Fan Noli për Mihal Gramenon dhe Shahin Kolonjën

Fan Noli për Mihal Gramenon dhe Shahin Kolonjën

Mihal Gramenua ishte një nga veteranët e çështjes kombëtare. Dishepull i Miha Naços së Bukureshtit, lëftoi për Shqipërinë vjete me radhë, me armë maleve, si shok i Çerçizit dhe i Bajos, me pendë e me gojë në Rumani, në Shqipëri e në Amerikë. Me gjithë mungesat e tij, ishte popullor dhe i dashur në të gjitha anët e Shqipërisë, se dinte si t’i fliste popullit e si t’ia fitonte zemrën.

 

Do të ishte lajthim i rëndë sikur të gjykohen Mihali ashtu si u bë vjetët e fundme nga alkoolizmi. Shumë njerëz kanë dy jetë të ndryshme, një jetë heroike dhe një jetë groteske. Jeta e dytë dhe e fundme është karikatura e jetës së parë, e jetës së bukur ku shfaqen ashtu si ishin para se të rrëzohen e të bëhen gërmadha. Ky ka qënë mjerimi i Shahin Kolonjës dhe i Mihal Gramenos. Pas jetës heroike e hodhën me të pirë dhe vjete me radhë i kemi parë të jetojnë si gërmadha, si kufoma, si karikatura të vetes së tyre. Dhe ata që i kanë parë, kështu vjete me radhë, kujtojnë se kështu kanë qenë edhe më parë, gjithnjë, që në krye gjer në fund.

 

Aspak. Se mund të shpjegohet lehtë qysh një trim kalbet nga alkooli, po s’mund të shpjegohet asfare qysh një alkoolik i kalbur lulëzon si trim. Mihali duhet gjykuar ashtu siç ishte(…) Duhet të lëmë mënjanë pjesën e sëmurë të jetës së tij dhe të kuptojmë pjesën e saj të shëndoshë. Këtë pjesë të jetës së tij, që ishte më e mira dhe më e shtrenjta, Mihali e sakrifikoi plotësisht për çështjen kombëtare, së cilës i ka bërë shërbim të paçmuar në Shqipëri. Dhe këtu mund të shtojmë që shokët nuk i ka të shumtë Mihali në galerinë e nacionalistëve militantë të periudhës kombëtare heroike.

 

Cili ishte shpërblimi i sakrificave të tij? Shpërblimi material ishte një shaka. Në vjetët e fundme i dhanë si sadaka një pension sa për të mos vdekur prej urie. Po vjete me rradhë më parë, pothua tërë jetën e tij Mihali ma vuajtur varfëri dhe privacione që ia helmuan dhe ia nxinë shpirtin. Shpërblimi moral, nga ana tjetër, ishte tragjedi. Qysh e ëndërronte Shqipërinë Mihali me shokë dhe qysh u doli?  Tamam ashtu si tha at Panua i Gjirokastrës: “Shqipëria u bë që të pëlcasin shqiptarët”. Se mjerisht këtë Shqipëri po e gëzojnë antishqiptarët, turkomanët, grekomanët, kusarët dhe mercenarët. Dhe këtu mund të gjejmë arsyen e përse ai kërkoi ngushëllimin në shishen. Kjo ishte gjysmë vetvrasjeje, e cila u plotësua disa javë më parë në vdekjen e tij.

 

Botuar në gazetën “Republika”, më 2 Prill 1931