Dule Iljaz Përrenjasi, një nga Dëshmorët e panjohur të 1937 – ës
(Pjesa e dytë)
Gjergj Qafoku
(Vazhdim nga numri i djeshëm)
Në numrin e djeshëm të “Orakujve të Tomorrit”, kemi botuar pjesën e parë të shkrimit me titull: Kush janë Dëshmorët e parë skraparllinj të Kombit dhe si janë trajtuar ata?!…
Siç e keni parë në këtë shkrim, është për të ardhur keq, që një pjesë e këtyre dëshmorëve janë fare të panjohur nga publiku, studiuesit, madje edhe nga pasardhësit dhe familjarët e tyre, të cilësuar si Dëshmorë të Atdheut.
Sot në pjesën e dytë të këtij shkrimi, do t’u njohim më hollësisht me jetën dhe veprimtarinë e njërit prej tyre, që emrin e tij nuk e gjen as në Muzeun Historik të Skraparit, as në listat e dëshmorëve dhe as në shkrime historikë të botuar në organe të ndryshme të shtypit.
Ky është Dule Iljaz Përrenjasi
Në vendimin e shpalljes dëshmor të tij (Nr. 7 në listën e djeshme) përshkruhet me hollësi moti
vacioni i vlerësimit:
Dule Ilias Përrenjasi,
ka qënë një nga trimat patriotë të Skraparit edhe ky ka luftuar trimërisht me fuqitë greko- epiriote që kishin sulmuar Skraparin, në v 1914, dhe në një përpjekje që ka bërë me çetat epiriote në fshatin Vlushë të Skraparit, ra dëshmor duke vaditur tokën e bekume të Atdheut me gjakun e tij për të mbajtur lart flamurin kombëtar.
Në këtë përpjekje midis çetave skraparase dhe fuqive Greko – epiriote është vrarë dhe një kapiten grek, i quajturi Kost Bixhori, prej të ndjerit Muharrem Jaho, nga katundi Vërzhezhë i Skraparit.
Po në këtë kohë janë sulmuar çetat greko- epiriote në Diavet (Sevran), prej fuqive skraparase, fuqi civile dhe ushtarake të komandume prej oficer z. Veiz Xhindit (Sevranit), i cili në përpjekjet e rrepta me trimërinë shëmbullore që ka treguar mundi dhe i theu duke i ndjekur deri në rajonin e Përmetit.
Në këtë përpjekje z Veiz Xhindi, sot deputet i prefekturës, është plagosur në këmbën e djathtë dhe në gishtin e dorës së majtë.
Trimëria e tij përmëndet dhe në këngën popullore që i është ngritur dëshmorit përmetar, Bilal Ali Postivanit:
Plumbi i grekofonit të mori në ballë,
Kapedan Bilal, o djalë,
Doli Veiz Sevrani me dy borizanë,
Kapedanë Bilal, o djalë,
Dhe nuk i la grekët të zinin të gjallë…
………
Në përpjekjet që janë bërë me këto çeta dhe fuqive shqiptarë të Frashërit, kanë mbetur të vrarë në katundin Odriçan të Përmetit dhjetë shqiptarë, të cilët janë varrosur në një gropë dhe varri i tyre njihet edhe sot në kodrinën e Odriçanit.
Kjo periudhë ka qënë e tmerrshme për popullsinë e Skraparit, mbasi nga njëra anë të rrethuar prej fuqive greko- epiriote që dogjën oa mëshirë shumë katunde të Skraparit dhe nga ana tjetër të ndjekur prej fuqive rebele të Haxhi Qamilit, u shtrënguan të emigrojnë me gjithë familjet e tyre nëpër ullishtet e Vlorës.
Komisioni i Beratit për kremtimin e 25- vjetorit të Vetëqeverimit Shqiptar, vendosi:
1-Shpalljen Dëshmor të Atdheut: Dule Ilias Përrenjasi.
2- Shkolla e Ermenjit me emrin e këtij dëshmori të Atdheut: “Shkolla Ilias Përrenjasi”
Burime:
- Q. SH Fondi 170, V 1937 dosja 46, faqe 8,
faqe 21, faqe 23.
Gazeta Zyrtare v 1937, gusht.
- Haklaj: ” Veteranët e Pavarsisë”, v. 2012.
