Dr. Xhaferr Sulejmani nga Skrapari, një nga personalitetet më të larta të Tetovës të viteve 1927-1944 

  Dr. Xhaferr Sulejmani nga Skrapari, një nga personalitetet më të larta të Tetovës të viteve 1927-1944 

Lindi në fshatin Sevran të Skraparit në 14 mars 1878, në një familje me tradita atdhetare dhe shumë të respektuar të kohës. Ai që do të bëhej më pas një ndër mjekët e shquar, pas mbarimit të shkollës së mesme studioi në Universitetin e Stambollit për shkencat e mjekësisë. Skraparasi do të ishte një ndër studentët më të dalluar të mjekësisë dhe përmes një urdhëri të kryeministrit së Perandorisë Osmane në fillimin e shekullit XX-të, ai së bashku me studentët më të dalluar të Stambollit do të dërgoheshin për studime më të thelluara në Paris ku dhe u diplomua në vitin 1905.

 

Pas diplomimit u rikthye në vendlindje ku qëndroi pak kohë pasi do të niste praktikën 2 vjeçare në Janinë. Gjatë kohës së praktikës në Janinë u njoh me atë që do të krijonte familjen, Safijen,vajzën nga Përmeti që po ashtu vinte nga një familje me tradita.

 

Në 1907 pas martesës, në rrethana ende të panjohura shpërngulet dhe punon disa kohë si mjek në qytetin e Gostivarit. Në 1908 e deri në fund të jetës ai do të vendosej me familjen në qytetin e Tetovës, ku jetoi në një prej zonave elitare të kohës në Tetovës, së bashku me 6 fëmijët e tij dhe bashkëshorten Safijen. 6 fëmijët e Xhaferr dhe Safije Sulejmani (mbiemri mori një ndryshim në Gostivar duke u bërë Sylejmani) ishin: Reshati, Zehra, Fetije, Nemide, Fikrije, Ali.

 

Gjatë viteve 1914 – 1918, vite që i përkasin Luftës së Parë Botërore. Në 1916 u zu rob lufte nga okupatorët dhe u internua në Bullgari. Me përfundimin e Luftës së Parë nisi sërisht të ushtronte profesionin e tij si mjek, kësaj here me honorare pranë Gjimnazit të Tetovës. Fama e tij nis të rritet jo vetëm brenda mjediseve elitare por edhe nga banorët e thjeshtë ndërsa u angazhua edhe në shumë shoqata bamirësie si “Merhameti”, “Gajreti” etj.

 

Vitet që pasuan do të shoqëronin veprimtarinë e atdhetarit edhe plagët e dhimbjes së tij. Në 1926, djali i tij i madh Reshati do të vdiste papritur në moshën 16 vjeçare.

 

Në 1927 u zgjodh Deputet i Parlamentit në Beograd detyrë që e mbajti deri në vitin 1931. Një vit më pas, në 3 janar 1932 emërohet Senator i Senatit të Parë të Mbretërisë Jugosllave si përfaqësues i Banovinës së Vardarit, detyrë që e mban deri në vitin 1941. Ai kundërshtoi në senat, kolonizimin dhe reformën agrare, të projektuar kundër shqiptarëve.

Në gazetën “Pravda” në datë 25 mars 1937 shkruhej : “Dr. Xhafer Sulejmanoviq foli për zbatimin e reformës agrare në Serbinë Jugore. Ai tha se ajo zbatohet në dëm të myslimanëve, të cilëve u është marrë toka pa iu kompensuar.“

 

Në 6 prill1941 vajza e tij Zehra e martuar me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Beograd, do të humbte jetën së bashku me 2 fëmijët e saj gjatë bombardimeve që po i bëheshin Beogradit nga ushtria nazifashiste.

 

Në maj të 1941 emërohet Kryetar i Bashkësisë së Tetovës detyrë që e mbajti deri në 8 shtator 1943. Gjatë gjithë kontributit të tij u konkretizuan përhapja e shkollave shqip dhe tërhoqi shumë mësues që kishin mbaruar “Normalen” e Elbasanit dhe shkollën “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë për nxitjen e mësimdhënies në gjuhën shqip në Tetovë dhe treva të tjera.

 

Një meritë tjetër e veçantë ishte ndërhyrja e menjëhershme e tij për të ndalur shkatërrimin që po i bëhej objektit të bektashinjve duke mbrojtur kështu Teqenë e Arabati Baba.

 

Në 15 nëntor 1944 Komiteti Nacional vendosi që Tetovën t’ja dorëzonte komunistëve shqiptarë dhe atyre maqedonas por forcat nacionaliste nuk e pranuan këtë. Si hakmarrje më pas nisin arrestimet.

 

 

Në 16 nëntor 1944 ai u arrestua dhe u dënua me 18 muaj burg, por në mungesë të mjekëve në atë kohë ai u lirua pas pak muajsh me kusht dhe shërbeu si mjek në spital.

 

Në 1946, ndërsa ishte në moshën 68 vjeçare, ai u dënua dhe më pas u burgos me 6 vite burg të rëndë, dënim që do ta kryente në burgun e Shkupit dhe atë të Idrizovës. Edhe në burgun e Idrizovës ai do të punonte si mjek fillimisht por më pas sërisht do të trajtohej si i burgusor i thjeshtë duke e hequr nga kjo detyrë. Ai u lirua pas 4 viteve burg, në vitin 1950 në moshën 72 vjeçare për shkak të shëndetit të rënduar. Me lirimin nga burgu dhimbjet nuk do të përfundonin për të pasi kishte marrë vesh se bashkëshortja Safija kishte ndërruar jetë.

 

U nda nga jeta në vitin 1953, në moshën 75 vjeçare ku u preh në varrezat e Tetovës mes nderimeve të bashkëqytetarëve. Shtëpia karateristike e tij në Tetovë ende banohet sot nga pasardhësit dhe është në listat e monumenteve historike të kohës. Më herët, në Tetovë u ndërmor një nismë për vendosjen e emrit të Xhaferr Sulejmani një prej shkollave të Tetovës.

 

Marrë nga “Çorovodaonline”