
Enigmat turistike të Skraparit: Sterrat e Katafiqit
Janë dy sterra, shpella të thella për të cilat është folur gjithmonë, por mjegullt, pa kompetencën shkencore dhe profesionale.
Për herë të parë janë eksploruara gjatë verës të vitit 1995 nga grupet speleologjike italiane “Puglia Grotte” dhe “Dauno”, të shoqëruara nga guida shkencore e grupit Speleologjik të Tiranës, por vetëm kaq. Askush nuk është interesuar për më tej, si për studime gjeo – morfologjkiike, por edhe turistike për t’i bërë ato të vizitueshme dhe të aksesueshme.
Në atë kohë ato janë emërtuar, Katafiqi 1 dhe Katafiqi 2.
E para është 50 metra e thellë, ndërsa e dyta 63 metra. Ndodhen në rrëzën e shpatit perëndimor të malit të Kulmakut, rreth 1 kilometër në juglindje të qafës së Kulmakut, në lartësinë 1440 metra mbi nivelin e detit; në kordinatat 40°38’01” gjerësi gjeografike veriore dhe 20°12’43” gjatësi gjeografike lindore.
Sterrat ka hyrje vertikale në rrëpirën shkëmbore të rrëzës perëndimore të një hinke karstike me diametër mbi 15 metra dhe thellësi mbi 20 metra.
Shkëmbinjtë ku janë formuar janë gëlqerorët e kretës, shumë të prirur ndaj proceseve të karstit. Këto sterra kanë ngushtime e zgjerime dhe pak stalaktite e stalagmite, etj.
Peizazhi përreth përfaqëson karstin e zhveshur. Vizitorët e saj duhet të jenë speleologë, alpinistë të përgatitur dhe me pajisjet speleologjike për të zbritur në sterrë.
Por, nëse bëhen për vizita masive, duhet të bëhen shkallë hekuri ose prej litari.
Ato mund të vizitohen, duke ndjekur rrugën rurale: Çorovodë – Gjerbës – Ujanik – Qafa e Kulmakut. Më tej ndiqet rruga këmbësore, që zgjat rreth 15 minuta.
Fatkeqësisht, duhet theksuar, fatkeqëisht, që në hartën turistike të Skraparit këto shpella nuk ekzistojnë(!) ose, ekzistojnë, por nuk është bërë asgjë për promovimin e tyre si atraksione turistike, të vihet një sinjalistikë rrugore për të shkuar deri tek ato, të bëhet një fletëpalosje print apo elekronike me të dhëna etj.