombësinë greke.

 

 

Ishin duke ikur për në Vlorë (Kaninë) edhe prindërit e mi dhe unë linda rrugës së kthimit për në Korçë, në atë kohë, që, siç thuhej, ishin nëpërkëmbë tifoja, kolera, uria…dhe mbi të gjitha kërcënimi i grekut për të na këputur kokat me të vetmin faj se deshëm më shumë Shqipërinë si shqiptarë dhe s’deshëm të tradhtojmë kombin e Shqipërinë.

 

 

Prindërit e mi kishin vetëm një fëmijë, Reshikon. Atë ditë, pranë prindërve të mij ishte dhe një dervish mjaftë i njohur në atë zonë, Dervish Iljazi i Teqesë së Kulmakut në Tomorr.

 

Ky mal dhe kjo teqe kanë qënë nëpër shekuj vende të shenjta për shqiptarët. Teqja e Kulmakut para se të bëhej teqe ka qënë faltore pagane e tërë epirotasve pellazgo-ilirë, madje ka qënë Faltore – Nënë e faltores së Dodonës.

 

 

Dua t’ju them dy fjalë për këtë teqe. Teqeja e Kulmakut shtrihet pranë kodrinave morenike të Ujanikut ku ndodhet dhe fshati me të njëjtin emër, i vendosur në lartësinë rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Në lindje ndodhet Qafa e Kulmakut, 1430 m mbi nivelin e detit, dhe në juglindje te asaj gjendet Siraku.

 

 

Ne Çukën e Tomorit është ndërtuar Tyrbia e Abaz Aliut; vendi më i shenjtë i gjithë shqiptarëve. Ai vend, siç e thashë më parë, ka qënë vend i shenjtë që para se të ndërtohej tyrbja, pra nuk është vetëm i bektashinjëve por i gjithë epirotasve shqiptarë.

 

 

Në këtë zonë, në vendin e quajtur Gjerbës, gjendet fshati Gradec ku unë linda në muajin e bukur të prillit, ku mes ngricave e borës që sapo kishin filluar të iknin, kishin filluar të çelnin lulet e guximshme dhe çamarroke; Kaçja dhe lule Manushaqja, dy lajmëtaret e para të stinës së bukur të Pranverës.

Me siguri, nëse do lindja vajzë do më quanin Kaçe apo Manushaqe. Do të dëshiroja shumë që ikja ime të jetë po në këtë muaj kur unë linda!…

 

 

Ata që më sollën në jetë, më treguan se u bë një darkë e madhe. Darka u vendos të bëhet ne Teqenë e Tomorrit. Në darkë u ftuan dhe morën pjesë emra të degjuar si Dervish Iliazi i Teqesë së Tomorrit, patrioti i madh Sali Butka…Emin Matraxhiu nga Elbasani, shok i ngushtë i Aqif Pashë Elbasanit dhe shumë të tjerë…

 

Sofrat ishin zbukuruar dhe mbushur me gjithë të mirat, dollitë dhe këngët s’kishin të mbaruar… Me pelqimin e të gjithëve emrin ma vuri Dervish Iliazi!

 

-Myftar- thirri ai, i çuar në këmbë!
-Ta gëzojë – thirrën të gjithë.
-Myftar- tha Dervish Iliazi, të bëhet njeri i mirë, i ditur, i zgjedhur dhe populli ta dojë!

 

 

Dua të të ve në dukje se kam lindur në kohën e “Grekut të Parë”, siç quhet nga populli dhe jo në vitin 1917 siç është shkruar në pashaportën time dhe de babai im ishte mik me Dervish Iljazin, pasi kishte qenë kryeusta në ndërtimin e Teqesë së Dervish Iliazit.

 

 

Shënim i botuesit:

Ashtu siç kishte dëshirë Myftari, të ikte nga kjo jetë në atë ditë që kishte ardhur, në pranverë, ai iku, ashtu siç e parashikuar si një profet,  në fillim të prillit.

 

I përjetshëm Kujtimi i Tij!…