“Erdh’ behari, ejani, ju pret Skrapari”!

“Erdh’ behari, ejani, ju pret Skrapari”!

Turistë, udhëtarë, aventurierë të natyrës dhe historisë,  qejfllinj të muhabetit dhe lezetit,  të rakisë dhe dollisë, po vjen behari, ejani në Skrapar, do t’u shohë Zoti, do të gjeni çdo gjë të mirë që dëshironi, por mbi të gjitha do të gjeni një mikpritje dhe ngohtësi zemre që nuk e keni gjetur në asnjë vënd tjetër të Shqipërisë!

Skrapari është një zonë etno-kulturore, e pozicionuar në zemër të Toskërisë me një sipërfaqe prej 775km2, është krahina, pas Pukës, ndër më maloret dhe reliev më të thyer në Shqipëri, ndër më të varfrat ekonomikisht, por njëkohësisht nga më të “pasurat” në natyrë, histori, traditë dhe kulturë jetese.

 

Është një krahinë, që, si askush tjetër, ka një Zot, një patriark sundues mbi krye, që është Tomorri i Dodonës pellazgjike, i cili në çdo orë të ditës lëshon hije dhe frymë shënjtërie në të gjithë territorin e saj nga mëngjesi, në mbrëmje dhe nga mbrëmja në mëngjesin tjetër!

Ka një natyrë dhe një etnokulturë  të mrekullueshme, ashtu siç edhe ka një histori të lashtë dhe të re të dallueshme, që bën krenar çdo skraparlli.

 

Politika ka lozur e ka spekuluar shumë mbi të kaluarën heroike, mbi shpirtin patriotik e largpamës të njerëzve të kësaj krahine, të cilat tashmë janë zhvleftësuar e zbërdhulur aq shumë sa edhe e vërteta tingëllon banale dhe qesharake. Politika i ka shumë borxhe kësaj krahine, mbi të gjitha, varfërinë ku e ka katandisur.

Po a e dinë ata që i bëjnë karshillëk Skraparit, se skraparallinjtë asnjë herë nuk i ka gjunjëzuar varfëria. Ata edhe pse të varfër kokën e kanë mbajtur lart. Përherë kanë qenë të duruar, por kanë qenë edhe vizionarë të pagabueshëm me më progresistët. Të paktën kështu i njeh historia.

 

Ejani në Skrapar, aty ku pihet me fund dollia e jetës:

 

“Të paça, o mik që më gëzove derën! Me pak raki e me shumë dashuri”!