“Endé vazhdoj të rend si pelegrini, paçka se Meka ime është Shqipëria”

“Endé vazhdoj të rend si pelegrini, paçka se Meka ime është Shqipëria”

Intervistë me poetin Mihal Gjergji rreth vëllimit të tij poetik “Kërkoj një strehë”

 

Zylyftar HOXHA

 

Mihal Gjergji, një poet i brezit të mesmë, që qëndron mes të vjetërve dhe të rinjve, pavarësisht se sot nuk ka një hierarki vlerash dhe ai akoma nuk e ka bërë akoma të plotë “historinë e tij”, për mua dhe adhuruesit e shumtë të tij, zë një vend të merituar në letërsinë e sotme.Mihali është poet i temës së fortë, zëdhënës i njerëzve të thjeshtë që ndeshen çdo ditë me padrejtësitë, që, siç thotë në një nga poezitë e tij, duke u munduar “të shërojë plagë, është kthyer vetë në plagë”, duke provuar privacione dhe duke mbetur edhe pa punë.

Para disa kohësh Mihali nxori vëllimin e pestë me poezi nga nëntë libra që ka botuar gjithësej. Me këtë rast i morëm atij intervistën e më poshtme:

 

 

 

Në pozicionet e një adhuruesi të poezisë që ka ndjekur prej kohësh krijimtarinëe Mihal Gjergjit, pasi, fatkeqësisht kritika e mirëfilltë dhe kualitative mungon, kam vënë re se poezia jote është e rëndë, me nota elegjiake, me kontraste të forta dhe rebeluese, a jam i saktë në këtë përcaktim? 

 

Shumë i saktë, më vjen mirë që më paske ndjekur dhe kuptuar. Lexues të shumtë kërkojnë që poezia ime të ketë më shumë trille dashurie, frymë erotike, të ndjejnë gëzimin e munguar. Ndoshta, kërkojnë atë, që s’mundem t’ua ofroj. Poezia ime është e shqetësuar, sepse e tillëështë jeta. Dhimbja është prezente, por jo vajtimi. Lotët më janë shterur qyshkur. Asnjëherë s’jam përqafuar me dëshpërimin tronditës, ndërsa kam preferuar revoltën. Edhe fshikullimin, në kërkim të bukurisë njerëzore.

 

Dhe poezia është një armë, sipas jush?!…

 

Patjetër. Ushtari quhet ushtar vetëm kur ka armë. Arma e poetit është fjala, gdhendur me daltën e mendimit.Imagjinata e tij, edhe përtej kohës, i jep lexuesit përjetimin e parë. Pastaj idetë. Ato ngjasojnë me shkreptimat e rrufeve në qiellin e trazuar. Pa këto, poezia ka vdekur para lindjes…

 

Kemi të bëjmë me ndjeshmëri poetike apo me një realitet vërtet të dhimbshëm që secili gjen mënyrën e tij për t’u shprehur?

 

Populli im është thinjur dhe rrudhur, si asnjëherë. Brenda vargjeve janë dramat e tij, edhe tuajat. Por, lexuesit e mi të vërtetë, ende s’kanë ardhur. Nipërit dhe mbesat e bashkëkohësve të mi do kërkojnë rrënjët e tyre, do dëgjojnë zërin e poetit. Jam i bindur për këtë. Ata do jenë ndryshe; me më shumë dritë në sy, më shumë dashuri në zemër, me bukuri brenda shpirtit. Ata kanë të drejtën e gjykimit, bashkë me kohën, për mua dhe për ju.

 

Libri juaj titullohet “Kërkoj një strehë”, iu ka munguar deri më sot kjo strehë?

 

Kjo strehë nuk më ka munguar vetëm mua, por gati një milionë e gjysmë shqiptarëve që janë jashtë vendit dhe më shumë se gjysma e atyre që janë brenda vendit, por që e kanë mëndjen jashtë.Mund ta ndeshni shpesh fjalën “thinjë”. M’i ka shtuar jeta, para kohe. Fjala “udhë” mund t’u krijojë monotoni. Jam fajtor pa faj. Por, ky vend është mbushur me gjarprinj helmues; i vret poetët, fjalën e lirë, guximin qytetar. Poetët janë njërëz të lirë, s’i pranojnë prangat.

 

Në shumë poezi tuajat ndjen se, jo se s’ke vërtet një strehë, por se nuk të lënë rehat edhe nëatëcopëz strehe apo pune që ke (më mirë të themi, që ke patur, pasi të kanë pushuar pa asnjë motiv nga puna)?

 

Asnjë karakter s’duhet ndëshkuar për shkakun se është ndryshe nga të tjerët. Shkurret zvarritëse s’mund t’i pengojnë lisat. Ata kërkojnë dritën e diellit, prandaj bëhen shtatlartë dhe shekullorë. Provoni shtigjet e pashkelura, ecja është e vështirë, xhindet të ndjekin në çdo hap. Është fati ai që ju tërheq për dore. E unë, përsëri ngulmoj; asnjë njeri s’duhet të braktiset në fatin e tij, asnjë popull.

 

 

 

KOHA  JOTE

Është lënduar ky dhé, nuk na mban
Është pushtuar ky vend, na braktis
Si lumi nga shtrati, u ndamë…
Bagazhet e mallit nuk di si t’i nis

Koha jote është ditë, kurse imja është natë
Shpirti im, jemi larg, oh, sa larg!

 

 

ÇDO DITË

Si dritë kandili shuhet dita
Me muzgun tretet dalëngadalë
U shemba keq dhe prapë u ngrita
Çdo varg më zgjatet, bëhet shkallë

Diçka po vdes dhe brenda meje
Më bëhet lotë, më rri në sy
Si shkrepse zbret një dritë rrufeje
Më ndez cigaren, që ta pi

Për ju poeti ngjan i huaj
Se s’ndjeni; fjalë e varg e rimë
Po unë çdo ditë trishtimin tuaj
Ngarkoj në shpirt me psherëtimē!

 

ÇASTE  VETMIE

Dobiçër dhe hiçër-mjeranë
Të ngjitur në fronet e larta
Në terr e në ferr e hapsanë
Burgosën dhe ëndrra dhe flatra

Më krisen mëngjeset, si qelqi
Coptohen gëzimet çdo ditë
Më kot pres gjëmimet nga deti
Të mbushem, të ngopem me dritë

Të zgjoja një mjelmë të fjetur
T’a merrja, ta kisha këtu
T’i thosha, që bota s’ka vdekur
T’a puthja, ta mbaja mbi gju

E jetën si nuse ta vishja
Me puthje, me puthje kudo
Kujtesēn provova t’ua grishja
Se pret e trishtuar ajo!

 

TRUP  E  SHPIRT

U bëra këngë
Askush s’e vuri në buzë
Ruanin korbat në pemën e tharë
Ishte kohë e rëndë!

Në këmbë, kam gjëmba
Në zemër, një vragë
Trup e shpirt më lëndohen
U bëra vetë plagë!

 

 

KËRKOJ  NJË  STREHË

Atdheun e ngarkova në shpirt
Jam për udhë të gjatë
Mbi humnerat e mia
Fluturojnë pëllumbat e Ovidit
Kam mbetur fillikat..!

Ik, më thanë, ik tutje
Merr arabanë me plaçkat e trupit
Mua
Që gjithë jetën mbolla farë të zgjedhur
Më përzunë ca bij putanash
Pjella të turpit

Shtigjet m’u bënë brazda në ballë
U përgjakën horizontet
E dhimbja ime u bë iso kënge
Malet u thinjën
Bashkë me ta
Rënkon një mall i patretur nëne

Vetmitar kam mbetur
Ku të vete?
Qiejt e urrejtjes kullojnë mbi mua
Do t’i lutem Homerit:
Më bëj pak vend në dramat e tua!

 

ÇAST

 

Mbeta çirak, gjithë jetën
Ndihmës i zotit pa zot
Urtësia-burgu im
Nga i cili s’dal dot!

S’vret plumbi sa fjala
Heshtja sa varri
Pritja, bëhet litar
Ku varet i gjalli…

 

MESHË QIELLORE

 

U drodh Golgota nga kryqtarët
Që zbuan Krishtin me përdhunë
Po unë i shoh kudo barbarët
Kanë dymijë vjet që s’bëjnë gjumë

Ndaj kishat ngjajnë tabut lirie
Me skuta frike dhe qilarë…
Ne s’kemi një simbol Mesie
T’a josh nga larg çdo besimtar

Unë ndjej çdo hap të Pons Pilatit
Gjer mbriti dhe në vendin tim
Mbërthen nën gozhdët e mëkatit
Çdo Krisht të ri që sapo lind!

Ka një altar në qiell drite
(Kambanë ku digjen meteorë!)
Atje apostujt për rilindje
Profetin presin në dhjetor!

 

DO TË VIJ

Rrëgjuar e lodhur nga pritja e gjatë
T’u thinjën, dhe malli dhe gjum’ i trazuar
Patjetër do vij e do gdhihem një natë
Karroca rënkon e dhimbja rri zgjuar

Do vij për Krishtlindje, do pimë për Mesinë
Në kupat e verës t’a mbytim trishtimin
E di se ç’më tha hanxhiu tek mbushte tagjinë?
-Me kuajt gërdallë vështirë ta arrish Perëndimin…

Në vdeksha, e di që do bësh ulërimë!

 

 

BRIGJET E MALLIT

 

Dy brigje malli tjerrin fjalët
Një në Dodonë, një në Egje
Mes tyre deti, dërgon valët…
Se kanë një gjuhë dhe një atdhe

I grish së largu Shën Maria
Me sy të thellë, me shtat selvi
Një hark ylberi zbret hyjnia
Bashkon dy brigjet në vetmi

E pritja puth dy brigje malli
Dhe zemra dridhet nën torturë
Ç’baladë muros një jetë së gjalli
Kur shpirti s’mbyllet në qivur?

 

 

NË  JANINË

 

Lëkundet lavjerrës i frikës
Ngjason si një minë me sahat
Qyteti nën ritmin e ditës
Me shpresën qafohet në shtrat

Më thanë që të hesht, ja ku prita
Mëngjezet askush nuk i zgjon
Kambanat i shkundi mesdita
Dhe nata rrugicat përgjon…

S’më ftoi askush në saraje
E desha një kafe t’a pi
Dhe ngriva, si roje kalaje
Dhe prita…, vezirin Ali!