Dy vjet “Orakujt (Fatndjellësit) e Tomorrit”…

Dy vjet “Orakujt (Fatndjellësit) e Tomorrit”…

 

 Një ngjarje e shënuar, por, me këtë rast, edhe një sqarim i domosdoshëm për dashamirësit, lexuesit dhe ndjekësit e shumtë të nderuar dhe të respektuar të kësaj gazete on-line

 

 

Sot, pagova faturën e abonimit vjetor të Host-it dhe të Domein-it të platformës mediatike “Orakujt e Tomorrit”, e cila, me një bilanc të kënaqshëm, hyri në vitin e tretë të publikimit.

 

 

“Orakujt e Tomorrit”, prej kohësh, për kushtet e krijuara, të braktisjes dhe të disa zhvillimeve jo normale organizative, veprojnë si pronë editoriale personale e një njeriu të vetëm, siç është Zylyftar Hoxha.

 

 

Në këtë periudhë të vështirë, një zemër bujare, si ajo e biznesmenit Fatos Çerenishti, u ndodh pranë dhe “Orakujt…” morën frymë për të ecur edhe një vit më tej dhe për të mos u shuar përfundimisht.

Kaq u desh, dhe “Orakujt …” e gjetën veten dhe tani janë atje ku janë…

 

 

Me një mbulim gjeografik të krahinave rreth Tomorrit, në dy vjet në këtë platformë modeste janë botuar mbi një mijë shkrime të natyrave dhe gjinive të ndryshme publicistike të ndara sipas rubrikave, aktualitet, ekonomi – turizëm, histori, kulturë, botime – libra etj.

 

 

Nga ana jonë është bërë kujdes që “Orakujt e Tomorrit” të jetë një gazetë on-line serioze dhe profesionale.

 

 

Jemi munduar që në punën tonë të kemi gjithmonë parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe mendimet e lexuesve dhe bashkëpunëtorëve dashamirës tanë.

 

 

Se sa ia kemi arritur, është lexuesi, me të cilin kemi mbajtur lidhje, që na ka gjykuar dhe do të na gjykojë edhe në vazhdimësi, por janë edhe treguesit e audiencës dhe të performancës që del çdo ditë, çdo javë dhe muaj në mënyrë elektronike në faqet e “Orakujve…”.

 

 

Dhe treguesit janë vërtet mbresëlënës:

 

Numri i ndjekësve është rritur deri në 20 mijë, ndërsa çdo ditë i bje të ketë mesatarisht 800 – 1000 shikime dhe reagime për çdo artikull të ri, ndersa për artikuj të veçantë ka patur edhe 15 – 20 000 shikime dhe reagime në ditë.

 

Këto janë rezultate që na motivojnë për ta çuar përpara në të gjitha drejtimet ndërmarrjen tone, si në përmirësimin e tematikës, në cilësinë e shkrimeve, ashtu edhe në larminë dhe shpejtësinë e lajmeve.

 

 

Ndryshe nga portale të tjerë që punojnë “me miell hua” (postime të marra nga të tjerët), “Orakujt e Tomorrit” punon “me miellin e vetë”. Pothuajse të gjitha postimet janë produkt origjinal i tij ose, në mos origjinal, të përpunuara dhe të përshtatura për lexuesit e tij specifikë.

 

 

Si administratori kryesor dhe i vetëm, jam fatlum dhe optimist që për portalin “Orakujt e Tomorrit”, me gjithë mundësitë financiare dhe njerëzore tepër tepër të kufizuara, janë thënë fjalët më të mira në përmbushje të detyrave dhe objektivave që ai i ka caktuar vetes që në ditën e parë të formimit.

 

 

Me rastin e dy – vjetorit të krijimit, “Orakujt e Tomorrit” falenderojnë ndjekësit, lexuesit dhe bashkëpunëtorët e tij kudo që janë, për motivin që i kanë dhënë në misionin e tij fisnik formues dhe informues edhe pse në kushte aspak komode dhe të favorshme.

 

 

Edhe një herë, faleminderit, faleminderit shumë!

 

Administratori kryesor dhe i vetëm

 

Zylyftar Hoxha